Diskursi politik

Duke marrë parasysh se pas miratimit  te ndryshimeve në ligjin zgjedhor(27 korrik 2025)  punët kanë ngecur   për të miratuar ndryshimet  që kanë të bëjnë kryesisht me listat e hapura zgjedhore  dhe rregullimin e regjistrit zgjedhor, anëtarët e Këshillit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore  duhet të  përshpejtojnë punën në këtë drejtim,  sepse afati fundit është muaji qershor, për ta përfunduar këtë proces  të kornizës zgjedhore, ndërsa   mossuksesi eventual në këtë drejtim do të ishte goditje për demokracinë pluraliste  në Mal të Zi

Nga Nail   Draga

Nga ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi me 30 gusht 2020, në lidhje me reformën zgjedhore nuk është punuar pothuaj asgjë, ndërsa ne mbledhjen e Kuvendit, me 27 korrik 2025 deputetet miratuan ndryshimet në Ligjin për ndryshime  e plotësime  për zgjedhjen e këshilltarëve  dhe të deputetëve  ku risi paraqet listat e hapura, pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhje, barazimi i gjinisë femërore në parlament(40%), duke qenë një hap demokratik në zgjedhjen e qytetarëve në procesin  zgjedhor. Po ashtu  parashihet profesionalizimi  dhe depolitizimi i organit në realizimin e zgjedhjeve-Komisionit Qendror Zgjedhor, që është një hap përpara, ndërsa është vendosur që zgjedhjet lokale të mbahen në një ditë (13 qershor 2027).

Ndonëse  çështja e reformës zgjedhore   ka qenë e  rekomanduar vite më radhë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, por, jemi dëshmitarë se  ishin partitë politike të cilat këtë çështje e kanë margjinalizuar, për qellime të tyre politike.

Listat e hapura kundër partitokracisë                         

Vetëm listat e hapura janë modeli transparent  për të eliminuar shtetin partiak dhe partitokracinë, e cila është e pranishme në çdo veprimtari shoqërore. Ndonëse nga data 30 gusht 2020 u bë ndryshimi i pushtetit, Mali I Zi vazhdon si më parë të jetë shtet partiak. 

Listat e hapura  mundësojnë nivelin më të lartë  të demokracisë së drejtpërdrejt, si dhe mundësojnë përgjegjësinë e vet deputetëve sepse qytetarët suveronitetin e tyre iu bartin deputetëve në kuadër të listës përkatëse zgjedhore. Kemi të bëjmë me mundësinë që qytetarët do i votonin ata të cilët mendojnë se do ti përfaqësojnë  në mënyrë më të mirë në pushtetin lokal e ate qendror. Në këtë aspekt Këshilli për Reformën Gjiithëpërfshirëese Zgjedhore, duhet të vendosë për modelin përkatës zgjedhor që duhet të jetë në favor të qytetarëve e jo si deri me tash që ishte për partitë politike.

Në muajt në vazhdim do të dihet se kush është në të vërtetë për  ndryshime  për reformën zgjedhore, apo deklarohen vetëm për hir të opinionit.

Modeli i Kosovës më i pranueshëm

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me modelin zgjedhor i cili deri me tash nuk ka qenë në praktikë në Mal të Zi, nuk ka dilemë se modeli me i pranueshëm i listave të hapura është ai i Kosovës. Nëse deri para zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025, qytetari në listën zgjedhore partiake, ka pasur mundësi të rrumbullakoj 5 kandidatë për deputet, nga ato zgjedhje në sajë të ndryshimeve të ligjit zgjedhor qytetarët tash kanë të drejtë të votojnë për 10 kandidatë. Në parlament do të hyjnë ata kandidatë të cilët do të marrin më së shumti vota prefirenciale drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa  renditja e deputetëve në listën zgjedhore partiake nuk luan rol sepse ajo definitive varët nga votat e qytetarëve në zgjedhje.

Shqiptarët me kërkesa të veçanta

Në mungesë të një platformë politike për shqiptarët në Mal të Zi  çështja e përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Malit të Zi, mbetet çështje e hapur. Dhe nuk ka si të  jetë ndryshe sepse shqiptarët janë e vetmja popullsi sllave në Mal të Zi, e cila ka të veçantat e saja dalluese nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Ndërsa këtij konstatimi duhet shtuar edhe numrin e vogël të popullsisë(5%), andaj pjesëmarrja në  zgjedhje kërkon një qasje të veçantë analoge me vendet demokratike, sipas standardëve ndërkombëtare.

Në lidhje me këtë çështje duhet  koordinim i  partive politike të shqiptarëve  duke marrë parasysh se nuk kemi të bëjmë me çështje partiake, por  të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi. Andaj, në këtë aspekt përgjegjësia bie mbi partitë parlamentare  për të qënë në nivelin e detyrës  duke lënë anash animozitetet e interesat partiake. Në lidhje me këtë çështje  duhet të organizohet takim i veçantë duke ftuar  profesionist të kësaj fushe  duke u bazuar në legjislacionin vendor e standardët ndërkombëtare kur janë në pyetje popujt e ndarë, përkatësisht popujt pakicë.  

Forumi Shqiptar me propozime

Ne lidhje me këtë çështje  deri më tash Forumi Shqiptar është paraqitur me një kumtesë(5.11.2025) ku trajton çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në nivelin shtetëror, duke dalur me propozim konkret që:   shqiptarët duhet të kenë katër mandate të garantuara parlamentare në Kuvendin e Malit të Zi dhe e dyta e drejta e vetos  nga shumica e deputetëve shqiptarë për ligjet dhe aktet  që rregullojnë drejtpërdrejt  të drejtat dhe liritë e pakicave.

Në lidhje me këto çështje do të diskutohet në kuadër të Këshillit Gjithëpërfshirës të Reformës Zgjedhore, por mbetet të shohim reagimin e anëtarëve të tjerë të këtij Këshilli dhe rekomandimet nga subjektët e tyre politike. Ndërsa mbetet të shohim si do të veprojnë në këtë drejtim anëtarët shqiptarë në këtë Këshill pavarësisht se propozimet  që shqiptarët të kenë mandate të garantuara në sajë të numrit të banorëve, nuk është kundër realitetit demografik dhe të skenës politike në Mal të Zi, sipas standardëve  ndërkombëtare, kur janë në pyetje pakicat kombëtare.
 

Përfundim

Nuk ka dilemë se  mundësia për realizimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse,  do të mundësonte demokratizim të plotë të procesit zgjedhor, në përputhje me praktikat më të mira, standardet demokratike dhe respektimin e rendit kushtetues, është kërkesë demokratike.

Është koha e fundit që qytetarët  të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes listave të hapura; të zgjedhin drejtpërdrejt kryetarin e komunës, duke respektuar vullnetin e tyre në favor të demokracisë pluraliste. Ndërsa çështje e veçantë mbetën përfaqësimi autentik i popujve pakicë përmes konsenzuesit e jo mbivotimit si ka ndodhur në vitin 2011  me shqiptarët, kur humbën numrin e deputetëve  që jepte njësia e “veçantë” zgjedhore  nga pesë në tre siç është edhe tash në ligjin zgjedhor.

(Shkurt  2026)

By admini