
Këshilltari i Lëvizjes URA në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Arian Murati, ka reaguar publikisht pas ndryshimeve në drejtimin e Gjimnazit “Vëllazërim Bashkim”, duke shprehur vlerësim të lartë për punën e deritanishme të drejtoreshës Ardita Kovaçi.
Në një postim në rrjetet sociale, Murati e cilësoi Ardita Kovaçin si një nga drejtoreshat më të afta, më profesionale dhe më të përkushtuara që ka pasur Ulqini.
“Për mua, Ardita ishte drejtoresha më e aftë dhe më profesionale ndër të gjitha shkollat e Ulqinit, një model i përkushtimit, seriozitetit dhe integritetit në drejtimin e një shkolle. Padrejtësia ndonjëherë është e dukshme edhe kur përpiqemi të mos e themi me zë”, shkroi Murati.
Në postimin e shoqëruar me fotografi, ai theksoi se Gjimnazi “Vëllazërim Bashkim” mund të ketë shumë drejtorë në të ardhmen, por sipas tij, do ta ketë të vështirë të gjejë një drejtoreshë më të aftë, më profesionale dhe më të përkushtuar se Ardita Kovaçi.
Murati vlerësoi punën katërvjeçare të saj në krye të institucionit, duke theksuar se përkushtimi dhe rezultatet meritojnë të vlerësohen.
“Katër vite punë, përkushtim dhe rezultate meritojnë të vlerësohen. Faleminderit, Ardita, për gjithçka që i dhe kësaj shkolle. Kontributi yt mbetet, pavarësisht vendimeve që merren sot”, u shpreh ai.
Deklarata e këshilltarit të URA-s vjen në një periudhë kur çështjet që lidhen me emërimet dhe ndryshimet në institucionet arsimore kanë ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin publik lokal.
