
Ditë më parë në ambientet e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, u bë hapja solemne e Bibliotekës së Fondit, si një hapësirë e re e dedikuar ruajtjes dhe promovimit të botimeve dhe projekteve të mbështetura me mjetet e Fondit, kështu mësohet nga ku institucion, transmeton Ulqini Online.
Hapjen, së bashku me drejtorin e Fondit Xhenis Nurkoviq, e nderuan me praninë e tyre ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka me shefen e kabinetit Sanja Zhugiq, sekretarët shtetërorë dr. Agron Ibrahimi, Naim Gjokaj dhe Astrit Hoxha, kryetari i Këshillit Drejtues të Fondit Marko Ugrin, si dhe kryetari i Këshillit Rom Mensur Saljaj dhe anëtari i Këshillit Drejtues të Fondit Senad Sejdoviq.
Ministri theksoi se ky aktivitet përfaqëson një konfirmim të fuqishëm të përkushtimit për ruajtjen e të drejtave të popujve pakicë dhe forcimin e harmonisë multikulturore në Mal të Zi, duke nënvizuar se biblioteka simbolizon investim në dije, identitet dhe kulturën e kujtesës.
Biblioteka e Fondit është krijuar me qëllim që të shërbejë si burim i hapur për studiues, studentë, nxënës, përfaqësues të organizatave joqeveritare, autorë, si dhe për të gjithë qytetarët që kanë interes për çështjet e të drejtave të pakicave, kulturës, gjuhës dhe identitetit. Librat dhe botimet mund t’i përdorin të gjithë ata që kanë nevojë për to, për hulumtime, punë akademike, projekte, informim profesional apo avancim të njohurive në fushën e të drejtave dhe kulturës së pakicave.
Hapja e bibliotekës është pjesë e një procesi më të gjerë të forcimit të transparencës së punës së Fondit, me paralajmërimin e krijimit të një baze elektronike të botimeve që do të jetë e qasshme për publikun.
