Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe zv/kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe për Çështjet Evropiane të Malit të Zi z.Igor Lukshiç nënshkruan dje marrëveshjen e njohjes së ndërsjellët të lejeve të drejtimit mes dy vendeve.
Nga pala shqiptare, procesi i negocimit është ndjekur nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Negociatat mes dy vendeve janë zhvilluar nga autoritetet kompetente përkatëse. Njohja për herë të pare, të lejeve të drejtimit kombëtare me Malin e Zi sjell lehtësira, jo vetëm për lëvizjet e qytetarëve për qëllim qarkullimi në territoret respektive, për periudhën e vlefshmërisë së tyre, por kjo procedurë u krijon shtetasve shqiptarë mundësinë të punësohen si drejtues mjeti në Malin e Zi, me të drejta të barabarta me shtetasit malazez, në përputhje me lejen e drejtimit që disponojnë, shkruan Shekulli.
Kjo marrëveshje vjen pas nënshkrimit me sukses të marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Italinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë.