
Shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi kanë shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, përmes programeve kulturore dhe aktiviteteve të organizuara nga nxënësit dhe mësimdhënësit, duke nderuar rolin dhe kontributin e mësuesve në edukimin e brezave të rinj.
Në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, më 6 mars 2026, nxënësit e ciklit të ulët organizuan një program simbolik kushtuar kësaj dite të veçantë. Aktiviteti u shoqërua me këngë, poezi dhe mesazhe falënderimi për mësuesit, të cilët çdo ditë, me përkushtim dhe dashuri, përcjellin dijen dhe edukimin tek brezat e rinj.
Programi u realizua me angazhimin e mësimdhënësve të shkollës të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim kontribuuan në organizimin e këtij aktiviteti të veçantë. Nxënësit shprehën mirënjohjen e tyre të sinqertë për mësuesit, duke theksuar rëndësinë e punës dhe sakrificës së tyre në formimin e tyre arsimor dhe njerëzor.
Po ashtu, edhe Gjimnazi i Ulqinit e shënoi Ditën e Mësuesit me një program të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. Aktiviteti u karakterizua nga interpretime artistike, recitime dhe mesazhe vlerësimi për mësuesit, duke krijuar një atmosferë festive dhe mirënjohjeje.
7 Marsi është një datë me rëndësi të veçantë për arsimin shqiptar, pasi lidhet me hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887. Kjo shkollë kishte karakter kombëtar dhe laik, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi dhe Thoma Avrami.
Kjo datë ka filluar të shënohet si festë e mësuesit që nga vitet 1960 dhe sot mbetet një ditë e rëndësishme për të nderuar punën dhe kontributin e mësuesve në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Përmes këtyre aktiviteteve, shkollat shqipe në Mal të Zi vazhdojnë të ruajnë dhe të promovojnë traditën e arsimit në gjuhën shqipe, duke përforcuar lidhjen e nxënësve me dijen, kulturën dhe identitetin kombëtar.
