Parlamenti i Malit të Zi ka aprovuar një ligji me të cilin të gjitha nënat të cilat kanë tre dhe më shumë fëmijë do të fitojnë pension të përhershëm.
Një sqarim rreth gjithë kësaj ka dhënë deputeti shqiptar në parlamentin e Malit të Zi Nik Gjeloshaj nëpërmjet një postimi të tij në rrjetin social facebook.
Më poshtë mund të lexoni të plotë postimin e deputetit Gjeloshaj me sqarimet e nevojshme.
Shkruan Nik Gjeloshaj
Të nderuar qytetar,
Dua të informoj të gjitha familjet shqiptare, sidomos ato nëna të cilat kanë tre dhe më shumë fëmijë, se në Parlamentin e Malit të Zi është aprovuar ligji ku nënat të cilat kanë tre dhe më shumë fëmijë do të fitojnë pension.
Për ato nëna që kanë tre ose më shumë fëmijë dhe 15 vjet punë do përfitojnë vlerën e 70% të rrogës mesatare në Mal të Zi, që do të thotë që nga janari i vitit 2016, nënat që plotësojnë kushtet e mësipërme do të marrin rreth 330 euro në muaj.
Për nënat që kanë tre dhe më shumë fëmijë, por nuk plotësojnë kushtin e viteve të punës, por janë të paraqitura në Entin për punësim “Biro” 15 vite, do përfitojnë 40% të rrogës mesatare në Mal të Zi, ose thënë ndryshe, nga janari i vitit 2016 nënat të cilat kanë tre ose më shumë fëmijë dhe kanë 15 vite të paraqitura në Entin për punësim “Biro” do marrin 200 euro në muaj.
Për të plotësuar këto kushte dhe për tu bërë pjesë e kësaj duhet që në kohë të përgatiten dokumentacioni i nevojshëm. Unë dhe stafi im jemi të gatshëm që në çdo moment, të gjitha familjeve që plotësojnë këto kushte tju ndihmojmë në përgatitjën e dokumentacionit të nevojshëm.
Ky ligj është propozuar nga Deputetit Damjanoviq nga SNP dhe është përkrah nga partitë opozitare dhe partitë e pakicave. Me shumë kënaqësi unë dhe Deputeti Genci Nimanbegu kemi votuar këtë ligj për arsye se jemi të bindur që ka shumë familje shqiptare që do përfitojnë nga kjo.
Ky ligj është aprovuar para disa javësh në Parlamentin e Malit të Zi, por si çdo gjë tjetër e rëndësishme nuk ka vend në disa media tona.