Protokolli i Marrëveshjes së Përkohshme midis Zagrebit dhe Podgoricës u arrit në dhjetor të vitit 2002 dhe vazhdon ende sot të mbetet në fuqi. Këtu kemi të bëjmë me një territor tejet strategjik që kap siujdhesën e Prevllakës në pjesën detare pranë Bokës së Kotorrit me një hapësirë prej 6000 hektarësh. Kjo pjesë e kontestuar e detit konsiderohet si tejet e rëndësishme edhe nga fakti se aty besohet që ka basene të pasura nënujore me naftë dhe gaz, për hulumtimin e të cilave janë të interesuara disa kompani të njohura ndërkombëtare. Zagrebi dhe Podgorica vazhdojnë ta respektojnë këtë marrëveshje pa shkaktuar asnjë incident dhe pa nxitur ndonjë urrejtje ndëretnike apo ndonjë problem ndërshtetëror.
Nga Ali Salaj
Çështja e demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi tashmë është shndërruar në një luftë të ashpër politike brenda përbrenda Kosovës, e cila mund të përshkallëzohet rrezikshëm në ditët, javët dhe muajt në vijim.
Kjo mund të ndodhë nga fakti se të dyja palët( pushteti dhe opozita) demarkacionin po e përdorin kryesisht për çështje politike dhe për interesat e grupimeve dhe liderëve politikë në Kosovë. Këtë e dëshmon vokabulari i tyre gjuhësor, i cili fund e krye është propagandistik dhe në funksion të politikës së ditës. Me këtë gjuhë të urrejtjes dhe tejet acaruese kanë nisur të ngjizen edhe disa shtresa të caktuara të shoqërisë, sidomos të rinjtë, të cilët shumë lehtë mund ta trazojnë shtetin më të ri në botë.
Për ta qetësuar situatën më parë duhet të ftohen gjakrat, të krijohet një konsensus minimal midis palëve dhe përmes kanaleve diplomatike të punohet për dalje nga kjo situatë groteske dhe mjaft e rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Në këtë fazë shumë të ndjeshme dhe sfiduese do të ishte mirë të bëhet ngrirja e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe të negociohet një marrëveshje e përkohshme me Podgoricën, e ngjashme me Marrëveshjen midis Malit të Zi dhe Kroacisë mbi kufirin detar në Prevllakë.
Protokolli i Marrëveshjes së Përkohshme midis Zagrebit dhe Podgoricës u arrit në dhjetor të vitit 2002 dhe vazhdon ende sot të mbetet në fuqi. Këtu kemi të bëjmë me një territor tejet strategjik që kap siujdhesën e Prevllakës në pjesën detare pranë Bokës së Kotorrit me një hapësirë prej 6000 hektarësh. Kjo pjesë e kontestuar e detit konsiderohet si tejet e rëndësishme edhe nga fakti se aty besohet që ka basene të pasura nënujore me naftë dhe gaz, për hulumtimin e të cilave janë të interesuara disa kompani të njohura ndërkombëtare. Zagrebi dhe Podgorica vazhdojnë ta respektojnë këtë marrëveshje pa shkaktuar asnjë incident dhe pa nxitur ndonjë urrejtje ndëretnike apo ndonjë problem ndërshtetëror. Përkundrazi, Kroacia e mbështeti çdo ditë e më shumë rrugëtimin e Malit të Zi drejt integrimeve euroatlantike duke krijuar një vizion të ri për kufijtë në rajon dhe për bashkëpunimin midis shteteve.
I ngjashëm është edhe problemi në kufirin e Malit të Zi me Bosnjen e Hercegovinën rreth qytezës bregdetare Sutorini në komunën e Herceg Novit ku Sarajeva pretendon se është territor i saj. As këto pretendime nuk shkaktuan pasoja në marrëdhënien e fqinjësisë së mirë. Asnjëra nga këto çështje nuk nxitën fërkime në politikën malazeze dhe nuk ishin objekt i debateve midis pozitës dhe opozitës në vend. Këto probleme Mali i Zi i amortizoi me diplomaci pa e degjeneruar opinionin e brendshëm dhe as atë ndërkombëtar. Edhe sa i përket çështjes së demarkacionit të vijës kufitare me Kosovën Podgorica zyrtare ka treguar gatishmëri që problemi të trajtohet me një bashkëpunim të gjithanshëm, pa përjashtuar edhe ndonjë marrëveshje të përkohshme.
Çështja e kufirit ndërshtetëror është çështje shumë e ndjeshme, e cila te qytetarët shkakton emocione të veçanta dhe euforike. Në pamje të parë kufijtë në rajonin e Ballkanit duken tejet të ndërlikuar dhe të pazgjidhshëm ngaqë lidhen me emancipimin e shoqërisë, e cila çështjen e zgjidhjes së kufirit e sheh vetëm me mjete të dhunës.