Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanovic, tha se pret që vendi të bëhet pjesë e plotë e NATO-s gjatë një samiti në fund të muajit maj, transmeton REL.
Darmanovic i tha agjencisë Reuters se ka siguruar mbështetjen e plotë, 100 për qind, nga senati amerikan në Mal të Zi, për tu bërë pjesë ë aleancës veriatlantike.
Disa zyrtarë kanë shprehur dyshimet se presidenti amerikan Donald Trump mund të kundërshtojë këtë vendim, për shkak të dëshirës së tij për të përmirësuar raportet me Rusinë, që është kundërshtar i zgjerimit të NATO-s në Ballkan.
“E kuptojmë se presidenti Trump do të bëjë disa përmirësime të raporteve me Rusinë, por nuk shohim shenja të sakrificës së parimeve kombëtare të Amerikës”.
“Do të ndodhë 100 për qind”, tha ai.
Anëtarësimi në NATO është bërë temë e nxehtë në shtetet ish Jugosllave.
Javën e kaluar, zyrtarë në Podgoricë thanë se kanë prova se qeveria ruse po ndërhynë me një plan për zgjedhjet parlamentare në tetor.
Rusia ka kundërshtuar këto pretendime.