PRAPË KA ARDHUR KOHA QË DIASPORA SHQIPTARE TË LOBOJNË PËR KOMBIN SI DIKUR NË VITET ‘90

Nga Ramiz LUSHAJ

-Nga takimi e biseda në Tiranë e dr. Naim Dedushaj – drejtor ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë me dr. Sali Berisha- ish President e ish Kryeministër i Shqipërisë –

Dr. Naim Dedushaj- ideator, bashkëthemelues e drejtor ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, me zyra-seli në Prishtinë, pati kënaqësinë e vecantë të ketë në Tiranë një takim zyrtar pune me ish Presidentin e ish Kryeministrin e Shqipërisë,  prof. dr. Sali Berisha.

Në këtë takim e bisedë pune dr. Naim Dedushaj e informoi dr. Sali Berishën lidhur me idenë, punën e aktivitetet e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, për arritje e personalitete të shquara të këtij Rrjeti Biznesesh, për ardhmërinë PanShqiptare e Globale të këtyre bizneve të Diasporës në interes dhe të Kosovës e Kombit Shqiptar.

Gjithashtu, mes tyre, në bisedën e përbashkët, u trajtuan dhe tematika me cështje të rëndësishme të historisë, aktualitetit e ardhmërisë shqiptare, si ato të Viteve ’90, të zhvillimeve të fundit kombëtare politike në Kosovë, Shqipëri e në viset shqiptare në Rajonin Ballkanik Shqiptar, etj.

Në bisedën e dr. Naim Dedushaj me ish Presidentin e ish Kryeministrin Sali Berisha, u theksua dhe nevoja e lobimit më të madh nga Diaspora Shqiptare në Washington D.C – kryeqytetin e Amerikës, në Bruksel – kryeqendren e BE-së e NATOS-s, në Berlin – kryeqytetin e Gjermanisë etj. si dikur në Vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Njohja e afërt e dr. Naim Dedushaj me dr. Sali Berisha ka nisë qysh herët:  në Vitet ’90, tash tre dekada, dhe ka për bazë të mirë vlera e kontribute të larta për Kombin Shqiptar; lidhje shoqërore e familjare; traditë vazhdimësie e përbashkime e lartësime në rritje.

Dr. Naim Dedushaj e ka gjysh “Martirin e Kombit” Jahë (Cung) Tahir Dedushaj i Plavë-Gucisë i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha me “Urdhër për Veprimtari Patriotike të Klasit II”; është nipi i “Martirit të Kombit” Isuf Zymer Dedushaj, i dekoruar me “Urdhër për Veprimtari Patriotike të Klasit I”. Dera e Dedushajve të Vuthajve ka 11 “Martirë të Kombit” nga Bajram Musa Dedushaj deri tek Jeton Idriz Dedushaj i Luftës së fundit të Kosovës.

Dr. Naim Dedushaj është një kontributor i jashtëzakonshëm për njohjen e çështjes shqiptare në institucionet e SHBA dhe në opinionin amerikan lidhur me Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, kur ishte Drejtor Ekzekutiv i Zyrës së LDK-së në Amerikë (1992-’99), në “Ambasadën e Kosovës në Amerikë”, sic e cilësonte dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i Kosovës e kryetari i LDK-së.

Dr. Naim Dedushaj është ndër zyrtarët e lartë të Kosovës që ndihmoi në themelimin e ecurinë e mirë të Ministrisë së Brendshme të saj e, mbasandejna të Ministrisë së Diasporës të Kosovës. Në këto dy ministri dhe në Ministrinë e Kulturës ka mbajt poste të larta,  ka kontribute me vlera kombëtare, që meritojnë vlerësime meritore e dekorime nga shteti i ri i Kosovës si dhe nga Shqipëria.

Dr. Naim Dedushaj është doktor i Shkencave me temën: “Diaspora Shqiptare dhe rrugëtimi i saj ndër mote” (mbrojtur në Universitetin e Tiranës, më 2014); ka botuar veprën e njohur “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fati i Kosovës : rezolutat e diskutuara dhe të aprovuara nga Kongresi Amerikan”. (Prishtinë, 2006) dhe tjetra: “LDK-ja në SHBA: Historia e një Lëvizjeje” (New York, 2000).

Dr, Naim Dedushaj, prej vitit 2014 e në vazhdim, është drejtor ekzekutiv i Zyrës Kordinuese në Prishtinë të Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (me seli si person juridik e seli qendrore në New York, SHBA) me shtrirje në katër kontinente e 25 shtete të botës, duke bashkuar në këto potencialet e mëdha të 100 mijë bizneseve për fuqizimin e tyre dhe zhvillimin kombëtar, ekonomik, shoqëror e kulturor të Kosovës e Kombit Shqiptar.