Këshilli Kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi dhe Forca e Re Demokratike urojnë sot për festën e madhe të shqiptarëve, 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Këto dy urime mund ti lexoni më poshtë.

Urimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi i uron të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut, Gëzuar Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë!

Gjuha shqipe, flamuri ynë kombëtar dhe atdheu ynë i përbashkët janë themelet mbi të cilat kemi ndërtuar identitetin tonë. Përmes tyre, bota na njeh dhe na respekton si një komb me histori, kulturë dhe vlera të jashtëzakonshme.

Le të kujdesemi që këto thesare të shenjta t’i ruajmë dhe t’i trashëgojmë brezave të ardhshëm, si pjesë të pandashme të identitetit tonë kombëtar.

Rroftë përjetësisht kombi shqiptar! 

Gëzuar 28 Nëntorin! 

Urimi i Forcës së Re Demokratike

Të nderuar bashkëkombës,

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë Kombëtare, Forca e Re Demokratike shpreh urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe veprojnë.

28 Nëntori është data që përmbledh gjithë krenarinë, historinë dhe sakrificat e një kombi që kurrë nuk u përkul para vështirësive. Në këtë ditë të shenjtë për shqiptarët, kujtojmë me nderim ngritjen triumfuese të Flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë më 1443 dhe shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë më 1912.

Kjo ditë simbolizon vullnetin e palëkundur të shqiptarëve për liri, mëvetësi dhe dinjitet kombëtar.
Ajo na rikujton sakrificat e brezave të tërë, mençurinë e prijësve tanë dhe përkushtimin e pandalshëm për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe dinjitetin shqiptar.

Për ne Shqiptarët autoktonë në Mal të Zi, 28 Nëntori mbetet një datë frymëzuese që na nxit të vazhdojmë angazhimin për realizimin e plotë të të drejtave tona kolektive dhe individuale.
Ajo na udhëzon drejt bashkërendimit dhe bashkëveprimit, drejt përfaqësimit të denjë dhe krijimit të kushteve të barabarta në përputhje me standardet dhe mekanizmat  institucional vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë ditë solemne, ne nderojmë të kaluarën, por po aq vleresojmë edhe të ardhmen – një të ardhme që ndërtohet mbi punë të ndershme, unitet dhe përkushtim ndaj komunitetit.

FORCA E RE DEMOKRATIKE

By admini

Leave a Reply