Shkruan: Esat Mehmeti

E duam nëntorin sepse na rikujton shumë ngjarje të mëdha historike, ngjarje që janë të lidhuar me identitetin tonë kombëtar. Nëntori është simbol i lirisë, i identitetit, i sakrificës dhe me krenari kujtojmë momentet që ndryshuan fatin e kombit tonë.

Nëntori është muaj i veçant për kujtesën tonë historike, sepse ai bart brenda vetes histori, bart kujtime, emocione dhe krenari kombëtare. Është muaj që për shqiptarët bart ngjarje të mëdha historike. Nëntori na kujton rrënjët tona, na kujton historinë tonë të lavdishme dhe vlerat që na bashkojnë si shqiptarë.Ky muaj lidhet me ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit tonë.Është muaji, në të cilin bashkohet e kaluara me të tashmen në një ndjenjë të fortë krenarie.Nëntori nuk është thjesht një muaj në kalendar. Ai është një kujtesë e gjallë e rrugës së vështirë që populli shqiptar ka kaluar me shekuj për të arritur pavarësinë dhe lirinë e vet.

                         Nëntori, muaji i identitetit kombëtar

Nëntori konsiderohet si muaji i ngjarjeve të mëdha, sepse pikërisht në këtë muaj u vendosen gurët themelorë të identitetit dhe lirisë sonë kombëtare. Ngjarje të mëdha që bart ky muaj na kujton se historia është ajo që na bashkon dhe na udhëheq drejt së ardhmes. Nëntori na sjell ndër mend momente historike dhe emocionale që lidhen me identitetin tonë kombëtar. Nëntori na sjell krenari dhe lidhje të fortë me hisorinë e popullit tonë. Ky muaj na kujton e gjyshërve tanë dhe të gjithë atyre që luftuan për liri, duke na lënë një atdhe të pavarur e të lirë. Nëntori është muaji që na jep forcë, na jep frymëzim dhe dashuri për atdheun.

Padyshim, ngjarje më e rëndësishme që lidhet me këtë muaj është 28 Nëntori i vitit 1912, Dita e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ditë shënon një moment historik që vendosi themelet e shtetit shqiptar. Ky akt i madh na kujton se liria që sot na e gëzojmë është fryt i unitetit dhe i përpjekjeve të mëdha për liri e  pavarësi. Firmëtarët e asaj dite historike ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ky moment është simboli i sakrificave dhe ëndrrës së gjatë të popullit tonë për liri e pavarësi. Ngritja e flamurit në Vlorë të asaj kohe është një imazh i paharrueshëm që mbetet në kujtesën e çdo shqiptari. Ai flamuar nuk është  vetëm një simbol, por është një dëshmi e rrugës së gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Po ashtu, nëntori bart historinë e vitit 1443, ngjarje e lavdishme kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngritri flamurin në Krujë. Ky moment shënoi fillimin e rezistencës shqiptare kundër pushtimit osman dhe u kthy në simbol të qëndresës, unitetit dhe krenarisë kombëtare. Ky akt heroik i heroit tonë kombëtar, jo vetëm që frymëzoi popullin shqiptar për shekuj me radhë, por e bëri Skënderbeun fuigurë të pavdekshme dhe mbeti një ndër figurat më të ndrituar të historisë sonë kombëtare. Ai përfaqësoi forcën, guximin dhe vendosmerinë e popullit shqiptar për të mbrojtur tokën dhe identitetin e tonë.

Po aq me vlerë është edhe 28 Nëntori i vitit 1944, i cili përkujton çlirimin e vendit nga pushtuesit nazistë. Kjo ditë përkujton sakrificat e mijëra dëshmorëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar për të rifituar lirinë dhe dinjitetin e tij në një nga periudhat më të errëta të historisë.

                                   Nëntori, bartës i historisë

Nëntori na kujton edhe shumë ngjarje në Kosovë. Është muaj që bashkon shqiptarët në ndjenja të përbashkëta krenarie, duke rikujtuar se historia jonë është e mbushur me sakrifica, figura të mëdha dhe me momente që duhet t’i çmojmë. Shumë familje në Kosovë dhe vende të tjera të banuara me shqiptarë e kanë ruajtur me fanatizëm këtë datë gjatë periudhave të vështira, duke e kthyer në simbol të qëndresës dhe unitetit kombëtar. Përveç kësaj, në Kosovë nëntori i vitit ’68, na përkujton ngjarje nga Levizja studentore, të cilët me protesta dhe demostratat e tyre paqësore dhe betejat politike ndryshuan sistemin politik, po aq sa edhe në Shqipëri në vitet ’90, ndërsa rezistenca dhe qëndresa heroike e popiullit të Kosovës vulosi fatin e saj.

Kur jemi të ngjarjet historike, me shumë vlerë duhet veçuar edhe nëntorin e vitit 1908, kur u mbajt  Kongresi i Manastirit, i cili përbën një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e kulturës dhe të kombit shqiptar në tërësi, në të cilin u vunë  themelet e Alfabetit shqip. Gjithashtu, një arritje tjetër e madhe është edhe Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në nëntor 1972. Ky Kongres u mblodh si forumi më i lartë shkencor në shkallë kombëtare për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për drejtshkrimin e gjuhës së sotme shqipe. Andaj, këto ngjarje të mëdhe kombëtare janë një thesar i historisë sonë që nëntori i ruan me krenari.

Kudo ku jetojnë shqiptarët, çdoherë kur vjen nëntori, zemrat e shqiptarëve rrahin fort. Ky muaj festohet me aktivitete kulturore, duke e kthyer reflektimin e unitetin kombëtar. Nëntori është një muaj i mbushur me simbolikë kombëtare, është muaj që bart histori dhe mësim për brezat. Nëntori na kujton rrënjët tona, na mëson të vlersojmë sakrificat e të parëve tanë dhe na fton të mbajmë lart vlerat e kombit.

Andaj, nëntori është një festë për të nderuar të kaluarën, për të vlersuar të tashmen dhe të ndertojmë të ardhmen.

Gëzuar 28 Nëntorin !

                    ……………………………………………………………

Marrë nga “ Koha javore”

By admini

Leave a Reply