22 NËNTOR 1880- ATËHERË KUR ULQINI U MBROJT ME LUFTË

Isuf-sokoli(Me rastin e përvjetorit të betejës në Anë të Malit )
Ana e Malit ( Komuna e Ulqinit), ashtu si edhe shumë vendbanime të tjera shqiptare,me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) si dhe asaj të Parisit (1919) u ndanë padrejtësisht nga trungu i shtetit të tyre amë-Shqipërisë dhe iu bashkangjiten Malit të Zi.
Që nga viti 1880 kur Ulqini iu bashkangjit Malit të Zi,kundër vullnetit dhe dëshirës së popullit të tij,janë bërë përpjekje të shumta , duke përfshirë edhe rezistencë të armatosur, nga ana e popullit shqiptar për ndalimin e aneksimit të këtij territori shqiptar nga ana e Malit të Zi, aneksim ky i cili do të realizohet më vonë me ndihmën e Fuqive të Mëdha të kohës dhe të perandorisë së atëhershme osmane.
Moment vendimtar dhe i rëndësishëm historik që pat për qëllim ruajtjen e integritetit territorial të vendbanimeve shqiptare dhe ,padyshim që ishte themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , me 10 Qershor 1878. Lidhja e Prizrenit ,përmes degëve dhe komiteteve të veta ishte shtrirë në shumë qendra shqiptare të kohës.Lidhja, gjithashtu në përbërjen e vet kishte edhe forcat e armatosura të përbërë nga luftëtarë vullnetarë shqiptar nga të gjitha trevat etnike të cilët ishin të gatshëm që të mbrojnë edhe me gjak vendin e të parëve të tyre,pra tokën shqiptare.
Një ndër këto komitete ishte edhe Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i cili muar përsipër mbrojtjen e Ulqinit me rrethe. Pas vendimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, për dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi,një ndër betejat e përgjakshme për mbrojtjen e këtij territori shqiptar, u zhvillua te Kodra e Kuqe (pranë fshatit Kllezën) në Anë të Malit, me 22 Nëntor 1880 e cila ndryshe njihet edhe si Beteja e Shkallmushkës, në mes të forcave shqiptare dhe atyre turke.Në fillim vullnetarët shqiptarë arritën të përballojnë ushtrinë turke dhe turqit patën shumë të vrarë, por më vonë pasi arritën përforcime të mëdha të ushtrisë turke të pajisura me artileri moderne të asaj kohe, forcat vullnetare shqiptare e patën të vështirë të përballonin epërsinë e armikut, kështu që si rezulltat edhe u thyen.Në këtë betejë komandanti i forcave vullnetare shqiptare, Isuf Sokoli,u plagos rëndë dhe vdiq më vonë nga plagët e marra.
Kjo betejë,megjithëse zgjati për një kohë të shkurtë, ka hyrë në histori si një ndër betejat e para të shqiptarëve të kytyre anëve që rezistuan në mënyrë të armatusur kundër dorëzimit të Ulqinit, Malit të Zi.
S’ka dyshim që Isuf Sokoli bashkë me bashkëkombasit e tij sakrifikoi jetën e tij për mbrojtjen e trevave shqiptare,respektivisht për mbrojtjen e Ulqinit me rrethe me qëllim që ky vendbanim shqiptar të mos i dorëzohet Malit të Zi.
Të mos harrohen figurat tona historike dhe kombëtare !
Sot,me keqardhje konstatojmë se figura historike e Isuf Sokolit,pothuajse është një figurë e harruar dhe e anashkaluar. Përveç një rruge të vogël në Shkodër, asnjë institucion nuk mban emrin e tij .Do të duhej që së paku t’i ndërtohet një përmendore në Kllezën të Anës së Malit (Ulqin),pra në vendin ku kjo figurë patriotike muar plagët e tij vdekjeprurëse dhe rezistoi me orë të tëra,bashkë me ushtarët e tij,për mbrojtjen e këtij territori shqiptar, kundër forcave osmane, 144 vite më parë. Gjithashtu, edhe data e 22 Nëntorit, është një datë historike që nuk përkujtohet sot nga asnjë organizatë,subjekt apo strukturë organizative në Komunën e Ulqinit.
Pak kohë më parë pati disa propozime lidhur emërtimin e rrugës magjistrale Ulqin – Sukubinë e cila ,këtë vit është në fazën përfundimtare.Vlerësoi të gjithë propozimet e mëparshme që u publikuan në media lidhur me emërtimin e kësai magjistarle,por unë mendoi se si shenjë respekti për figurën e Isuf Sokolit, dhe për rolin dhe kontributin e tij të veçantë për mbrojtjen e trevave shqiptare, kjo rrugë magjistrale do të duhej të mbajë emrin e tij.Arsyeja tjetër e emërtimit me emrin e ish-komandantit luftarak të Lidhjes së Prizrenit , sepse beteja për mbrojtjen e Ulqinit me rrethe, u zhvillu mu në territorin ku sot pas gati një shekulli e gjysmë po ndërtohet rruga Sukubinë – Ulqin, respektivisht në fshatin Kllezën dhe një emërtim i tillë do të kishte një domethënie dhe simbolikë të veçantë.
Xheladin Zeneli
21 Nëntor 2014
(Referenca për pjesën historike të këtij shkrimi është marrë nga libri “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”, i autorit Mr. Riza Rexha)