
Ilustrim
Zevendëskryeministri i Malit të Zi për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar lidhur me emërimin e drejtorit të Shkollës së Mesme në Ulqin, duke e cilësuar vendimin si poshtërues për qytetin dhe qytetarët e Ulqinit.
Në një postim publik në rrjetin social facebook, Gjeloshaj ka reaguar ashpër ndaj emërimit të drejtorit të Shkollës së Mesme në Ulqin, duke e cilësuar vendimin si “provokim institucional” dhe “shprehje të albanofobisë”. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve, prindërve, mësimdhënësve dhe punonjësve të shkollës që të mos e pranojnë këtë, sipas tij, poshtërim ndaj Ulqinit dhe shqiptarëve.
Postimi i plotë:
Vendimi që drejtori i shkollës së mesme në Ulqin të sillet nga një komunë tjetër, sikur në vetë Ulqinin të mos ketë njerëz profesionistë, të arsimuar dhe të aftë, është një përpjekje e mjerë për të poshtëruar një qytet dhe qytetarët e tij.
Veçanërisht është e papranueshme që në krye të një shkolle, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, të emërohet një person që nuk e flet gjuhën shqipe. Kjo nuk është respektim i multietnicitetit, por provokim institucional dhe shprehje e albanofobisë.
I ftoj qytetarët e Ulqinit, prindërit, mësimdhënësit dhe të punësuarit në shkollë që ta ngrenë zërin dhe të mos e pranojnë këtë poshtërim.
Natyrisht, Forumi Shqiptar do të ketë një përgjigje të qartë dhe të fuqishme politike ndaj këtij shovinizmi. Njëkohësisht, i ftoj të gjitha partitë politike dhe organizatat shqiptare që të bashkohemi dhe t’i përgjigjemi së bashku çdo përpjekjeje për diskriminimin dhe poshtërimin e shqiptarëve.
Këtu nuk ka vend për dallime partiake. Kur cenohen dinjiteti, gjuha dhe të drejtat tona, përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, demokratike dhe e vendosur.
Është koha që së bashku t’i japim fund shovinizmit dhe albanofobisë në institucione.
Në emër të çdo shqiptari
NGJ.
