Shenj/ë ~ a është ngjarje, dukuri a fjalë, për të cilën besëtytnive, mendohet se paralajmëron diçka të mire, a të keqe, ogur. Shenja e mirë (e keqe, e kobshme). S’ka shenja, u dukën ca shenja.*
*(Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fq. 1825, pika 7, Tiranë, 1980)
Shenjët (Shnjat) në Krajë
RRASAT E KRYPËS: Nëpër vende të ndryshëm, sidomos në afërsi të kasollave të bagëtive, në ndonjë shesh të vogël të kodrinave ose në vende tjera të sheshta janë vendosur rrasa të rreshtuara aty-këtu, të lëmuara, kryesisht afër kasollave. Këto rrasa kanë shërbyer për tu qitë kripë (krypë) bagëtive të imta. Kripa deleve dhe dhive u qitej në këto rrasa 5 – 6 herë e më tepër në vit. Në këto rrasa kripa është shpërndarë dhe të imtat e kanë hëngër dhe lëpirë. Çobanat kripën e kanë pëzier me krune (mbeturina )të cilat mbesin pas shoshjes (sitjes) së miellit të misrit. Bagëtive të trasha (gjedhëve) kripa u është dhënë me dorë në gojë. Rrasat e kripës kanë qenë shenjë dhe nuk janë prishur prej kuj. Në rrasat e kripës nuk është ulur (ndenjë) se thonë se është keq dhe mund të shitohesh.
KURBANI-SHENJA E TEMELIT TË SHTËPISË: Kur hapën temelat e shtëpisë dhe fillojnë të ngritën murët, është traditë që të theret (prehet) kurban, një bagëti, zakonisht dash. Dashi (kurbani) zakonisht theret (prehet) në temelin e shtëpis që fillohet, në një qoshe (kënd) të saj. Aty në temel të shtëpisë pasi kurbani është pre kryet e dashit vehet dhe mbulohet me baltë e bërëme rërë e çimento ose gelqere e me material tjetër ndëritimor. Në gojën e kurbanit të prerë shtihen drithëra, grurë, oriz, thekër, pastaj monedha metali (para, bankënota metalike), serm, ar, sheqer, gjethe, ulliri etj. Kjo ka lidhje të fortë me legjendën e ndërtimit të kalave, ku pa kurban – njeri, kalaja nuk mund të ngrihet.
GJELI-KËNGA E GJELIT: Gjeli është konsideruar sahati i shtëpisë. Nga kënga e gjelit njerëzit i kanë dijtë kohët e ditës dhe të natës. Këtyre kohërave (sipas këngës së gjelit) u është venë shenj. Kur gjelat gjatë natës këndonin për herë të parë është thënë se kanë kaluar katër sahat natë. Kur gjelat kanë kënduar herën e dytë gjatë të njëjtës natë atëherë kanë thënë se është gjysma e natës-mesnata, ndërsa kur gjelat këndonin për të tretën herë është afër duke zbardhur drita, gjelat e syfyrit dhe kjo është thënë se është kënga e gjelave të dritës. Kur gjelat gjatë ditës këndonin duke ia pritur njëri tjetrit, (tuj gergatë njanii tjetrin) atëherë kanë thënë është mesditë. Thonë se me ia pas mbytë kuj gjelin e vlersojshin dëmin sa me ble një sahat.
KUR KËNDON PULA: Në Krajë kur pula ka nisë me këndue si gjel e kanë pre. Kjo është besue se ndjell keq në shtëpi. Ky besim thonë, ka qenë i ngulur thellë dikur në Krajë. Kënga e pulës besohej se ndjell mort. Pula që këndon si gjel nuk duhet të mbahet se është shenjë zezë. Nga ana tjetër thuhej se në atë shtëpi ku këndon pula, sundon gruaja e jo burri, andaj sigurisht këtu e ka edhe zanafillën fjala popullore: ku këndon pula e sundon grueja nuk ka marrlek.
PSHNETKA E GJEDHIT: Aty kah fundi i nëntorit e më vonë, krajanët kanë therë gjedhë (qe dhe lopë) për pastram (mish për dimër). Pasi i thernin bagëtinë, e ripnin dhe e hapnin barkun dhe biseda e parë që kanë bërë gjatë kësaj kohe ka qenë për pshnetkën. A e shikove pshnetkën? Çka thot për dimën? A ka me kjen dimni i fort sivjet? E kështu me radhë. Pshnetkën e bagëtisë e dinin si shenji më i mirë se a do të jetë dimri i fortë apo i butë. Në pshnetkë kanë pasur besim të madh si shenjë nga se besonin se është diçka e sprovuar qysh në kohërat e lashta.
SHKUNDJA E BAGËTISË: Neqoftëse natën shkunden bagëtia dhe ogiçi (dashi i i kumonës) ose cjapi e trukullisin kumonën, besohej se të nesermën bora do ta mbuloj tokën, pra do të bie borë. Poashtu si shenjë e borës besohej edhe kur bagëtia ngurronte të hynte në vathë por vazhdonte duke kullotë edhe pse kishte filluar të errësohej, të bjere muzgu. Besohej se shpejt pritej të bjerë borë e madhe dhe të bënte të ftoft.
QENTË: Kur lehin qentë natën dhe të lehurat nuk i pushojnë dy tri netë me radhë, besohej se ndjellin mort në shtëpi apo në katund. Kjo lehje e pa ndërprerë e qenëve ka qenë edhe shenjë e ardhjes së ndonjë smundje – ligcine (epidemie) në katund siç kanë qenë në ate kohë: lija, tifa, kolli e smundje tjera që bëjshin kërdinë dhe shkretojshin katundin.
KORBAT: Kur sillën korbat në hava, përmbi katund duke krrokatë është shenjë e keqe dhe në katund do të ketë fatkeqësi, kob. Por ky shenj nuk është gjithëmonë i besueshëm nga se korbat krrokasin kur hetojnë edhe ndonjë coftinë.
PESHQIT: Kur peshqit në lëvizje e sipër kthehen me bark përpjetë kah sipërfaqa e ujit është shenj që shiu është sfër, kështu që brenda dy tri ditësh shiu do të bjerë.
BORA: Kur bje bora deri në breg të liqenit të Shkodrës (matanë) dhe qëndron gjatë aty pa u shkrirë është shenj se pret borën tjetër dhe se dimri ka shti mirë.
UJKU-LËKURA E UJKUT TË VRARË: Kur ndokush ka vrarë ujkun, zakonisht e ka zënë në kurthë, lëkurën e tij e ka mbushur me kashtë – byk, e kanë vënë në një hu (shkop) dhe me te kanë dal nëpër katund me lypë ndihma tek të gjithë nga ata që kanë pasur bagëti. Dashtë apo pa dashtë ka qenë detyrim që t’i jipet diçka si bie fjala bereqet, bylmet, apo gjëra tjera. Nëse nuk i kanë dhënë gjë ta hidhte qimen e ujkut në derë. Nëse të është lënë qimja e ujkut në derë ajo ka qenë shenjë që ujku do të lëshohet në bagëti dhe s’ta ka hjek gjë dëmin deret për shum kohë.
FTONJT:Kur ftonjt bëjnë shumë kokrra thuhej se dimri do të jetë i fortë me shumë borë dhe acar. Poashtu është besuar se kur ftonjt kanë shumë kokrra senja do të jetë gergase, sene e fitmeve dhe turbullimeve.
ndonjeher edhe ideja e te mocmeve nuk ka qen e logjikshme qe te pasohet ndaj fjaleve te tyre sepse jan disa ligje edhe me te forta sesa ligji i pleqve (katunit, qytetit, shtetit apo botnor), e ajo esht ligji i Perendis (Allahut), sepse si shum popuj edhe te mehershme jan bazuar nga bestytni qe te cilen vetem e vetem u mashtruan kinse mendonin se dicka po benin me ato gjera te paperfillura, ndonese edhe sot disa individ ende e pasojn rrugen (e gabuar)apo kanunin e atyre pleqve apo popujve te mehershem, andaj Perendia (Allahu) ka derguar pejgamber te ndryshem ngase popujt e mehershem filluan te marrin drejtime te gabuara ndaj vetes dhe ligjeve te Zotit, nga dergimi i pejgambereve te ndryshem me disa fletushka dhe libra hyjnore siq jane …teurati, zeburi, ungjilli dhe kur`ani esht shkaku qe te permisohen njerezit te dalin nga erresira ne drite, keshtu qe duhet te mohohen edhe ato fjal te pavlera qe esht ne dem te vehtes ton dhe qe te mos te bijm ne kundershtim ndaj te madhit Perendis (Allahut fuqi-plotit).