Ekspozita-jetlir-kovaci-foto(Mbi ekspozitën fotografike të Jetlir Kovaçit)

Shkruan: Argëzon Sulejmani

Në bisedë e sipër, natën e hapjes së ekspozitës së Jetlirit, po thonim, me një grup të pranishmish se, sa është i rëndësishëm e i domosdoshëm, të diturit e të promovuarit të asaj që bën, krijon, pse jo edhe të vetvetes tënde para një publiku. Në kohën kur teknologjia të jep përditë mundësi të ndjehesh promovues përmes risive që më nuk u dihet fund as sens gare, është shumë e rëndësishme që në këtë dekadë, megjithatë, të autorsohet dikush që këmbëngulë tej imazheve buletine. Në amullinë e vlerave të të gjitha fushave, është për t’u përshëndetur qasja interesante ndaj fotografisë dhe të fotografuarit si pasion, krijimtari e pse jo dhe profesion.

Jo më kot, për çdo autor, në kurrikulat e studimeve parashihet biografia detale. Familja, mjedisi, klasa, emancipimi, koha, etj. padyshim që luajnë rol kyç në formimin e një krijuesi.

Duke e njohur biografinë e deritashme të Jetlirit si bashkëvendas, mund të them me plot gojë që në artin e tij kanë lënë gjurmë aferuese të gjithë parapërcaktimet e çdo jetëshkrimi.

Për më tepër, nga fotografitë e ekspozuara para pak ditësh në QK Ulqin, autori duket të ketë vënë bazat e artit të vet. Kalimet nga një imazh në tjetrin, sado që të fascinojnë me veçantitë përkatëse, prapëseprapë kanë atë boshtin për të cilin i lidhë me vetdëshirë ndalësi i çasteve e jo vetëm. Kjo është karakteristikë e autorëve të mirëkrijuar, drejtedukuar dhe shpresdhënës.

Duke e lidhur artin e secilit krijues ngushtë dhe drejt me biografinë e formimin intelektualo-artistik ashtu dhe tek Jetliri në pjesën më të madhe të ndërmargjinave, ka: poezi, mjedis, socializim, ose thjeshtë tendencë për ta parë botën të këtillë.

Për mua, megjithatë, dominante janë temat sociale ose socializimi për më saktë. Raportet njerëzore, klasat, bindjet fetare, marrëdhenjet e njeriut të sotëm me urbanen, natyrën e teknologjinë përbëjnë esencën e tregimeve të Jetlirit. Nëse më kërkohet të veçoj mesazhin, si të përcaktuar, nga fotografitë e këtij rasti, thjeshtë e qartë, kryefjalë do të artikuloja – njeriun, njeriun e ditëve tona, njeriun e udhëve të vet autorit, sfidat e kohës së tij, rrezikun nga çidentitetizmi. Veçanti tjetër, e pahshme nga syri i secilit dashamirë të fotografisë artistike, jo domosdo njohës i saj, ishte – simetria – që vihet re në një pjesë të mirë të krijimtarisë së autorit. Kjo duket të krijojë atë urën lidhëse për autorin ndërmjet pasionit për fotografi që përditë avancohet dhe vet profesionalizimit në fushën e arkitekturës.

Një fakt interesant, tej artit të mbrëmjes, përbën rasti i ardhjes së punimeve të Jetlirit deri në Ulqin. Si në secilin vend të vogël numerikisht e mentalisht, edhe tek ne vështirë “të bëhesh pejgamber në tëndin vend”. Si shumë autorë të tjerë, por Jetliri edhe në terren, për të ardhur deri në vendlindje, pra në Ulqin, i ka rënë nga Stambolli. Siç shënonte në tablonë personale prezantuese, në hyrje të ekspozitës, muaj më parë Ministria e Diasporës e RKS kishte hapur të parën ekspozitë të autorit mu në Stamboll. Le të jetë ky detal, ogur i mirë që, gjeneratat e reja do të dinë të hakmerren me ide e punë krijuese ndaj viteve të errta azilkërkuese. Me art – pasaportë.

By admini