Servantesi-a-ishte-ne-ulqinShkruan: Ali Llunji
Fondacioni “LIKA” Ulqin,veç rezultateve të pamohueshme në fushën e kulturës dhe të jetës muzikore në këtë qytet, aktivitetin në këtë fundvit, ndër të tjera, e përmbyll me botimin edhe të dy veprave të karakterit shkencor të Prof.dr. Ruzhdi Ushakut. Kohë më parë ngjalli kërshëri guximi shkencor dhe intelektual i këtij autori me veprën ‘SHQIPJA SI ÇELËS PËR DY FRAZA ENIGMATIKE” nga “ZOGJTË” e Aristofanit, shek.V.p.e.r (separat).  \

Duke e parë peshën e trajtimeve, si thotë ai, në “variantin e parafundit” brendia e këtij separati deshifrohet më lehtë përballë vet synimit shkencor të autorit … ”kësaj çështjeje serioze, delikate,të vështirë,shumë të rëndësishme,jo vetëm për filozofinë shqiptare,por edhe më gjerë, iu rreka një sprove kërkimore – studimore të mëtutjeshme… duke mbajtur parasysh një qasje krahasuese filologjike – gjuhësore dhe jashtëgjuhësore interdisiplinare, përkatësisht multidisiplinare”. Për këtë rezultat të rrallë shkencor, opinioni lexues u informua edhe përmes shtypit ditor. Dhe, tash, në këtë fundvit të 2014-tës, po ky Fondacion i dhuron lexuesit edhe një vepër interesante dhe kapitale të këtij autori Prof.dr.Ruzhdi Ushakut, njërit, sipas mendimit tonë, ndër krijuesit eminentë shkencorë kur trajtohet, ndër të tjera, edhe problematika e Ulqinit dhe rrethinës së tij. Libri është mjaft tërheqës, i pajisur dendur me faktografi, ilustracione me një brumë të ngjeshur dokumentesh të rralla për këtë figurë emblematike joshqipt  e për të cilën ka pohime sa edhe mohime sa kishte qëndruar kohësisht apo ndoshta disa vite në Ulqin. Fjala është për shkrimtarin e madh spanjoll, Miguel Servantesin. Me këtë vepër Dr. Ushaku sikur edhe përforcon bindjen e lexuesit se është emër shkencor, do të thoshim, krijues i disa veprave kapitale, qoftë përkah vëllimi, qoftë përkah cilësia. Për momentin është vepra e 11 –të e tij, në të cilën konsulton dhe prek thuaja tërësinë e literaturës së kohëve mesjetare dhe pse jo edhe atë të ditëve më të vona. Autori ka një përparësi – është poliglot, njohës i gjuhëve romane, kredhës i papërtueshëm dhe këmbëngulës në konsultimin e shumë dokumenteve në gjuhë të vjetra: latine dhe greke. Në këtë libër dr. Ushaku i ofron lexuesit një aspekt të analizës për të depërtuar pak më lehtë në opusin servantesian që disa autorë shkrimorë, në mesin e të cilëve edhe studiues të mirëfilltë të jetës dhe të veprës së Servantesit e mohojnë a mos ndoshta qëndroi,kaloi kohësisht në Ulqin, apo, nga tjetra  anë në këtë libër pohohet s  në shpirtin e vet ky spanjoll gdhendi një simpati – vajzën ulqinake të përjetësuar në romanin “DON KISHOTI “ të tij. Është kjo DULCINEA e bukur. Në të kundërtën: pyesim – pse Servantesi nuk mori për model personazhi bukuroshen e ndonjë vendi tjetër bregdetar ?

Vetë jeta e Servantesit do të ndryshojë pas betejës detare të Lepantos, kohë kjo që përputhet me rropatjet e tij nëpër dete e anije deri me rënien rob nga shqiptari (Arnaut) Mami. Ulqini në Adriatik është dalluar si skele dhe port i rëndësishëm detar. Pikërisht për këtë qendër të dikurshme detare, pse jo edhe pikë e rëndësisë strategjike është shkruar shumë. Ky qytet buzëdetar dhe popullata shqiptare e tij – pjesë e trungut ilir, të dokumentuar nga burime historike – ishte temë e kronistëve të ndryshëm,që bënë emër historik,ata që vendosën të ngulin apo të kalojnë kohësisht në kalanë e tij shumëshekullore.Të përkujtojmë disa figura të veçanta: kronistin turk Evlia Çelebi dhe shënimet interesante të tij për Ulqinin;kalorësin mesjetar, Arnold fon Harfin – fjalorin e tij me shprehje shqipe bërë në ndonjë bujtinë ulqinake; Sabatai Zvinë (hebre) për të cilin thuhet se ishte mesi, por që në Ulqin njihet edhe si Murat Dedei, ka vetëm tyrbe në këtë qytet. Kureshtja për shkrime më të thella të Prof.dr. Ruzhdi Ushakut përqendrohet me një akribi të posaçme për një figurë tjetër të rëndësisë letrare – është ky Miguel Servantesi, për të cilin thuhet se ka qëndruar edhe në Ulqin. Dhe, ky autor, lidhet me veprën e tij që la emrin e një të dashure të quajtur Dulcinea, emër ky, si konstaton dr.Ushaku, “gjuhësisht i shpjegueshëm me prejardhje nga emri i Ulqinit mesjetar, si emër jo i zakontë dhe i pakuptimtë për gjuhën dhe onomastikën spanjolle.” Kanë kaluar mbi katër dekada që kur për Ulqinin dhe rrethinën e tij, Prof.dr. Ruzhdi Ushaku shkroi artikuj, ese letrarë, vështrime kritike, vepra të rralla shkencore për historikun dhe raritetet kulturore të këtij qyteti që është edhe vendlindje e tij. Pikërisht në fazën e pjekurisë shkencore të tij, kemi shprehur më herët mendimet tona se dr. Ushaku shquhet me punën e tij krijuese. Bëri shumë punime shkencore, profesionale eseistike nga fusha e filologjisë, etimologjisë, eseistikës dhe kritikës së artit. Në të vërtetë, kjo krijimtari deri më sot e botuar është dëshmi e pakontestueshme e shkallës së lartë të pjekurisë shkencore të shoqëruar edhe me një intensitet cilësor. Kësisoj ka vepruar autori dr.Ushaku me hipo(- tezë) dhe tezë të shtruar në studimin e tij në librin “SERVANTESI NË ULQIN”, temë kjo mjaft delikate, që është komentuar tash sa kohë me qëndrime pro et contra qëndrimit të Servantesit në Ulqin. Mendimet shkencore të këtij autori janë të ngjeshura me një bagazh të lakmueshëm dokumentesh dhe të literaturës së konsultuar – aparaturë e mirëfilltë shkencore.

Lexuesi do të gjendet në detin e universales, jo vetëm në kuptimin kohor të gojëdhënave ulqinake sa edhe në vet kuptimin psikologjik të spanjollit të zënë rob – skllavit të dashuruar në një goce kalaleshë – dhe rrafshit etik dhe mendimit filozofik të mbushur nga disa autorë me dilema – ishte apo nuk ishte Servantesi në Ulqin. Autori Ushaku, siç mund të konkludojmë edhe ne, Servantesi, nëse jo fizikisht, ishte ai shpirti i trazuar si dallgët e detit të shqetësuar për kalaleshën e bukur. Mendojmë se vepra do të ngjallë interes, si në qarqet lexuese, ashtu edhe të opinionit shkencor, këtu e më gjerë. Libri me 146 faqe, pas Parathënies dhe Në vend të hyrjes,ka këtë strukturë:

Kreu I “Beteja e Lepantos” dhe Servantesi në krijimtarinë letrare dhe tregimtare;

Kreu II Shtypi publicistik në lidhje me Servantesin në Ulqin;

Kreu III Ulqini para dhe pa “Betejës së Lepantos”;

Kreu IV Fragmente nga jeta dhe vepra e Servantesit në vështrim historik-filologjik;

Kreu V “Servantesi në Ulqin” në dritën e disa përkimeve multidisiplinare;

Kreu VI Reflekse dhe përkime filologjike– gjuhësores në vështrim krahasues;

Kreu VII Emri vetjak DULCINEA – çelës I enigmës “Servantesi dhe Ulqini”;

PËRFUNDIMI
Curriculum Vitae
Botimi i librit u mbështet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Ne mendojmë se është e nevojshme që ky libër të përkthehet edhe në gjuhë të huaja, posaçërisht në spanjishtet. Ka edhe një qëllim të mirë: të informohen servanteistët joshqiptarë për këtë lëndë vëllimore dhe interesante nga autori shqiptar. Ka hapësirë të binden – të ndërrojnë edhe qëndrim ndaj hipo(tezës) dhe tezës së autorit dr. Ushaku: ishte dhe sa qëndroi Servantesi në Ulqin.

By admini

One thought on “Llunji: A ishte Servantesi në Ulqin?”
  1. Eshte per tu pergezuar nje pune e tille me vlera shkencore dhe kulturore jo vetem per Ulqinin por edhe per Shqiperine e me gjere. Si mund ta blejme kete liber? Jam ne Tirane. Flm

Comments are closed.