Kryesia e Forceë së Re Demokratike – FORCA, në mbledhjen e mbajtur më 21 prill 2018. emëroi drejtorin politik Prof. dr. Ilir Çapunin.
Ilir Çapuni ka lindur më 28 maj 1978 në Ulqin, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Arsimin e lartë e ka kryer në Universitetin e Malit të Zi në fakultetin e shkencave të matematikës në Podgoricë, mësohet nga Zyra e shtypit e Forcës së Re Demokratike – FORCA.
Doktoraturën në shkencat kompjuterike i ka mbaruar në universitetin e njohur të Bostonit në vitin 2012. Është themelues i gazetës “Kronika” në gjuhën shqipe në vitin 1998, ku punoi si udhëheqës dhe kryeredaktor.
Nga viti 2003-2006 ka punuar si asistent mësimdhënës në fakultetin e shkencave të matematikës në Podgoricë dhe në Boston. Nga viti 2013 ka punuar në Tiranë si profesor i shkencave kompjuterike. Aktualisht është duke punuar në Qendrën për Studime të Avancuara Kompjuterike në Universitetin e New York në Tiranë. Gjithashtu është ligjërues në këtë universitet.
Eshtë zhytësë aktiv dhe instruktor zhytjeje. Ka marrë pjesë dhe ka udhëhequr disa ekspedita nënujore në të cilat janë zbuluar dhe eksploruar anije të fundosura më rëndësi të madhe historike. Njëra nga këto është edhe luftëanija Regina Margherita dhe vapori Brindisi në Vlorë dhe Shëngjin respektivisht.
Ai është gjithashtu babai i dy fëmijëve.