Është njoftuar se qeveria e Republikës së Shqipërisë do të takohet me qeverinë serbe në Nish. Është folur njëkohsisht edhe për pjesëmarrjen e mundshme të qeverisë së Republikës së Kosovës, por deri tashti nuk është e qartë pjesëmarrja e qeverisë së Prishtinës, ose në çfarë niveli mund të përfaqësohet Kosova, në atë takim.
Sidoqoftë, duket se ky takim është një nismë e Serbisë dhe Beogradi duket se po bën të gjitha përgatitjet dhe planifikimet, përfshirë edhe faktin se kush do të ftohet dhe kush jo. Ndonëse cilësohet si një takim, jo doemosdosmërisht midis qeverisë serbe dhe asaj shqiptare, por si një takim, Radio Europa e Lirë (REL), e cilëson atë si një “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova”, thotë REL
Dialog për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon, por pa përfaqsuesit legjitim të nivelit më të lartë të strukturave të qeverisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës së pavarur, e njohur tanimë nga 111 shtete anë e mbanë botës?????!!!!!!!
Mbetet për tu pa se në çfarë niveli do të përfaqsohet Kosova, por Kryeministri serb Vuçiq citohet të ketë thënë se, “Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, në takimin e ardhëshëm shqiptaro-serb të Nishit. E ku do ulen këta “përfaqsues të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë”, në tavolinën e përbashkët apo në karrigat pas delegacionit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si “paper boys”, dhe si do të identifikohen ata në takimin e Nishit, si përfaqsues shqiptarë të “Kosovo-Metohisë”? Si mund të ketë një takim për “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, pa përfaqësinë legjitime të niveleve më të larta politike të Republikës së Kosovës, në një takim ku merr pjesë Kryeminsitri i Shqipërisë dhe ai i Serbisë? A nuk janë shqiptarët e Kosovës, shqiptarë të rajonit? A mos vallë edhe ky takim është një vazhdim i përpjekjeve të vjetëra nga ana e Beogradit për të përçarë shqiptarët në Ballkan, në ata që sllavo-serbët i kanë cilësuar historikisht si “albanci”, ose “dobri albanci” shqiptarët e mirë – pra shqiptarët mbrenda kufijve të Shqipërisë londineze — dhe shqiptarët (e këqij) irridentista dhe problematikë nën ish-Jugosllavi, me epitetin ofendues “shiftari”, përfshirë shqiptarët e Kosovës?
A do të jetë ky një takim midis serbëve dhe shqiptarëve ku të gjithë pjesmarrësit konsiderohen dhe trajtohen si të barabartë? Në sipërfaqe duket se ky takim nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një rast ku serbët, për interesa të veta, do të përpiqen ti tregojnë botës, sidomos asaj perëndimore, se ata janë të gatëshëm për dialog dhe bashkjetesë me shqiptarët e rajonit. Sidomos kur të merret parasyshë se kryeministri serb e njoftoi këtë takim gjatë vizitës së fundit të Zëvëndës Presidentit amerikan Joe Biden në Beograd. Serioziteti i këtij propozimi për takimin serbo-shqiptar dhe prapaskenat e përgatitjes së një takimi të tillë, duhet të shikohen nga këndveshtrimi se kush janë përfaqsuesit serbë, me të cilët do të takohet në Nish, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me delegacionin e tij dhe me përfaqsuesit e tjerë të “shqiptarëve nga rajoni”.
Në krye të delegacionit serb do të jenë trashëgimtarë dhe gjithnjë mbështetës të pandëshkuar të politikave kriminale të Sllobodan Millosheviçit, përfshirë, Kryeministrin e tanishëm Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i informacionit në administratën e Millosheviçit nga fundi i 1990-ave. Marr me mendë se ndër të tjerë do të jetë, Ministri i jashtëm serb dhe zëvëndës kryeministër, Ivica Daçiq dhe ministri i punës Aleksandër Vulin, të cilët edhe pas kaq vitesh dhe provash, me këmbëngulje vazhdojnë të thonë se Millosheviqi nuk ishte fajtor për gjenocidin dhe për krimet kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi. Përball këtyre përfaqsuesëve serbë, do të qendrojë delegacioni i Shqipërisë dhe me këta do të bisedojë për “marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët” në rajon.
Bazuar në të kaluarën, Serbia nuk e ka ndër mendë të përballet dhe siç duket nuk ka të ngjarë se do të përballet me krimet e tmershme ndaj popujve të Ballkanit si dhe me rolin e Milllosheviçit dhe ish-bashkpuntorëve të tij në ato luftëra, e të cilët sot janë në krye të shtetit serb. Ata sillen sikurë nuk ka ndodhë gjë fare në territorin e ish-jugosllav. Ndërkombëtarët kanë insistuar se Serbia ka nevojë për zbatimin e një ligji të lustracionit që do pastronte trashëgiminë e Millosheviqit dhe që do të largonte nga detyrat e larta të shtetit dhe qeverisë serbe mbështetsit e tij dhe njerëzit e inkriminuar në luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. (Edhe Shqipëria ka nevojë për një ligj lustracioni, por për arsye të tjera që i përkasin një periudhe tjetër).
Këta njerëz jo vetëm që nuk dënojnë krimet e së kaluarës, por për ta është i pranueshëm madje edhe reabilitimi i ish-udhëheqsve kriminelë, ndërkohë që disa prej tyre kërkojnë shpalljen e tyre heronjë. Kjo bëhet në përpjekje për të justifikuar duke reabilituar jo vetëm politikat diktatoriale të së kaluarës, por si rrjedhim përpiqen të arsyetojnë dhe të justifikojnë edhe qëndrimin e tyre në pozita të larta udhëheqjeje në qeveri dhe në shtet.
Udhëheqsit e Ballkanit të gjysëm shekullit të kaluar e deri më sot, përfshirë kasapin e Ballkanit, Millosheviçin dhe trashëgimtarët e tij, nuk janë heronjë, përkundrazi janë mbetje e ish-regjimeve të deskrekidituara komuniste dhe si të tillë duhet të trajtohen.
Përsa i përket takimit shqiptaro-serb në Nish, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.
E kaluara historike nuk mund të përgnjeshtrohet as nuk duhet të harrohet. Kriminelët dhe mbështetsit e tyre nuk mund dhe nuk duhet të reabilitohen si heronjë. Pa një angazhim serioz për pranimin e gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë nga ana e Serbisë dhe pa një pajtim midis popujve, takimi në Nish ose kudo tjetër — midis serbëve dhe shqiptarëve — nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kotë, sa për sy e faqe, me premtime alla ballkançe dhe pluhur syshë botës, se ja po zhvillojmë dialog.
Prandaj, pa një zotim të tillë nga Beogradi — si hap i parë minimal — takimi në Nish, sidomos në mungesë të përfaqsuesëve më të lartë të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës, pjesëmarrjen e vet në atë takim, delegacioni shqiptar në krye me Kryeministrin Rama, duhet ta konsiderojë jo vetëm si dështim dhe përgnjeshtrim të historisë dhe të realitetit politik sot, por mbi të gjitha si një ofendim ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimit të Millosheviçit dhe bashkpuntorëve tij në territorin e Republikës së Kosovës. Pa një pranim të tillë ose pa një shprehje gatishmërie për një pohim të tillë nga ana e Beogradit – pa marrë parsyshë se sa takime dhe ku mbahen – nuk do të ketë as paqë të mirëfilltë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe si rrjedhim as stabilitet e siguri në Ballkan.