Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale “Twitter” dhe “Facebook” ka reaguar kundër qëndrimit të Presidentit maqedonas që nuk mandatoi qeverinë Zaev me pretendimin se platforma e partive shqiptare është përgatitur nga një vend tjetër.
“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, shkruan Rama.
Përgjigja e tij vjen pas akuzave që kanë ardhur kohët e fundit nga Shkupi zyrtar, se platforma e paraqitur nga shqiptarët në Maqedoni është fryt i ndërhyrjeve të Tiranës.
Ivanov doli para mediave në një konferencë për shtyp rreth orës 16:30, ku bëri publik vendimin e tij. “As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë. Sa të jem unë President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat askujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, tha ai.