
Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon me punën e jashtëzakonshme dhe konkrete për ndihmë vendlindjes. Ky fondacion për të gjashtin vit radhazi ka realizuar ndarjen e bursave për studentë shqiptarë nga Mali i Zi, duke vazhduar traditën e mbështetjes së arsimit dhe rinisë shqiptare. Këtë vit, përfituese ishin 81 studente dhe studentë, ndërsa shuma totale e ndarë kap vlerën prej 77 mijë eurosh (rreth 91 mijë dollarë), shkruan Ulqini Online.
Para pranimit të bursave, studentët kishin përgatitur secili nga një temë personale, ku trajtonin rrugëtimin e tyre akademik, ndikimin e diasporës shqiptare dhe rolin e Fondit “Trojet Tona” në jetën dhe formimin e tyre profesional. Në këto prezantime, studentët ndanë edhe vizionin e tyre për të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e kësaj ndërthurjeje mes diasporës dhe vendlindjes në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Një pjesë e madhe e studentëve theksuan se synimi i tyre është që, pas përfundimit të studimeve, të kthehen dhe të kontribuojnë me dije dhe përvojë në vendlindjet e tyre, duke ndihmuar zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor të këtyre trevave.
Ceremonia e ndarjes së bursave u organizua në Plavë, ndërsa për studentët ishte siguruar transport falas nga Ulqini, Tuzi, Rozhaja dhe Prishtina. Qëllimi i zgjedhjes së Plavës si vend organizimi ishte jo vetëm ndarja e bursave, por edhe njohja nga afër e këtyre trevave shqiptare dhe forcimi i lidhjeve mes vetë studentëve.
Në kuadër të aktivitetit u organizuan edhe vizita kulturore, ku studentët patën mundësi të vizitojnë Liqenin e Plavës dhe Krojet e Ali Pashë Gucisë, pika simbolike me vlera të veçanta historike dhe turistike.
Programi u pasurua edhe nga nxënësit kursistë shqiptarë të folklorit nga Rozhaja, të cilët interpretuan pika të bukura nga vallet tradicionale më përfaqësuese të atyre trevave, duke sjellë emocione të veçanta dhe duke ruajtur gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare.
Për studentët ishte organizuar edhe një drekë e përbashkët, e cila shërbeu si një rast i mirë për bashkëbisedim, njohje dhe krijim të lidhjeve të reja mes të rinjve nga troje të ndryshme shqiptare.
Grumbullimi i mjeteve financiare u mundësua falë kontributit të donatorëve, me Vjosa dhe Richard Luka – Fondacioni Lukaj, të cilët mbuluan 50% të fondit, të ndjekur nga Familja Hajdari me 10%, Dina dhe Ahmet Kurmemaj me 5%, Fondacioni Plavë e Guci me 5%, si dhe donatorë të tjerë të Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”.

Ky aktivitet përbën një dëshmi të fuqishme të rolit të diasporës shqiptare në mbështetjen e arsimit dhe të ardhmes së të rinjve, duke ndërtuar ura të qëndrueshme mes diasporës dhe trojeve shqiptare.



