lumturimi-38-martireve-katolike
Nga arkivi

Nga Gjekë Gjonaj

Dy muaj  pas ceremonisë së shpalljes  shenjtëreshë  të  nobelistes shqiptare  dhe bijës së zgjedhur të Krishtit Nënë Terezës, e cila u mbajt në shtator të këtij viti  në Vatikan, Ati i Shenjtë Papa Françesku  i  ka  bërë edhe një dhuratë të veçantë   kombit shqiptar, duke  dekretuar 5 nëntorin 2016  si datë të lumnimit të  38  martirëve shqiptarë, dy peshkopë, priftërinj të shumtë, një seminariste e disa laikë,  të cilëve regjimi i egër komunist i  Shqipërisë ua mori jetën, por jo edhe dinjitetin, për mëkatin (fajin) e vetëm se ishin priftërinj dhe besonin në   fjalën e Zotit.

Kremtimi i lumnimit të martirëve shqiptarë, në mesin e të cilëve  janë edhe   një kroat, një gjerman dhe  një  italian, u mbajt  jo rastësisht   të shtunën që lamë pas në qytetin i cili më së shumti vuajti persekutimin e egër të regjimit komunist, e që i dha pjesën më të madhe të martirëve kësaj toke në  Shkodër, pikërisht aty  ku  më 4 nëntor 1990  u  kremtua  mesha e parë  pas shembjes së komunizmit. I gjithë bulevardi i këtij qyteti, që lidhet pashmangshëm me historinë e  klerit katolik shqiptar,   ishte i stolisur si kurrë  me fotografitë e martirëve të Kishës Katolike. Mesha e shenjtë e kremtimit Liturgjik   u celebrua në Katedralen  e  Shën Shtjefnit nga Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve Angelo Amato.

Atë ditë Shkodra e kthye në epiqendrën e Ballkanit dhe në fokusin e syve të botës, duke  nderuar 38 klerikët e shpallur të Lumë ,  të vdekur a të vrarë nga regjimi ateist që dominoi në Shqipëri  në vitet 1945-1974. Qëndresa e ipeshkvijve, meshtarëve dhe e laikëve të persekutuar në mënyrat më çmeritëse deri në gjymtin, me rrymë elektrike, kripë në gojë apo koka në ujë të akullt për ditë me radhë,  ka qenë me të vërtetë heroike.

 

Në këtë festë të vonuar, por kurrë të harruar , të cilën  populli shqiptar e priti më se 70 vjet,  morën pjesë autoritete të larta të Vatikanit, personalitete   të larta shtetërore, përfaqësues   të komuniteteve fetare në  vend dhe më se dhjetë mijë  pelegrinë   nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Kroacia dhe diaspora shqiptare. Ishte ky një moment historik për Kishën Katolike dhe për Kombin Shqiptar, i cili  pas Skendërbeut,  i  fali botës një Nënë Terezë, një shenjtore dhe një figurë të njohur botërisht e cila pohoi para gjithë botës „ me gjak jam shqiptare“,  e po i shtojnë aradhët e Kishës Katolike me 38  të Lumë të rinj të Kishës Katolike, prej të cilëve  vjen një fakt edhe më rrënqethës se 28 nuk kanë fare varr.  Këta njerëz, siç u shpreh  Kreu i Kishës katolike, Papa Françesku,  pranuan torturat e vdekjen, por nga Zoti nuk hoqën dorë. „ Ata kanë preferuar të vuajnë në burg, torturat dhe në fund vdekjen, në mënyrë që të mbeten besnikë ndaj Krishtit dhe Kishës. Shembulli i tyre na ndihmon të gjejmë tek zoti forcën në kohën e fatkeqësive dhe që inspiron mirësinë, faljen dhe paqen,” ka thënë Ati i Shenjtë.

 

Të gjithë klerikët katolikë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste kanë kryer së bashku 881 vjet burg ose afro 9 shekuj. Ndërkohë që të gjithë klerikët katolikë shqiptarë kishin kryer së bashku 450 vjet studime në 24 universitete të Evropës.

Viti 2016 do të jetë fatbardhë për të martirizuarit shqiptarë  të cilët derdhën gjakun për fenë dhe Krishtin, duke  u vetëflijuar në emër të besimit të tyre.  Sikur të gjithë shqiptarët ta kuptonin  si martirët shqiptarë detyrën ndaj Atdheut e të jepnin gjithçka që mund të jepet për të, madje edhe gjënë më të shtrenjtë jetën, pa kërkuar kurrë për të marrë, Shqipëria e shqiptaria do të kishte një imazh tjetër në sytë e popujve të   tjerë.

By admini