Nikollë Gegaj, familjar i studiuesit të njohur dhe intelektualit të shquar shqiptar Dr. Athanas Gegaj, ka shprehur falënderimet e tij të sinqerta ndaj Fondit Humanitar “Trieshi” për ftesën e bërë për të marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së këtij personaliteti të madh.

Megjithëse për arsye objektive nuk mundi të jetë i pranishëm fizikisht, Gegaj u shpreh se ndjehej i nderuar për ftesën dhe vlerësoi thellësisht iniciativën e fondit për të mos lejuar që figura e Dr. Athanas Gegajt të mbetet në harresë, sidomos në vendlindjen e tij, Triesh.

Si familjarë, jemi jashtëzakonisht krenarë që jemi pasardhës të një personaliteti të tillë, i cili mbetet një ndër figurat më të spikatura të historiografisë shqiptare,” – theksoi Gegaj, duke kujtuar rrënjët familjare të Dr. Gegajt dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij në studimet për Skënderbeun dhe historinë shqiptare të shekullit XV.

Në letrën e tij, Gegaj përmendi se shumë studiues të historisë së Skënderbeut e rendisin Athanas Gegajn përkrah Marin Barletit, ndërsa kujtoi se Fan Noli e ka vlerësuar atë si “studiuesin më të shkëlqyer të Historisë së Skënderbeut”.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj Fondit Humanitar “Trieshi” për punën e vazhdueshme në promovimin e vlerave të trevës dhe të personaliteteve të saj.

Në fund, Gegaj bëri të ditur se së bashku me kushëririn e tij, Vasel Gjergj Martini Gjelaj, kanë ndërmarrë nismën që vepra e Athanas Gegajt “L’Albanie et l’Invasion turque au XVe siècle” të përkthehet në gjuhën angleze, ndërsa është në plan edhe një ribotim në gjuhën shqipe.

Nikollë Gegaj mban titullin Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe, ka shërbyer si deputet në Parlamentin e Malit të Zi për katër mandate, si dhe si kryetar i Komunës së Tuzit.

By admini