Dje, Shqipëria, qytetaria shqiptare, fitoi testin e jashtëzakonshëm të mikpritjes tradicionale të shtëpisë së shqiptarit dhe po njësoj, të dinjitetit të një populli europian.
Gazetat e botës, nga Italia fqinje e deri në Shtetet e Bashkuara, ku futbolli është larg së qeni një sport i dorës së parë, shkruanin për ndeshjen e ditës, Shqipëri – Serbi. Natyrisht, askush përveç nesh, shqiptarëve, nuk ishte i interesuar se ç’rezultat do të kishte ndeshja. Media të huaja gjithandej flisnin për këtë ndeshje, sepse asnjë nuk e dinte me siguri çfarë do të ndodhte një vit pas shfaqjes së turpshme që ndodhi në Beograd dhe në një moment kur zhvillohej ndeshja e kthimit për derbin e Ballkanit.
Po aq natyrisht, sot, kur të gjithë ne, shqiptarët, jemi gdhirë të palumtur pas një humbjeje krejt të befasishme në fushën në lojës, pak ose aspak e kemi mendjen tek fakti se jashtë fushës së lojës i kemi befasuar të gjithë të tjerët, me nivelin e lartë të dinjitetit qytetar dhe sportiv. Përfshirë edhe kundërshtarët tanë.
Por, pa as më të voglin dyshim, nëse në fushën e lojës nuk ia dolëm dot ta mbajmë në minutat shtesë, pikën e artë që na hapte thuajse në treçerekun e saj, portën e madhe të finalistëve të Francës, mbajtja lart e nivelit të kulturës sportive në kushtet e një tensioni të madh, jo vetëm sportiv, i ka dhënë tre pikë të arta Shqipërisë si vend dhe shqiptarëve si popull.
E ky nuk është aspak një ngushëllim për humbjen në fushën e lojës, mjafton të parafytyrosh se çfarë do të ishim duke ndjerë dhe duke folur sot, nëse ultrasit kuqezinj do të kishin rënë në batakun e turpshëm të huliganëve serbë në Beograd. Kuqezinjtë në tërësi dhe Shoqata e Tifozëve Kuqezi në veçanti u treguan fantastikë, në mbështetjen entuziaste të skuadrës për 90 minuta, po edhe në dhënien e provës së pakontestueshme të dallimit të qartë mes klimës mbytëse të stadiumit të Beogradit dhe atmosferës festive të Elbasan Arenës. Për 94 minuta nuk është dëgjuar asnjë kor racist. Nuk është sulmuar verbalisht asnjë lojtar serb.
Jo vetëm që skenat e shëmtuara të sendeve të forta që fluturonin mbi kokat e futbollistëve tanë, gjatë ndeshjes së një viti më parë, nuk janë përsëritur as në formën më minimale, po madje është duartrokitur me sportivitet shembullor kapiteni i skuadrës serbe, gjatë daljes nga fusha për shkak të dëmtimit në lojë.
E përsëris, nëse do të kishim dalë nga Elbasan Arena me pikën e artë në dorë, do të ishte shumë më e lehtë për shumëkënd që ta shihte me kaq kthjelltësi, se çfarë kontributi të madh ka dhënë për Shqipërinë, fisnikëria e djeshme e kuqezinjve në shkallët e stadiumit dhe vetëpërmbajtja e tyre brenda kornizës së festës sportive, qoftë në rrugët e Tiranës, qoftë në ato të Elbasanit, qoftë para, qoftë pas ndeshjes.
Prandaj, dua t’u përulem me mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre, mijëra e dhjetëra mijëra, mbase qindra mijëra sportdashësve që e mundësuan kalimin me kaq sukses të këtij testi kaq të vështirë për Shqipërinë mikpritëse.
Në radhë të parë, mirënjohja i shkon Shoqatës së Tifozëve Kuqezi, ultrasve të mrekullueshëm të Kombëtares, të cilët, të rreshtuar në tribunën anësore të Elbasan Arenës, bënë përgjatë 94 minutave, një spektakël të denjë për stadiumet europiane të derbi-ve më të nxehtë. Pastaj, të gjithë të tjerëve, të cilët nën dirigjimin e tifozëve të tribunës anësore, krijuan rreth e rrotull fushës, një mur njerëzor thirrjesh inkurajuese e dallgësh brohoritëse të vazhdueshme. Padyshim, edhe arbitrit italian, Rizzoli-t të famshëm të finales së Kupës së Botës, për të cilin një gazetë sportive italiane shkruante dje: “Rizzoli po shkon në Shqipëri për ndeshjen me Serbinë. Do ta kujtojmë si një njeri të drejtë”. Merreni me mend vetë, se me çfarë ankthi ka qenë e mbarsur imagjinata e të tjerëve për këtë ndeshje, a thua se Rizzoli po vinte në një fushë lufte nga ku s’do të kthehej më i gjallë.
Mirënjohje padyshim, edhe të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët me profesionalizmin e tyre përballuan me sukses të plotë një rrethanë aspak të lehtë emocionale, të krijuar në vigjiljen e derbit të Ballkanit. Ku janë ende jo të paktë, ata që e kanë të vështirë të ndajnë sportin nga politika; futbollin nga historia; lojën nga lufta. Aq më keq për ta dhe mëshirë për këdo prej tyre që, fatkeqësisht, sidomos pas bilbilit të fundit, e harroi gjithçka që kjo Kombëtare e paparë në historinë e Shqipërisë, si edhe trajneri më i suksesshëm që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, kanë bërë deri këtu për futbollin shqiptar dhe për të gjithë ne.
Por fatmirësisht për Shqipërinë, kjo pakicë, që besnikërinë ndaj Kombëtares e kushtëzon me sa pikë marrim e jo me sa shpirt derdhim në fushë, po njësoj sikundër besnikërinë ndaj atdheut e kushtëzon me sa shumë jemi në gjendje t’i urrejmë të tjerët, e humbi dje plotësisht rastin, për ta njollosur Shqipërinë dhe nuk i mbeti asgjë tjetër, përveç lumenjve të vrerit nëpër rrjetet sociale.
Shqipëria doli me nder e me faqe të bardhë nga testi i vështirë i maturisë qytetare. Ndërsa kuqezinjtë në fushë dhanë gjithçka mundën, nën barrën e tmerrshme psikologjike të një përgjegjësie që kush nuk ka luajtur ndonjëherë me fanellën e ekipit kombëtar, as që mund ta imagjinojë e jo më ta kuptojë.
Ja pse dua ta mbyll me një shprehje të fortë mirënjohjeje për lojtarët dhe trajnerin e Kombëtares Kuqezi. Sepse, nëse jemi akoma në lojë për kualifikimin direkt në Finalet e Europianit në Francë, është merita e tyre dhe e askujt tjetër.
S’kemi qenë kurrë në këto kushte. S’e kemi menduar kurrë, që mund të vinte dita që ne të jetonim me ethet e kualifikimit për në finalet e një Europiani. Jo pas dy humbjeve, me Portugalinë e me Serbinë, dy skuadra të mbushura me yje, të cilat në letër e në vlera monetare lojtarësh as nuk krahasohen me skuadrën tonë, po edhe pas dyzet humbjeve të tjera, ky ekip dhe ky trajner që kemi sot, meritojnë një monument në zemrën e çdo tifozi kuqezi dhe në kujtesën tonë kolektive sportive, për atë çka kanë bërë deri këtu.
Dihet botërisht se futbolli nuk tërheq vetëm të mençurit e të arsyeshmit, po i tërheq që të gjithë. Ashtu siç dihet globalisht, se armiqtë e pandarë të futbollit janë budallenjtë që e shohin fushën e blertë, si një hapësirë për të shfryrë urrejtjen raciste, etnike, fetare dhe lloj-lloj mllefesh e pasigurish provinciale. Të cilat, jo rrallë, i kthejnë në arena dhune edhe ndeshjet e kategorisë së fundit këtu në vendin tonë. Pa llogaritur faktin, se siç e ka thënë legjendari Loro Boriçi, shqiptarët janë një popull trajnerësh; çka na bën shumë qesharakë, kur me gjoja argumente, ata që i kemi bërë dragonj për fitoren në Beograd i kthejmë në pula për humbjen në Elbasan; po edhe shumë të mëshirueshëm, kur pasi i kemi ngritur në shtatë qiej si heronj, i zhysim shtatë pashë nën dhè si të shitur.
Ndërkohë Kombëtarja është ende aty, në vijën e kufirit për të hyrë në Francë. Prandaj le të vazhdojmë t’i gëzohemi lojës. Le të vazhdojmë t’i mbështesim fort lojtarët dhe trajnerin. Le të vazhdojmë ta jetojmë bukur, këtë ëndërr kaq tërheqëse, të cilën e kemi dhuratë vetëm prej kuqezinjve që hyjnë në fushë dhe atij që i udhëheq nga stoli. Askujt tjetër.
Dhe le të jemi krenarë për shembullin e shkëlqyer të qytetarisë europiane, që kuqezinjtë në shkallët e stadiumit dhe Shqipëria kuqezi dha dje duke bërë diferencën. Për vete, për botën që mbrëmë i kishte sytë tek ne, me frikën se do të bëhej hataja dhe mbi të gjitha, për gjeneratën tjetër, që nesër do ta bëjmë krenare përmes punëve të mira të së sotmes, siç është puna kaq e mirë dhe kaq e mbarë e Kombëtares Kuqezi.
Po z. Rama, por dje kemi luajtur futboll dhe nuk fitueme!