armata-veriut-kukesi100 mijë euro për kualifikimin, pre mion e rrita një ditë përpara ndeshjes”. Safet Gjici është në delir pas kalimit të turit të djeshëm nga skuadra e tij. Vlerëson paraqitjen e skuadrës, në një kohë që veçon brazilianët dhe Pero Pejiç.
Kreu i klubit verilindor thotë se ishte i bindur për kualifikimin, pavarësisht se nuk e priste që të shënoheshin tre gola brenda 30 minutash. “Ky është Kukësi i vërtetë. Shohim vetëm përpara dhe pse jo të mos shpresojmë të hyjmë në fazën e grupeve”, thotë ndër të tjera Gjici në intervistën e tij për gazetën “Panorama Sport” pas takimit të djeshëm.

Cili ishte çelësi i suksesit të asaj fitoreje spektakolare që solli kualifikimin?
Angazhimi maksimal i të gjithëve, duke nisur nga mua si president, stafi teknik dhe lojtarëve në fushë. Po ju them që ai që patë është Kukësi i vërtetë. Ndryshe nga ndeshja e parë që e nënvlerësuam kundërshtarin dhe e morëm lehtë, në këtë përballje ishim super dhe arritëm synimin.

E kishit menduar atë start, tre gola brenda 30 minutash?
Të them të drejtën, fitoren dhe kualifikimin isha i bindur që do ta arrinim, por se do të shënonim tre gola brenda 30 minutave të para nuk më kishte shkuar nëpër mend. E gjithë skuadra bëri një paraqitje shumë të mirë dhe lojtarët dhanë maksimumin.

Premio për kualifikimin ishte 50 mijë euro, po për kalimin e turit të tretë sa do të jetë?
Dua të saktësoj diçka për sa i përket kësaj çështjeje. Një ditë përpara ndeshjes e kam rritur shumën e premios për kalimin e këtij turi nga 50 mijë në 100 mijë euro. Edhe ky ishte një motiv shumë i madh për lojtarët. Për sa i përket turit të tretë, ka kohë për të menduar, do të shoh gjatë këtyre ditëve dhe do të vendos.

U dëgjuan edhe thirrje raciste në stadium…
Sa herë që ata lëshonin thirrje raciste, ne shënonim gola. Ata na ngrinin tre gishtat lart, ne u shënuam tre gola që në pjesën e parë… Kur nxirrnin flamujt e tyre, ne nxirrnim flamurin shqiptar. Ishte një fitore jo vetëm e Kukësit, por e të gjithë shqiptarisë. Dua të falënderoj shumë tifozët që kishin udhëtuar nga Kukësi, Shkodra apo edhe Tuzi me shpenzimet e tyre për të mbështetur skuadrën. Dhe Kukësi iu bëri dhuratën që prisnin duke u kualifikuar.

Kë prej lojtarëve do të veçonit?
Të gjithë bënë një paraqitje shumë të mirë. Megjithatë, dua të veçoj brazilianët, përveç Leonardos që zëvendësoi Pejiçin, i cili nuk është në nivelin që kërkon Kukësi. Gjithashtu, vlerësoj maksimalisht edhe Pejiç për atë që bëri në fushë.

Në turin e tretë, përballë Legia Varshavës, besoni te kualifikimi?
Ata janë një skuadër e fortë, por ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar më tej. Paraqitja e djeshme e Kukësit ishte një përgjigje për të gjithë ata skeptikë dhe analistë që kryqëzuan skuadrën pas ndeshjes së parë dhe kërkonin të fusnin përçarje në ekip. Apo abuzime me premion e vendosur nga unë. Gjici atë që thotë e mban dhe këtë e dinë të gjithë. Dua të them që unë nuk kam lënë dhe nuk kam për të lënë asnjëherë ndeshje. Për këtë të jeni të bindur. Synimi është të ecim sa më larg dhe pse jo të synojmë edhe grupet e Ligës së Europës.

Tifozët ishin shumë aktivë duke e mbështetur ekipin deri në fund…
Dua t’i përshëndes për mbështetjen që na dhanë në stadium. Udhëtuan me shpenzimet e tyre dhe dhuruan spektakël. Gjithashtu, falënderoj edhe figura të ndryshme të sportit, të cilët ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur Kukësin, si: presidenti i Prishtinës, ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, dhe disa të tjerë.

By admini