Basri Çapriqi, në krye të vendit të poezisë shqipe
Kurrë në jetën time nuk do të doja ta filloja ta shkruaja një shkrim për TY Basri, për këtë arsye.
Aktualisht gjuha shqipe e ka të vështirë të gjejë një epitet që do të përmbledhë thellësinë dhe gjerësinë e humbjes për ikjen nga kjo jetë të Basri Çapriqit.
Përmendja vetëm e emrit të tij flet vetë dhe shumë. Gremina dhe hone në zemrat tona: si në planin personal të familjes së tij, të miqve të tij (eh çfarë miku e vëllai ishte ai-e dinë vetëm ata që e njohën mirë), sikurse edhe për kulturën, shkencën, mësimdhëmdhënien, indentitetin shqiptar e evropian, mendimin e lirë.
Poezia shqipe, muzat e saj janë të përlotura, ato nga kjo botë po përcjellin një nga enjujt e saj, poetin Basri Çapriqin, për ta ngritur në botën e përjetshmëve atje ku banojnë: Lagushi, Migjeni, Podrimja.
58-vjet të Basri Çapriqit? Sa pak! Shumë pak: për Nënën tënde, për Bindin, Bulzën e Sazanën, vëllain, motrën, për të gjithë të afërmit e farefisin, për miqt e tua që i njohe e të njohën, që i deshe e të deshën, për lexuesit e zgjedhur të poezisë tënde që s’i njihje, por të njihnin. Ti Basri për të gjitha këta ishe Modeli që duhet ndjekur sepse kishe dashuri, mirësi, kulturë, dije, qytetërim, inteligjencë, sepse Ti ishe SHPIRT NJERIU, para së gjithash.
Pak, tepër pak, 58 vjet për një Njeri si Ti. Në kohën kur me shpirt të trazuar për shëndetin tënd, prisnim të ktheheshe në jetën normale pas sëmundjes…Ti u shembe…O Perëndi pse e merr të Mirin, të Bukurin, të Diturin, a merret për vete Poeti?
Basri Çapriqi që për ne ishte Frymëzuesi! Ne të prisnim në Ulqin të vije dhe të bisedonim, ashtu siç veç Ti dije. Sepse Ti kishe fuqinë të artikuloje xhevahirë. Sepse, sidomos disa nga Ne, Ty të kishim pranë edhe kur nuk ishe me ne fizikisht, me Frymën tënde.
I dashur Basri, a është e mjaftueshme të thuhet kjo për Ty?
Ti, Arkiteti i poezisë shqipe të fundshekullit të kaluar dhe fillimshekullit të ri. Kur shumica e poezisë shqipe të kohës, kur u shfaqe Ti, ishte e ngarkuar me figuracionin e përsëritur, Ti i dhe asaj aromën e papapërsëritshme të detit, apo më vonë atë irononinë e deriatëhershme të paparë, për ta zgjuar poezinë shqipe nga një gjumë letragjik, duke e emanacipuar atë, për ta bërë të krahasueshme me poezinë e gjuhëve të mëdha.
Basri, unë i dëgjojë rënkimet e “Ullirit me dy mijë unaza” për ty: në Ulqin dhe Tivar, Durrës dhe Sarandë, Strugë e Artë e deri në Kalabri e Sicili. Kurse Liria, ky nocion e kjo ndjenjë themelore e njeriut, do të vuajë pa Ty: pa Fjalën tënde, pa Vargun Tënd. Basri, Ti në poezinë tënde shprehesh: “kontributi im për lirinë është zero”. Por ne e kemi kuptuar, e kemi parë, jemi dëshmitarë se Ndihmesa jote për lirinë është një shifër e lartë matematikore.
Basri, ti arrije të bashkoje të pabashkueshmit. Me atë moskokçarjen tënde luksoze sfidoje edhe të pasfidueshmet: metodat letrare, ndonëse ishte studiues i tyre, stereotipet, pushtetet, regjimet, idhujt e rremë…
Basri, ti ishe në majat e Shqiptarisë, në fushë të letërsisë, eseistikës, studimeve, kritikës letrare, publicistikës, mësidhënënies, oratorisë. I kishe ndërtuar me kohë këto kulme dhe nuk zbrite asnjë herë nga to.
Basri, ti për Ulqinin, për shqiptarët në Malin e Zi ishe dhe do të mbetësh Njeriu më i rëndësishëm në fushë të kulturës, letërsisë, mendimit të lirë, ajo urëlidhja e pazëvendësueshme me piemontin e shqiptarëve në Malin e Zi, Prishtinën. Ti i ndihmove, i frymëzove breza të tërë, sidomos të rinjtë, por edhe miqtë e tu në rrugën e dijes, kulturës, me fjalë dhe me vepra. Basri gjithnjë, kur ta përmendnim emrin, në Prishitinë, Tiranë, Shkodër, a Tetovë dëshironim që të identifikoheshim me ty, sepse Ti ishe dhe do të mbetesh Ai që duhet parë sesi e jetoi jetën dhe çfarë i la prapa kulturës, letërsisë, indentitetit kombëtar shqiptar dhe jo vetëm atij.
Miku im Basri, Ti tash je ngritur në qiell dhe je duke hedhur “Vallen e yjeve” së bashku me yjet e tjerë të poezisë shqipe dhe do të ulesh në Krye të vendit të kësaj poezie.
Basri, a ka ndjenjë që shprehet më fuqishëm dhe më pastër për një mik se sa lotët, që nuk janë vetëm në dukje, por qan shpirti për Ty… Pushofsh në paqe!
Haxhi Shabani