“Maratona e Pavarësisë”, është një aktivitet i cili ka filluar në vitin 2012 nga pasionantë të sportit nga Ulqini dhe Shkodra dhe tashmë dhe në kohën kur nisi edicionin e saj të parë ishte pjesë e programit të hartuar për festimet e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë nismë shumë të bukur dhe mjaft me vlerë sportive, kulturore, turistike por edhe më shumë rol të posaçëm kanë dy mërgimtarët tanë që jetojnë e veprojnë në SHBA, Esat Aloshi dhe Mustafë Mike Bërkani. Të dy bashkëatdhetaret tanë, tashmë pjesë e pandarë të këtij aktiviteti, nuk do të mungojnë edhe maratonën e këtij viti e paraparë me datën 28 nëntor 2016.
”Jam gati, rezervova bileten për Ulqin për të marrë pjesë në maratonën Ulqin Shkodër”, kështu shprehet Mike Bërkani i cili ka filluar përgaditjet e tija për këtë aktivitet.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti shumë vendas tonë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA janë duke u munduar që të përkrahin sado pak. Kështu Iso Çapriqi dhe disa bashkëvendas tjerë janë munduar që të ndihmojnë edhe materialisht këtë aktivitet.
Organizatorët e këtij aktiviteti janë: Këshilli Kombetar i shqiptarëve në Malin e Zi, Komuna e Ulqinit dhe Bashkia e Shkodres.