Me rastin e vizitës që presidenti i Republikë së Shqipërisë, z. Ilir Meta i bëri Malit të Zi , përkatësisht me rastin e deklaratës së tij në konferencën për shtyp që u mbajt në Podgoricë, me 21 Janar 2019, ai në të njëjtin kontekst foli për shqiptarët në Mal të Zi dhe për malazezët në Shqipëri,me ç’rast deklaroi: ” …një temë mjaft e rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit tonë ka të bëjë edhe ajo me integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë…”.
Kjo nuk është hera parë që z. Ilir Meta bën deklarata të tilla të ngjajshme. Në vitin 2016 kur z. Meta në cilësinë e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit të Shqipërisë,zhvilloi poashtu vizitë zyrtare në Podgoricë ku u paraqit me një fjalim në parlamentin e Malit të Zi, me ç’rast përmendi pakicën malazeze në Shqipëri dhe shfaqi ndjeshmëri ndaj ” kërkesave të tyre legjitime” !?.
Pra, z. Meta sa herë që viziton Podgoricën zyrtare, në të njëjtin kontekst flet për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe të malazezëve në Shqipëri , deklarata këto të cilat mund të kuptohen se z.Meta është më shumë i shqetësuar për të drejtat e disa qindra malazezëve që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë se sa për pozitën jo të favorshëme të disa dhjetra mijë bashkëkombasve të vet që jetojnë brenda kufirit administrativ të Malit Zi!.
Ka dallime fundamentale në mes dy entiteve krejtësisht të ndryshme dhe çdo ndërlidhje apo tërheqjeje paralalizmi në këtë aspekt është i gabuar dhe i papranueshëm. Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e ndarë e popullit shqiptar dhe janë autokton në trojet e tyre stërgjyshore, të cilët padrejtësisht mbeten jashtë kufijëve administartiv të Shqipërisë Londineze,kurse malazezët, të cilët janë të përqendruar kryesisht në disa vendbanime të vogla në zonën e Vrrakës ,ne veri të qytetit të Shkodrës dhe mendohet që kanë ardhur e janë vendosur në këtë zonë rreth gjysmës së dytë të shekullit 18-të.
Sipas të dhënave statistikore të fundit, ( të vitit
2011) , numri i malazezëve në Shqipëri është 366 apo 0.01% e popullsisë së
përgjithëshme të Shqipërisë. Edhe përkundër këtij numri kaq të vogël të tyre,
megjithate Republika e Shqipërisë iu njohu atyre me ligj statusin e pakicës
kombëtare në vitin 2017, çka ishte një status i avancuar në krahasim me statusin
e tyre të mëparshëm të “minoritetit etnik kombëtar”.
Çështja e të drejtave të
pakicës malazeze ashtu si edhe e pakicave të tjera kombëtare në Shqipëri është e
zgjidhur dhe këto të drejta janë të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe
legjislacionin e saj ne fuqi, në përputhje të plotë me standartet e njohura
ndërkombëtare.
Në anën tjetër shqiptarët në Mal të Zi si popull autokton për nga numri janë 30,439 dhe përbëjnë rreth 5% të popullsisë së përgjithëshme në Mal të Zi , (sipas statistikave zyrtare të shtetit) dhe ende nuk kanë një status të definuar në këtë shtet.Në terminologjinë e disa ligjeve (zakoneve) shqiptarët karakterizohen si popull pakicë kurse në Kushtetutën e Malit të Zi përmenden sipërfaqësisht në preambulën e saj në cilësinë popujve dhe pakicave kombëtare që jetojnë në këtë shtet. Gjithashtu dihen tani shumë mirë problemet e pazgjidhura të shqiptarëve në disa sfera të jetës por deri më sot nuk kanë hasur në gatishmërinë e pushtetit të Podgoricës për zgjidhjen e tyre.
Pritet nga presidenti , por edhe nga udhëheqësit e tjerë shtetëror të Republikës së Shqipërisë që me rastin e takimeve të tilla zyrtare me qeveritarët në Podgoricë, të merren më shumë dhe me më përkushtim lidhur me çështjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në shtetin e tyre fqinj. Tek e fundit , ky eshtë obligim i shtetit amë i cili veçse është përcaktuar me kushtetutën e vet për përkujdesjen dhe mbrojtjen e asaj pjese të popullit të vet që jeton jashtë kufijëve administrativ të Shqipërisë.
Xheladin Zeneli
27 Janar
2019