Nga Gjekë Gjonlekaj/New York

 

 

Në Triesh në mbledhje të ndryshme, në morte dhe në ndëjat e katundit pasdarke, burrat flisnin shumë për të kaluarën e vendit dhe për personalitetet që kishin lënë gjurmë në historinë shumë-shekullore të kësaj treve arbërore.Shumicën e kohës bisedonin për ata që kishin shkuar në amshim. Nuk e dijë pse por në Triesh nuk flitej shumë për ata që kanë vrarë e prerë siç ishte në traditën shumë të egër ballkanike. Në ato mbledhje flitej shumë për qëndresa e mbrojtje por jo aq shumë për sulme. Atje flitej e këndohej më shumë për ata që ishin flijuar në mbrojtje të tjerëve. Në kuvendet e Trieshit nuk flitej shumë për të pasurit. Temat kryesore të bisedave ishin: dituria, nderi dhe karakteri i grave dhe burrave malësorë. Besa, bujaria dhe burrëria ishin si një trini e shejtë. Atje në Triesh bile edhe në shtëpinë time gjetën streh e mbrojtje disa malësorë që ndiqeshin për gjak. Pranimi i tyre në shtëpi ishte përgjegjësi e madhe. Ne si fëmijë dëgjonim porosi natë e ditë që të mos tregonim kush është në shtëpinë tonë. Në Triesh mbrojtja e mikut ishte kulmi i përgjegjësisë morale. Mbaj mend në shtëpinë tonë në krye të oxhakut një burrë shumë të dukshëm dhe të qetë. Mbante musteqe të mëdha. Ai ishte Prelë Tomë Pretashi-Berishaj. Mbajë mend edhe nipin tonë Nikë(Nisho) Marashin Lulgjuraj. Nishi ishte djal i ri dhe me të kishim probleme sepse largohej nga shtëpia pa lëjen tonë. E bëntë këtë për t’u parë me ndonjë vajzë. Katundi ynë ishte i njohur për vajza të bukura.

Pavarësisht se jam larguar nga kjo trevë para shumë dekadash mbajë mend shumë nga ato biseda dhe emërat e shumë personaliteteve të atij vendi. Në atë kohë flitej më shumë për Marash Markun e Trieshit se për asnjë burrë tjetër. Para një gjysmë shekulli emëri i tij ishte lakuar më shumë se asnjë emër tjetër pas Gjergj Kastriot Skënderbeut për emërimin e shkollës tetëvjeçare të Trieshit. Natyrish se heroit tonë kombetar nuk mund t’i bënte kush sfidë dhe shkolla e Trieshit mori emërin e tij. Nuk e dijë pse por isha kurioz për të kaluarën e Marash Markut tonë. Varret e fshatit Nikmarash janë pranë rrugës kryesore dhe sot e kësaj dite më kujtohet një kryq mbi varrin e tij. Për këtë burrë të madh dhe të ashpër shumica flitej seriozisht. Marash Marku e kishte marrë pushtetin në Triesh në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,në kohën kur kjo trevë ishte pushtuar nga Mali i Zi. Forcat sllavo-malazeze e pushtuan Trieshin me dhunë. Si pasojë e dhunës që kishin ushtruar mbi popullatën e vendit shumica e popullësise ishte largua nga vendi. Refugjatët e Trieshit ishin vendosur në trevat e Malësisë së Madhe, të pushtuara nga Turqia. Qëndruan atje vite të tëra dhe u kthyen pasi Marash Marku dhe Knjaz Nikolla kishin arritur një marrëveshje për kthimin e refugjatëve trieshianë në tokën dhe shtëpiat e tyre, pavarësisht se ushtria malazeze kishte bërë dëme të mëdha në Triesh. Gjatë periudhës 7-vjecare të refugjatëve në Shqipëri Marash Marku kishte fituar mbështetjen politike të Knjaz Nikollës për sundimin pothuajse absolut të Trieshit. Knjazi I Malit të Zi i kishte dhënë Marash Markut gradën ushtarake kapedan, pavarësisht se nga të parët e tij kishte trashëguar titullin vojvodë. Baballarët e Marash Markut kishin qënë burra shumë të nderuar edhe në kohën kur kjo familje e permendur nuk kishte pas asnjë lidhje me Knjaz Nikollën. Babai i tij Mark Gjeloshin kishte qënë trim shumë i nderuar bile ai përmendet edhe në veprën e njohur të Mark Milanit “Shëmbuj Burrërie e Trimërie”. Mark Milani shkruan për incidentin e Mark Gjeloshit me Poj Ulën në Luj të Koritës. Gjatë atij incidenti shkaktar i të cilit kishte qënë Mark Gjeloshi, Poj Ula i lodhur dhe i varfër kishte reaguar ashpër kundër Mark Gjeloshit. Por trimi i permendur i Trieshit e kishte pranuar gabimin personal dhe i kishte kërkuar falje Poj Ulës. Ky ishte gjest fisnik i Mark Gjeloshit. Për autorin e permendur malazez Mark Milanin ky kishte qënë një shëmbull i shkëlqyeshëm njerëzor. Vëllazëria Gjeloshaj e Trieshit ka dhënë më shumë burra të përmendur se asnjë familje tjetër në Triesh. Njërin prej pinjollëve të kësaj familjeje e kisha njohur. Ai ishte Tomë Hasi, shumë i përmendur në Triesh. Tomën e kisha gjithëmonë në kujtesë, sidomos pas vdekjes tragjike të djalit të tij Kolës në moshën 20-e sa vjecare. Për fjalimin e tij në vdekjen tragjike të djalit flitet edhe sot. Babai i Tomë Hasit dhe Marash Marku kishin qënë djem axhash. Marash Marku permendet në studimet e juristit të madh kroat Prof.Dr.Valtezar Bogishiqit. Ky jurist kishte biseduar me Marash Markun për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në vitin 1972 në Prishtinë ishte ribotuar kjo vepër monumentale e kulturës shqiptare e kodifikuar nga At.Shtjefën Gjeçovi. Por këtij ribotimi i paraprinte një parathënje e shkëlqyeshme e juristit të madh të Kosovës Prof.Dr. Syrja Pupovcit. Në këtë parathënjeë Pupovci shkruan:
“Mirëpo, siç duket Bogishiqi prej shqiptarëve ka pyetur vetëm Marash Markun për Kanunin e Lekë Dukagjinit,madje shkurtimisht. Në shënimin e ruajtur të datës 6(18)tetor 1894 për këtë bisedë, në mes tjerash thuhet:”…..Marashi thotë se ligja nuk është e shkruar:Leka ka sunduar në Dukagjin dhe rreth tij(nahi e madhe).Ai paska shkuar e gjykuar prej fisit në fis, kështu që ajo që ka mbetur ështe më tepër mënyrë e gjykimit sipas tij se sa farë ligje. Edhe tani kur ndajn gjyq thotë: Ne gjykojmë ashtu si ka gjykuar Leka….Ai tha se sikur të mos ishte Skenderbeu ne do t’i humbnim armët dhe do të bëheshim rajë ( e do të humbnim –S.P edhe mënyrën e gjykimit sipas Lekës), dhe kështu ruajtëm një farë autonomie”.Përgjigjet që i dha Marsh Marku zgjojnë kureshtje edhe pse numri i tyre është i vogël”. Biseda e Marash Markut me juristin kroat që për një kohë të gjatë ishte ministër i drejtesisë në Mal të Zi, gjëndet në Arkivin e Bogishiqit në Cavtat të Kroacisë.
Marash Marku kishte bërë shumë për kthimin e rëfugjatëvë në Triesh. Ai kishte kërkuar garanci nga Knjaz Nikolla që refugjatëvë dhe popullit mbarë pas pushtimit t’u garantohej e drejta e gjuhës shqipe dhe e drejta e ushtrimit të fesë katolike. Marash Marku e kuptonte pushtimin,por e kuptonte edhe autonominë e plotë të vëndlindjes së tij. Qysh atëherë e sot kanë kaluar 140 vjet dhe Trieshi e ruajti me besënikërinë më të madhe gjuhën shqipe, dhe fenë e të parëvë.Edhe pse vepronte në kushtë të vështira politike midis Kuçit e Malësisë,Trieshi I qëndroi besnik traditës arbënore. Themelet e forta të kësaj autonomie i kishte vënë Marash Marku i Trieshit. Në Triesh nuk lejohej të folurit e asnjë gjuhe tjetër përveç shqipes, bile as gratë malazeze të martuara në Triesh nuk kishin të drejte të flisnin gjuhën e tyre. Nuk lejohej as ushtrimi i fesë ortodokse ose myslimane. Ky princ i Trieshit mbante lidhje me shumë udhëheqës shqiptarë dhe me kapedanë e vojvodë të Malit të Zi. Ai nuk kishte bërë kurrë kompromis në dëm të vendit. Marash Marku ishte mik me Mark Milanin por nuk e mësoi dhe nuk e foli kurrë gjuhën sërbe ose malazeze, edhe pse nëna e tij kishte qënë malazeze. Nuk fliste asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Autoritetet malazeze kërkonin që Marash Marku të mbante kapicën tyre në kokë. Ai nuk vuri kurrë në kokën e tij kapicën malazeze dhe nuk veshi uniformën e tyre. Knjaz Nikolla e Mark Milani kishin kërkuar ndihmën e tij ushtarake në sulmin e tyre në Nokshiq dhe në Plavë e Guci, por Marash Marku ishte zotuar që Trieshi nuk do të marrë pjesë kurrë në luftërat sllave kundër shqiptarëve. Ai e konsideronte Ali Pashë Gucinë vëlla të fisit dhe të gjakut. Trieshi në kohën e Marash Markut gëzonte autonomi të gjerë. Vetëm Mirdita mund të kishte një pavarësi të tillë. Kishte disa ngjajshmeri midis Derës së Marka Gjonit dhe Derës së Marash Markut. Marka Gjoni dhe Marash Marku ishin njohës dhe interpretues të njohur
të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Marash Marku në kushtet e atëhershme shoqërore dhe politike ishte i domosdoshëm për rëndin dhe qetësinë në Triesh. Ai sundonte me një dorë të fortë, bile në shtëpinë e tij kishte edhe burgun. Kapedan Marashi kishte në dispozicion roje të armatosura. Rojet e armatosura ishin nga Trieshi. Në raste të ndryshme ata bënin arrestime,duke i futur të akuzuarit në burg dhe pas një kohe të caktuar dilnin në gjyq para Marash Marku. Gjykatësi Marash bënte çdo përpjekje që vendimet gjyqësore të përfundonin të Triesh e jo në Cetinë, sepse atje mund të kishin më shumë pasoja. Të pandehurit i trajtonte në mënyrë dinjitoze. Pas përpjekjeve të sinqerta të këtij burri serioz shumë mosmarrëveshje ose edhe gjaqe përfundonin në pajtime. Marash Marku kujdesej edhe për ndërtimin e vëndit, sidomos për ndërtimin e krojeve, sepse Trieshi vuante për mungesë të ujit. Marash Marku kishte ndërtuar shumë kroje, bile edhe Kronin e Liqëthit, që ishte kroni më i madh i vendit. Ky ishte kroni kryesor i fshatërave Nikmarash dhe Budzë dhe nuk shterrej kurrë. Gratë e këtyre katundeve shkonin atje për të larë teshat, sidmos për festën “Zoja e Trieshit”. Marash Markun e nderonin por disa e kishin frikë. Ai nuk bënte kompromis me të keqen. Trieshi në kohën e tij kishte një autonomi të plotë. Ai sundoi një çerek shekulli dhe koha e sundimit të tij ishte periudha e një rëndi dhe qetësie të veçantë. Këtë burrë të famshëm e nderonin të gjithë, por jo gruaja e tij. Edhe për mosrepektin e saj flitej shumë në Triesh. Ajo ishte një Lady Makbeth që e kishte torturuar moralisht deri ditën e fundit të jetës. Trieshit i vinte keq për vuajtjet e këtij trimi legjendar. Vuajtjet e tij ishin pasojë e kodit fetar e moral të shqiptarëve. Thonë se në rrëfimin e vdekjes i kishte falur të gjithë armiqët por jo gruan e tij. Për këtë episodë të orëve të fundit të jetës kishte biseduar meshtari italian i Trieshit, Patër Gjuliani. Marash Marku nuk la trashëgimtar, çfarë kishte ndodhur me shumë burra të përmëndur të Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Ai kishte treguar trimëri të jashtzakonshme në luftëra kundër Turqisë. Marash Marku është emër i nderuar edhe sot pas 150 vjetësh. Vëllazëria Gjeloshaj ishte një dinasti e madhe. Trimat e kësaj dinastie mund të numrohen vetëm me dy shifra, por më i njohuri dhe më i nderuari ishte Marash Marku. Ai ka vdekur në vitin 1901 dhe qysh atëherë e sot nuk është bërë diçka serioze në fushën e studimeve për këtë fisnik të Malësisë së Madhe që kishte vepruar si një burrë-shteti. Shpresojmë që një ditë dijetarët e ndryshëm shqiptarë bëjnë punën e tyre dhe nuk lënë në terr këtë kolos malësor-shqiptar. Respekti dhe adhurimi i tij për Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe armët e Skëndërbeut tregojnë më së miri se kush ishte Marash Marku.

By admini