
Foto: rtcg
Punimet në rrjetin e ujësjellësit në rrugën Hafiz Ali Ulqinaku në Ulqin janë ndërprerë përkohësisht, pasi gjatë gërmimeve janë zbuluar mbetje të ndërtesave të vjetra. Vendimi për ndalimin e punimeve është marrë nga Drejtoria për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore, me qëllim ruajtjen e këtij lokaliteti me vlerë të mundshme arkeologjike, shkruan Ulqini Online.
Sipas burimeve historike dhe fotografive të vjetra, në këtë zonë dikur ndodhej çarshia e vjetër e Ulqinit, e cila shtrihej nga rrethrrotullimi te Tre Ullinjtë deri te Plazhi i Vogël. Kjo zonë dikur përfaqësonte arterien kryesore të qytetit në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, me shumë dyqane dhe oborre, duke qenë qendër e rëndësishme tregtare dhe urbane.
Arkeologu Anton Lulgjuraj për rtcg deklaroi se gjatë punimeve është zbuluar një mur me gjatësi rreth 20 metra, si dhe disa mure dhe tunele të tjera, çka dëshmon për kompleksitetin dhe rëndësinë e këtij lokaliteti.
“Pas Luftës së Dytë Botërore janë realizuar punime të mëdha në infrastrukturën elektroenergjetike dhe të ujësjellësit, të cilat kanë ndryshuar ndjeshëm pamjen e hapësirës së dikurshme të Çarshisë së Vjetër,” theksoi Lulgjuraj.
Ai shtoi se zgjidhja më e mirë do të ishte ruajtja e objekteve të zbuluara, me zhvendosjen e trasës së kanalit të ujësjellësit për disa metra, në mënyrë që të mos dëmtohet trashëgimia kulturore.
Se kur do të vazhdojnë punimet, si dhe nëse muret e zbuluara do të ruhen, do të vendosë Drejtoria për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore pas përfundimit të vlerësimeve dhe hulumtimeve të mëtejshme arkeologjike.
