(Letrat që kurrë s’i lexove)

Shkruan Çun Lajçi

Ju edhe mund ta keni pa edhe ta keni pi kafen me Munib Abazin, ndoshta edhe ndëgjua për artin, teatrin, Teutën e tij, por unë kurrë jo.
Kisha ardhë n’qytetin e tij për nji sebep tjetër: me i kujtua verimet e fundit me t’ime bijë, dhe me i prek gjurmët e saja atyne shkallëve t’panumërta që zbresin buzë detit tek “ boriqat” siç thonë Ulqinakët, e me mashtrua vetën ( e belá ) edhe Galën, me pak ujë deti t’krypun e me djegë lëkurën bashkë me kujtimet, n’rrezet e forta të diellit!
Kishim ardhë me takua mallin apo hijën e Bubës, nuk di, por aq t’merzitun ishim atë mbramje kur mbërrimë, sa na u duk se humbem n’qytetin tonë t’katër dekadave e ndihmën ia kërkuem njifar Valonit, djaloshit të Kaçanikut, që e bante punën e sekserit.
Çkeni ju m’tha, unë ju vendosi tek Munibi, mos u mërzitni, se të gjithëve na ka mërzitë vdekja e Bubulinës.
( Hej, edhe ai e kishte njoftë, e kishte pas takua para tre vitësh n’Ibizë!)
Ejani pas meje, se Munibin e keni kolegë, asht njeri tepër i mirë, edhe ai merret me teatër. Bile asht drejtor i teatrit të parë privat këtu n’Ulqin. Quhet Teatri Teuta!
Dhe ecëm prapa tij.
Foli sa foli me nji shokun e vet n’telefon dhe kur na vendosi n’Bonita e na rehatoj m’tha:
Çun i dashtun.
Bujar Bela i Kaçanikut, që punon n’Berlin, kur mori vesh se erdhet m’tha: për artistin e fjalës e t’penës,unë paguaj. Ai do t’jetë musafir i imi.
I hutuem i thashë: ai e past faqën e bardhë qysh e paska zemrën.
Dhe me njoftoi me pronarin e Bonitës.
Ky asht kolegu yt m’tha, që merret vullnetarisht me teatrin.
U përqafuem dhe arti skenik bisedën e çoi gjithkah. Ia nisem me mbretneshën tonë Teutë e përfunduem n’Spanjë me Dulqinenë e Servantesit.
Kam nderin t’iu kem n’odën time m’tha dhe s’dua t’iu konsideroj si turist, por si mikun tim.
T’rrallë janë ata njerëz, si ky Bujari i Kaçanikut, që thot mos i merrni para artistit, se unë paguaj!
Vërtetë m’la përshtypje t’madhe, sepse pushteti iu ka harrua, e vetun vështirë me ba art.
Nga sonte ju do t’hani n’sofrën time si vllau im, si baba, si aktori pa skenë dhe biseduem gjatë e gjatë për andrrat skenike që e mundonin.
Me foli për babën që njisoj si ky kishte qenë i kangës dhe dasmave Ulqinake e “dum sharavellit” që pak kisha ndëgjua.
Me foli për shfaqjën e parë për Servantesin që ky, pa shkollë rregjizure, si nji gastronom i thjeshtë e kishte vu n’skenë.
I duhet kulturë këtij qyteti m’tha, u duhet fëmijve tanë. Ne shesim bukë e shtratie, por nuk bahet bukë diniteti tha.
E foli me aq pasion për shfaqjën e dytë “Nanën” sa harrova ta ha peshkun Koc, që e shoqja e tij na e kishte përgaditë atë natë.
I thashë vetës, ku mbet pasioni im i dikurshem për teatrin!
A mos vallë paska lundrua detit e ardhë këtu n’Ulqin tek ky njeri!
E harrova për pak çaste edhe mallin që m’digjte për Bubën tue shikua rregjizorin- gastronom, tue folë për shfaqjën e tij e andrrën me ba edhe nji film.
Thashë, sa mirë me jetua me andrra dhe iu falenderova për darkën.
M’tha natën e mirë, por mos harro se çdo mengjes t’pret kaftjalli, por edhe unë me t’pas njiherë n’shfaqjën time!
Vetëm t’marrim frymë thash, se gjithçka bahet!
Ju edhe mund ta keni pa Munibin e Teatrit Teuta, por unë kurrë se kisha pa.
Të nesërmen u vuna pas gjurmëve të sime bijë atyne mija shkallave që çojnë buzëdeti.
A e gjeta hijen e saj tek Akuariusi apo Ibiza, iu flas njiherë tjetër, por Galën e lash tue kërkua plazhave!

/Marrë nga faqja e autorit/

By admini