Nga Ali Salaj

Faktori politik shqiptar këto ditë ka nisur sezonin e zgjedhjeve të drejtorëve në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ky proces, si rëndom, mbahet formalisht në kuadër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, i cili jep mendimin për drejtorët, ku  në vend që të shërbej si një mekanizëm mbrojtës për pakicat, në realitet po degjeneron nepotizëm e servilizëm duke e komprometuar në tërësi procesin.

Përzgjedhja e kuadrit drejtues të shkollave parauniversitare u bazua kryesisht në kandidatët partiakë me ndikime politike dhe largë meritokracisë. Në vend që anëtarët e KKSH-së ta kundërshtojnë këtë praktikë, ata ad hoc  i mbështetën kandidatët partiakë, duke treguar se ky institucion ka mbetur në rolin e një spektatori, pa bërë përpjekje për tu faktorizuar si subjekt i pavarur dhe mbipartiak. Përkundrazi, KKSH gjendet në një “gjendje konservimi” duke inkurajuar partitë politike të plasojnë kandidatët e tyre në postin e drejtorëve të shkollave në gjuhën shqipe. Kësisoji ky subjekt nuk orientohet nga profesionalizmi as nga drejtësia dhe morali, por mbetet  i kapur nga politika dhe militantët e tyre.

Kandidatët që konkurruan për këtë post janë puro partiakë dhe nën dominimin e dy partive politike shqiptare, që janë pjesë e Qeverisë- Aleanca Shqiptare dhe Forumi Shqiptar. Në këtë kuadër, shumica e kandidatëve janë përafërsisht të njëjtë vetëm se kanë kërcyer, si pleshtat, nga njëra parti në tjetrën. Ata që para katër viteve ishin në Lëvizjen Qytetare “URA” , atëherë pjesë e pushtetit ose në PDS, kanë lëvizur drejt partive politike shqiptare që aktualisht gjenden në qeveri. Në këtë rirreshtim anëtarët e KKSH mbështetën kandidatët e Aleancës Shqiptare, ku bën pjesë  ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka kundrejt kandidatëve të Nik Gjeloshajt, zëvëndëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik. Megjithatë duhet të presim edhe pakë kohë për të parë kush do të ketë ndikimin më të madh në vendimin final te Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Malin e Zi. Te dy këto politikanë, që flejnë nën çarçafin e Qeverisë, do të bëjnë çmos që kandidatët (militantët) e tyre të zgjidhen në poste aq të rëndësishme për arsimin në gjuhën shqipe, pasojat e të cilëve do ti vuajnë shkollat dhe formimi i përgjithshëm i nxënësve.

Sipas sinjaleve të para, ndikimin më të madh në përzgjedhjen e këtij kuadri drejtues do ta ketë Forumi Shqiptar, të cilën gjë e dëshmon edhe zgjedhja  drejtor e vëllait të  ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj, në Shkollën fillore “Bashkimi” në Skorraq të Hotit.

Prandaj duket shumë naive përpjekja e KKSH-së të luaj rolin e një partneri imponues kur gjithnjë e më shumë po zhytet në lojërat politike të partive që nuk çojnë askund, përveçse në humbjen e shpresës rinore për një të ardhme më të mirë.

KKSH, për fat të keq, në vazhdimësi bën shkelje të rënda ligjore duke nisur nga procedura e zgjedhjes së anëtarëve të tij, ku nënshkrimet kopjohen pa pikë turpi nga listat zgjedhore të partive politike shqiptare, te kurdisja e Kuvendit të Elektorëve, formimi i  komisioneve e deri tek Këshilli programor i “Kohës javore”, që janë mbuluar kryesisht me partiakë apo militantë të tyre. Në një subjekt të këtillë mungon mendësia e avancimit kulturor e arsimor, gjë që  dëshmohet me mospërfshirjen e personaliteteve dhe ekspertëve të njohur nga shkenca, kultura dhe informimi. Si pasojë e kësaj qasjeje, disa projekte të inicuara dhe të realizuara nga jashtë , siç është rasti i librave të historisë për shkollat në gjuhën shqipe, KKSH  i mbylli në sirtarin e vet dhe po hesht kundrejtë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me të cilët duhet të përmbushet obligimi ligjor i programeve mësimore në gjuhën shqipe. Ky është dhe mbetet paradoksi i një institucioni kryesor i vetadministrimit kulturor, arsimor dhe politik i pakicës shqiptare, ku në vend të shërbimit  për interesat kombëtare vepron si një filial politik për interesa të gushta partiake.

By admini

Leave a Reply