Mbrëmjen e së martes në Qendren për kulturë të Ulqinit nën organizimin e Qendres Kulturore të Ulqinit dhe Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi u bë përurimi i librit ”SHQIPTARËT PËR ARBËRESHËT E ZARËS” të autorit prof. dr. Aleksandar Stipçeviq.
Në kuadër të këtij aktiviteti, përkthyesit të librit dhe veprimtarit të shquar shqiptar Prof. dr. Simë Dobrecit iu dha titulli “Mirënjohja e Ulqinit”.
Titullin “Mirënjohja e Ulqinit” prof. Dr. Simë Dobrecit ia ka dorëzuar ish kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, mr. Fuad Haxhibeti. Ai ka thënë se Kuvendi i Komunës së Ulqinit, në mbledhjen e mbajtur më 17 dhjetor 2014, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Këshillit për dhënien e propozimeve të emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe institucioneve, vendosi t’i japë titullin “Mirënjohja e Ulqinit” prof. Dr. Simë Dobreci, me motivacionin “për kontribut në fushën e arsimit, studimeve dhe botimeve shkencore me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Biografia
Simë Gjon Dobreci lindi (27.3.1934) në Braticë, Ulqin, Mali i Zi. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967). Shkoi në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës themeluar më 1969. Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordiner (1989), profesor ordiner (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin Dermatologjia më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e Lëkurës më 1989.
Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.
Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës Dermatomikozat endemike në Kosovë e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, tash jeton në Braticë, Ulqin, ku redakton revistën kulturore Buzuku, si dhe nga pak ende merret me profesionin e vet.
Bigrafia e shkruar nga Prof. Dr. sci. Mentor Disha, Prishtinë, më 15.4.2012.