Komuna e Ulqinit do të shënojë nesër një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe sociale. Me fillim nga ora 15:00, në Fushën e Ulqinit do të mbahet ceremonia e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e kopshtit të ri për fëmijë, një projekt i shumëpritur nga qytetarët, shkruan Ulqini Online.

Sipas njoftimit të Komunës së Ulqinit, ky projekt përfaqëson më shumë se një investim ndërtimor – ai shihet si një angazhim konkret për të ardhmen e fëmijëve dhe për krijimin e kushteve më të mira për familjet ulqinake. Autoritetet komunale theksojnë se pas një pritjeje të gjatë, ky projekt po kalon nga premtimi në realizim.

Ceremonia do të zhvillohet në prani të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, përfshirë ministren e Punëve Publike, Majda Axhoviq, dhe ministren e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjela Jakshiq Stojanoviq. Prania e tyre, sipas Komunës, konfirmon rëndësinë që ky projekt ka jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë shtetëror.

Komuna e Ulqinit ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë ngjarje dhe të mbështesin nismat që synojnë zhvillimin afatgjatë të qytetit, veçanërisht ato që kanë në fokus mirëqenien e brezave më të rinj.

Vendosja e gurthemelit shënon fillimin zyrtar të ndërtimit të kopshtit për fëmijë, i cili pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve edukative në qytet dhe të lehtësojë nevojat e prindërve për përkujdesje parashkollore.

By admini