Shkruan Nikë Gashaj

 

                                  Ngritja e masave dhe kriza e elitave

 

Shekulli XX ka filluar në shenjë të zgjimit të masave, kurse themeluesit e psikologjisë dhe sociologjisë së masave, sikurse thotë profesori Serge Moskovici, nga universiteti i Cambridges kanë qenë të bindur se masat do të triumfojnë. Mirëpo, ka ndodhë që, një pjesë e madhe të shekullit të kaluar kaloi në shenjë të liderëve politikë të fuqishëm dhe karizmatikë, sikurse kanë qenë: Lenini, Stalini, Musolini, Mao Ce Duni, Kastro etj.

Këtu raporti midis masave dhe liderëve nuk paraqet një kundërthënie reale, sepse masat dhe liderët në esencë janë dy fytyra të një dukurie. Sikurse liderët që për suksesin e tyre më së tepërmi duhet t’i falenderohen  procesit të “masifikimit” (“të shndërrimit të qytetarëve në masë” ose sikurse ka thënë Le Bon në “grumbull – turmë”), ashtu edhe masat kërkojnë dhe i gjejnë liderët të cilët u përgjigjen. Ndërkaq, në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit XXI, sikurse po përsëriten dukuritë e kohës së kaluar historike.

Masat përsëri janë zgjuar dhe po ngriten. Në shoqëritë e zhvilluara industriale dhe demokratike të Perëndimit gjithnjë e më tepër ka qytetarë të pakënaqur, të cilët nevojën për ndërrimin e gjendjes ekzistuese e tregojnë nëpërmjet të shoqatave dhe iniciativave të shumta qytetare. Jemi dëshmitarë të një rritjeje të madhe të lëvizjeve të reja dhe të ndryshme shoqërore, si dhe formave të tjera të organizimit jopolitik, joqeveritar dhe joprofitabil.

Dhjetëvjetëshi i fundit në këto shoqëri ka kaluar në shenjë të përhapjes dhe të intensifikimit të madh të lëvizjeve shoqërore dhe grupeve të ashtuquajtura alternative neofeministe, antinukleare, paqësore, ekologjike etj. Iniciativat dhe lëvizjet për të drejtat e njeriut, për shkollën e re, për medicinën alternative, lëvizje për përkrahje psikologjike, lëvizje për teknologji alternative dhe energji, për ushqimin e shëndoshë, për trupin e shëndoshë, lëvizjet e grupeve pakicë seksuale, lëvizjet neoreligjioze të llojeve të ndryshme.

Të gjitha këto forma të organizimit shoqëror përmbajnë në vete në mënyrë eksplicite ose implicite idenë komplementare të të drejtave të pakicave, në mënyrën e vet ato përmbajnë edhe stilin edhe botëkuptimin e jetës.

 

                                                Turri i masave

 

Ish vendet socialiste të Europës Qëndrore dhe Lindore në kalim prej vitit 1980 e këtej i ka kapur një valë e vërtetë e ndërrimeve masive demokratike politike për të cilat zakonisht përdoret nocioni “revolucioni pluralist”. Pa një presion demokratik nga poshtë dhe pa një refuzim të dëgjuashmërisë së masave, rënia e regjimeve politike nuk do të kishte qenë as aq shpejt, as pa paqësore.

Ngritja e masave nuk i ka kursyer as vendet e shumta të botës së tretë. Nën presionin demokratik të masave kanë përfunduar diktatura të shumta ushtarake në Ameriken Latine. Në Afrikën Jugore para vrullit të shumicës së popullatës zezake definitivisht ka rënë regjimi i aparthejdit. Ndërkaq as turri i masave nuk ka gjithmonë cilësi pozitive. Në disa vende të Azisë dhe Afrikës një pjesë e masave është e perfshirë me një influencë të madhe të religjionit, çka jep një bazë sociale në dukurinë e fundamentalizmit fetar (çka veçanërisht i karakterizon disa vende islamike).

Në disa vende të Perëndimit një pjesë e pakënaqësisë së masave kanalizohet edhe në drejtim të grupacioneve ekstreme politike, pastaj formacionet politike të së djathtës ekstreme përfitojnë një përkrahje të gjërë dhe të papritur në trupin elektoral (shembulli, Lepen në Francë).

Ajo çka më së tepërmi shqetëson dhe brengos është platforma politike në bazë të së cilës arrihen rezultatet e tilla, platformë ajo e cila përmban qëndrime të shumta neofashiste në pikëpmaje të të drejtave të qytetarëve të huaj, veçanërisht të punëtorëve si dhe në pikëpamje të pakicave.

Ndonëse shumica e atyre shoqërive e kanë shpallur multikulturalizmin si vlerë të lartë dëshiruese, në jetën praktike mund të vërehen tendencat që të drejtat e pakicave shoqërore të profileve të ndryshme të vihen në pyetje.

 

                                       Mungesa e liderve të mëdhenj

 

Në të njëjtën kohë, në horizontin politikë botëror nuk ka lider të mëdhenj politikë, madje as politikanë të formatit të gjerë, të cilët me vizionet e veta do të mundeshin të afrojnë përgjigje strategjike mbi çështjen se kah po shkon bota sot. Në qiellin politik bashkëkohor nuk ka asnjë yll që mund të krahasohej me shkëlqësinë e Ruzveltit, Çërçilit, De Gollit, Kenedit ose ndërkaq, të Gandit, Titos, Nehrit. Ajo mungesë është dhe aq më e rëndë duke qenë se pikërisht bota sot kalon nëpër një periudhë shprehimisht të lëkundshme, jostabile dhe me konflikte.

Sikurse po marrim pjesë në një krizë të përgjithshme elitare të tipit të vjetër, ndërsa format e reja të reprodukimit të elitave akoma nuk janë të vendosura. Kriza e elitave në praktikë manifestohet si krizë udhëqjes, prandaj në analizat neokonservative dhe postkomuniste mund të vërejmë vlerësimet mbi kapacitetet e zvogëluara të udhëheqjes ose të drejtimit me shtetet bashkëkohore.

Në anën tjetër, sikurse përsëri po marrim pjesë në zgjimin e masave dhe në daljen e tyre në skenën shoqërore dhe politike. Por kësaj here, për dallim prej fillimit të shekullit të kaluar ngritja e masave ka një cilësi specifike. Masat paraqiten në skenën shoqërore jo në formë amorfe, por parimisht, nën shenjën e përkatësisë së vet etnike.

Zgjimi i sërishëm i ndjenjave nacionale dhe forcimi i lëvizjeve nacionaliste paraqet njërën nga karakteristikat e rëndësishme të dhjetë vjetëshit të fundit. Trendi i tillë është ngusht i lidhur me procesin i cili mund të quhet etnifikimi i politikës.

 

                          Mobilizimi i resurseve të identiteteve kombëtare

 

Implozioni i socializmit ka shkuar në mënyrë simultane me eksplodimin e nacionalizmit. Shkatërrimi i socializmit, veçanërisht në shoqëtritë multietnike dhe shtetet federative, pjesërisht ka qenë i shkaktuar, dhe gjithsesi i shpejtuar, nën presionin e një vale të re dhe të fuqishme të nacionalizmit. Njëri nga historianët më të njohur, Erik Hobsbaum, nacionalzimin bashkëkohor postkomunist e ka quajtur nacionalizëm separatist.

Nga ana tjetër, rënia e socializmit ka pasur edhe domethënien e rënies së një sistemi të tërë të vlerave, çka ndër të tjera e ka hapur dhe shtuar krizën e identitetit kolektiv. Nacionalizmi është në të vërtetë njëri nga përgjegjësit mbi krizën e identitetit kolektiv, që i ka kapur shoqëritë e shumta bashkëkohore.

Në shoqëritë ekskomuniste liderët dhe elitat e reja politike e kanë grabitur atë resurs të identitetit, të cilin e kanë pasur më së afërmi dhe më së lehti për ta aktivizuar. Mirëpo, duhet të theksojmë se as masat nuk janë krejtësisht të pafajshme dhe sjelljet e tyre të shpeshta militante, agresive dhe jotolerante, janë së gjithash ndaj pjesëtarëve të kombeve të tjera nuk mund të jenë të shpjeguara dhe të arsyetuara.

Mobilizimi i resursit të identitetit nacional ka qenë i mundur edhe për shkak të instrumentalizmit relativisht të lehtë të ndjenjave nacionale për sendërtimin e qëllimeve politike të caktuar dhe para së gjithash redistribuimin dhe alokacionin e ri të forcës politike dhe për vendosjen e formave të reja të dominimit politik.

Teza e sociologut të njohur politik nga Gjermania, Claus Offe, mbi etnifikimin e politikës (“ethnification of the politics”) në një mënyrë shumë adekuate e shpjegon atë çka veçanërisht ndodh në shoqëritë në tranzicion. Autori në fjalë tregon se etnifikimi i politikës paraqitet si diçka tragjike në mikroplanin individual dhe në makroplanin kolektiv.

Teza mbi etnifikimin e politikës e zhvlerëson besimin, i cili ka qenë gjerësisht i përhapur se koha e nacionalizmit ka kaluar përgjithmonë dhe se tani gjendemi në periudhën e shoqërive multinacionale dhe multikulturore dhe që po ashtu jemi në prag të erës postnacionale.

Në qoftëse e pranojmë intencën e tezës mbi etnifikimin e politikës atëherë duhet të pyesim, a ekzistojnë disa arsye të thella të rritjes së re të nacionalizmit, i cili gjithsesi është më evident në vendet postkomuniste, por si fenomen është i pranishëm edhe në shumë vende të demokracisë perendimore.

 

 

                     Manifestimi i përleshjeve ndërnacionale si konflikt i identiteve

 

Në kushtet e etnifikimit të politkës vijat kryesore të ndarjeve politike dhe format kryesore të përleshjeve kryesore, bëhen konflikte të identiteteve kolektive. Për dallim prej konflikteve të zakonshme të interesave të ndryshme, konfliktet e identiteteve (në këtë rast konfliktet etnike) kanë disa cilësi specifike, të cilat kanë mundur të vërehen qartë në mapën e konflikteve të ish Jugosllavisë socialiste.

Cilësia e parë dhe më e dukshme e konfliktit të identiteteve në përgjithsi, ndërsa të konflikteve etnike veçanërisht, është një ngarkesë e madhe emocionale, një novel i lartë i pasioneve dhe i ndjenjave të të gjithëve, ose të shumicës së akterëve të përzier në konflikt.

Mu për këtë arsye ato lloje konfliktesh shpesh, në mënyrë jo adekuate, quhen konflikte iracionale. Ndarja sipas së cilës konflikti i interesave materiale i takon grupit racional, ndërsa konfliktet ndëretnike i përksain grupit të përleshjeve iracionale nuk është e saktë, sepse nuk është fjala mbi kundërshtimet dhe dallimet mbi cilësitë racionale apo iracionale të konflikteve, por për faktin se për kuptimin e konflikteve etnike komponenta racionale nuk është e mjaftueshme.

Përndryshe, emocionet dhe përmbajtjet e tjera të pranishme mbi këtë lloj të konflikteve nuk duhet të jenë, parimisht ato as nuk janë iracionale. E dyta, në konfliktet e identiteteve si ato individuale dhe kolektive, shpesh mund të vërehet gadishmëria e palëve ne konflikt të sakrifikojnë interesat e veta ekonomike dhe të tjera (madje dhe jetën) nëqoftëse e vlerësojnë se realisht ose potencialisht iu është rrezikuar identiteti.

Ashtu ndodh që sjelljet e akterëve në konfliktin ndëretnik na duken iracionale, si dhe drejtpërsëdrejti të dëmshme për ata vetë, ndërsa në të njëjtën kohë aketerët në konflikt ose ato të cilët e mbrojnë pozicionin e tyre, gjejnë arsyetime për sjelljet e tilla duke u thirrur në pozicionin dhe pikëpmajet emotive, morale dhe historike, apo të një sistemi të vlerave në përgjithësi.

Cilësia e tretë e këtyre konflikteve lidhet me atë të sipërpërmendurin. Prania e pasioneve dhe e ndjenjave me një intensitet të lartë, e kushtëzon dhe e shpjegon pjesërisht faktin se fjala është për tipin e konflikteve që mund të quhet eskluziv.

Ato janë konflikte shoqërore të cilat parimisht i përkasin tipit të konflikteve ose/ose, respektivisht janë konfliktet në të cilat shkalla e eskluzivitetit është jashtëzakonisht e madhe, në njërën anë ndërsa niveli i tolerancës në anën tjetër, është shumë i ulët.

Përndryshe, rrezikimi i identitetit social të ndonjë grupi shoqëror shpie deri te reaksione të ngjashme si dhe situata të rrezikimit të identitetit të individit, i cili angazhohet me tërë fuqinë e vet për mbrojtjen e identitetit personal.

 

 

 

                             Etnifikimi i politikës dhe pakicat kombëtare

E katërta, cilësi me rëndësi e konfliktit të identiteteve, në kuadër të saj dhe të përleshjeve ndërnacionale apo etnike është edhe prania e rolit të frikës. Ajo është frika nga tjetri, frika nga grupi etnik i cili konsiderohet si kundërshtar. Dhe sikurse në organizimin e njëriut elementet e kanosura në situatat e rrezikshme me të shpejtë bëjnë sekrecion apo tajitjet e disa lëngjëve nga gjëndrrat e trupit, ashtu edhe në indin shoqëror disa bashkësi në kushtet e frikës bashkojnë një energji sociale, e cila pret për të eksploduar. Pa marrë parasysh se a është frika e arsyeshme ose siç ndodhë nganjëherë që ajo të rìtrillohet dhe të imagjinohet, ajo bëhet njësoj një fakt real dhe objektiv, i cili dikton sjelljen e grupeve etnike në konflikt. Konfliktet ndëretnike në hapësirën e ish – Jugoslavisë socialiste janë shembull i shkoqitur dhe i qartë që e verteton këtë. Një komponent i rëndësishëm i frikës është situata e pasigurisë, e cila bën një presion të rëndë në gjendjen psikike të njerëzve.

                               Kërkesa për vetëvendosje nacionale

 

E pesta, për arsye të një logjike të konflikteve të tilla “krejt ose asgjë”, hapësira për të gjetur një emërues të përbashkët ose zgjidhje kompromise është rreptësisht e zvogëluar, është vështirë për ta definuar dhe më vështirë për ta realizuar. Parimisht, ato janë situata në të cilat minimumi i kërkesave të njërës palë në konflikt kërkon lëshime apo koncesione maksimale të palës tjetër në konflikt. Një shembull tipik për këtë është kërkesa për vetëvendosje nacionale deri te ndarja apo shkëputja e cila në hapësirën e ish – Jugosllavisë socialiste palët në konflikt shpesh i ka prurë në një pozicion shumë të pavolitshëm përkitazi me mundësinë e zgjidhjes së konflikteve. Për ish republikat e Jogosllavisë dhe ish krahinat autonome të Kosovës, të cilat kanë dëshiruar të bëhen shtete të pavarura, kërkesa për vetëvendosje, nga këndi i shikimit të tyre ka qenë i arsyeshëm dhe legjitim.

Nga pikëpamja e të gjitha atyre forcave sociale, politike, nacionale dhe ushtarake në krye me udhëheqësinë shtetërore të Serbisë, të cilët gjoja e kanë mbrojtur unitetin dhe sovranitetin e bashkësisë së mëparshme shtetërore Jugosllave, kërkesat e tilla kanë qenë të cilësuara si secesioniste dhe të papranueshme.

Është e kuptueshme se ndërmjet atyre dy pikëpamjeve dhe qëndrimeve ka qenë vështirë që të vihet deri te zgjidhja kompromise, ashtu që të gjitha projektet mbi “federatën asimetrike”, “federatën -konfederatën” dhe “konfederatën” dështuar relativisht lehtë.

E gjashta, konfliktet e identiteteve, veçanërisht konfliktet ndëretnike kanë paraqitur një veprim të rrezikshëm, të dëmshëm dhe shkatërrues, të cilat nëpërmjet një induksioni social i forcojnë ato ndjenja të cilat i kanë nxitur.

Njëra nga manifestimet e saj është edhe një zgjerim dhe përhapje e një sëmundjeje ngjitëse të solidaritetit të një rrethi më të gjërë të popullatës sesa ata të cilët me të drejtë do të mund t-i quajmë nacionalistë.

E shtata, konfliktet etnike në hapësirën e ish Jugosllavisë kanë treguar se pjesa e atyre që kanë marrë një pozicion neutral në konflikt ka qenë më i vogël dhe se me zhvillimin e konflikteve grupacioni i tillë e ka pasur gjithnjë e më të vështirë, veçanërisht ka qenë vështirë të mbetet neutral atje ku intensiteti i konflikteve ka marrë përmasa të mëdha.

E teta, në natyren dhe në tiparet psikologjike të këtyre llojeve të konflikteve është e ndërtuar spiralja e rritjes, të cilën ka qenë vështirë për ta ndalur. Me fjalë të tjera, në qoftë se konflikti zgjat, atëherë ai fiton një përkrahje sociale më të madhe.

Ajo më tutje do të thotë se lloji i tillë i konfliktit është më lehtë të neutralizohet apo të amortizohet në fazat fillestare sesa më vonë.

E nënta, konfliktet e identiteteve, në rradhë të parë konfliktet ndërnacionale, fare lehtë mund t-i shmangen kontrollit. Historia është plot shembuj të cilët tregojnë se madje edhe ata të cilët e kanë nisur, ose që kanë dashur që me konflikte të tilla të manipolojnë, pas kalimit të një pragu të caktuar nuk janë në gjendje që një konflikt të tillë ta kontrollojnë apo ta ndalin.

 

                                              Roli i fjalës dhe i simboleve

 

E dhjeta, në konfliktin e identiteteve, veçanërisht në përleshjet ndëretnike, roli i fjalës dhe i simboleve është i madh. Dëmet që mund t’i sjellin fjalët e pamatura mund të bëhen të pakompensueshme dhe të pandreqshme.

Ndoshta efektet më negative paraqesin simbolet, veçanërisht ato që janë të ngarkuara me përvojat dhe memorien negative nga e kaluara historike. Përdorimi i simboleve çetnike dhe ustashe e ka bërë të themi, konfliktin midis serbëve dhe kroatëve më tragjik dhe e ka vështirësuar zgjidhjen. Të gjtha këto cilësi apo karakteristika kanë qenë të pranishme në konfliktet ndërnacionale në truallin e ish – Jugoslavisë socialiste dhe janë një vërtetim i pamohueshëm i vlerësimin mbi politikën e etnifikuar.

 

                                       Multikultura dhe demokracia

 

Për arsye të problemeve praktike dhe vështirësive me të cilat janë ballafaquar shoqëritë multikulturore dhe multietnike në prcesin e tranzicionit nga socializmi real në shoqëritë postkomuniste, e veçanërisht për shkak të shpërbërjes së tri ish -federatave socialiste (Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia dhe Jugosllavia), shumë autorë janë të gatshëm të nxjerrin përfundimin se multikultura dhe demokracia janë në konflikt ose më saktësisht se multikultura është faktor kufizues dhe pengesë për demokracinë.

Analiza e mëparshme mbi këtë kontekst ofron disa elemente për konkluza të tilla, mirëpo është e nevojshme të theksojmë se ajo është e mundshme vetëm në kushte të caktuara dhe vlenë vetëm në rrethana specifike. Rrethanat e tilla janë, para së gjithash, të lidhura me procese të cilat i kemi quajtur dhe përshkruar me santagmën “etnifikimi i politikës”.

Në kohët normale, ndërkaq, multikultura më tepër e favorizon sësa e pengon zhvillimin e demokracisë. Më së pari, në vetë konceptin e multikulturës përmbahet ideja e pluralizmit, e cila është njëra nga cilësitë qenësore të demokracisë. Pastaj, multikultura supozon një nivel të caktuar të tolerancës, të respektimit të llojllojshmërisë dhe të njohjes e të pranimit të tjetrit, në mënyrë që të mundësohet sendërtimi i jetës së përbashkët.

Toleranca, ndërkaq, është njëra nga supozimet e domosdoshme të të gjitha demokracive. Më në fund, në mjediset multikulturore spektri i të drejtave demokratike është më i gjërë, sepse krahas të drejtave individuale, kërkohen edhe të drejtat përkatëse kolektive të grupeve kulturore dhe etnike. Mu për atë arsye përfundimi është se multikulturalizmi paraqet një pengesë për demokracinë vetëm në kushte të caktuara: në kushtet e entifikimit ekstem të politikës dhe në kushtet e ngushtimit të kuptimit liberal të demokracisë, që kyç apo përfshin vetëm të drejtat individuale të qytetarëve.

Ato janë kushtet kur pluralizmi i vërtetë politik redukohet dhe transformohet në pluralizmin etnik. Në atë situatë fjala është për kthimin e bashkësisë politike në një bashkësi parapolitike. Ato janë ato situata në të cilat koncepti i shumicës dhe pakicës politike (i cili në demokraci është një raport i ndryshueshëm) transformohet në një shumicë dhe pakicë konstante në kuptimin etnik. Etnifikimi i politikës, në të cilin shpesh kanë marrë pjesë edhe partitë politike të pakicave kombëtare, nuk e ka favorizuar dhe lehtësuar përmirësimin e pozitës së pakicave etnonacionale dhe ndikimin e tyre në proceset politike.

Sado që tingëllon befasues dhe paradoksal, etnifikimi i politikës ka pasur pikërisht një efekt të kundërt në pozitën politike reale të të gjitha kombeve të cilat në një shoqëri apo pjesë të saj janë në pakicë. Kjo ndodh për shkak se siç thotë teoricieni anglez George Schoepflin, “qëllimi i fundi, natyrisht i paarritshëm i ideologjive nacionaliste, është ëndërr – ose det i natës – mbi shtetet e pastër etnik”. Edhe pse, te formimi i kombeve, sikurse thonë historianët, nacionalizmi i paraprin kombit, kur është fjala për pakicat kombëtare situata është e kundërt- kombi i paraprin nacionalizmit.

 

                       Konflikti ndërmjet shumicës dhe pakicave

 

Sikurse te çdo e drejtë e pakicave, që nuk kemi të bëjmë me të drejtat e pakicave kombëtare vërehet edhe më qartë – ekziston instalimi i konfliktit ndërmjet interesave të shumicës, të cilat i përfaqëson shteti (dhe i cili, objektivisht, e favorizon kombin shumicë) dhe interesave të pakicave (përfaqësimi i të cilave gjithëherë dhe objektivisht, pra jo vetëm subjektivisht, është i vështirësuar).

Në qoftë se një relacion i tillë, potencialisht konfliktuoz, fiton edhe cilësi të konfliktit të identiteteve kolektive (në baza të ndjenjave të përhapura mbi rrezikimin objektiv ose të supozuar, të imagjinuar dhe të trilluar të identitetit, të njërës apo tjetrës palë), për çka tashmë është bërë fjalë, atëherë konflikti është i pashmangshëm dhe fiton shumë përmbajtje dhe karakteristika emotive dhe iracionale.

Në qoftë se konflikti i identiteteve nacionale e kalon një prag të caktuar të tolerancës, zgjidhja e tij në kuadër të një politike normale, e kuptuar si harmonizim i interesave të ndryshme, bëhet shumë e vështirë. Madje edhe nën supozimin se aranzhmanet politike të shoqërisë në tranzicion janë me kapacitete dhe potenciale shumë më të mëdha sesa që janë objektivisht (duke marrë parasysh nivelin relativisht të ulët të kulturës politike, të ngarkuar me një trashëgimi nga e kaluara e afërt apo e largët etj.), do të ishte optimizëm i tepruar të pritet se mund të merren shpejt, lehtë dhe me sukses me problemet e nacionalizmit dhe të etnifikimit të politikës. Llogarinë më të madhe të një mossuksesi të tillë e paguajnë gjithësesi pakicat. Veçanërisht ajo vlen për shoqëritë në të cilat tendencat autoritare janë shumë të forta dhe të cilat oscilojnë ndërmjet “demokracive despotike” dhe të “despotive demokratike”.

 

              Dalja nga situata e pavolitshme- realizim i strategjisë komplekse

 

Për të dalur nga një situatë aq e pavolitshme është e nevojshme që të realizohet një strategji komplekse, dhe pikërisht në nivele të ndryshme. Në nivelin e rendit kushtetues-juridik është e domosdoshme të vendoset një balancë ndërmjet të drejtave individuale të qyteteve dhe të drejtave kolektive të grupeve etnike, si dhe njëfarë baraspeshe ndërmjet të drejtave sovrane të shtetit dhe demokracisë së një shkalle të autonomisë etnike.

Në një plan të gjerë shoqëror është i domosdoshëm që nëpërmjet zhvillimit të shoqërisë civile të vendosen kushtet për zhvillimin e pluralizmit civil etnik në vend të etnonacionalizmit politik. Me fjalë të tjera në kushtet kur të gjitha partitë politike bëhen parti etnopolitike, është e nevojshme të bëhet ndërrimi i qendrës së rëndesës dhe i fushës së luftës për të drejtat e pakicave kombëtare nga një sferë e ngushtë politike në një plan më të gjërë shoqëror. Përkundrazi, partitë etnopolitike të pakicave nuk kanë gjasa dhe shpresa të mëdha për sukses në zgjidhjen e çështjes së pakicave kombëtare.

Të përfundoj: etnifikimi i politikës dhe jo multikulturalizmi si i tillë, është njëra nga sfidat më të mëdha për demokracinë bashkëkohore. Teoria demokratike moderne nuk ka përgjigje adekuate për çështjet të cilat dalin nga procesi i politizimit të etnicitetit dhe të etnifikimit të politikës. Për këtë arsye, si zgjidhje optimale mund të jetë zhvillimi i etnicitetit civil, në vend të etnicitetit të politizuar nacional – dhe ajo duhet të vlejë për të gjitha grupet etnike, pavarësisht se a u përkasin kombeve shumicë apo pakicave kombëtare.

 

 

By admini