Ilustrim: Shkolla e mesme Ulqin

Sipas dispozitave të nenit 100a paragrafi 7 të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin (“Gazeta Zyrtare e RCG” nr. 64/02, 31/05 dhe 49/07 dhe “Gazeta Zyrtare e CG” nr. 45/10, 45/11, 36/13, 39/13, 47/17, 59/21, 3/23, 84/24 dhe 89/25), është përcaktuar se personi që ka fituar arsimin përkatës jashtë vendit mund të ushtrojë detyrën e mësimdhënësit, mësuesit, edukatorit, bashkëpunëtorit profesional dhe realizuesve të tjerë të veprimtarisë edukativo-arsimore vetëm nëse është bërë njohja e diplomës arsimore, si dhe barazimi i kualifikimit të huaj me nivelin përkatës të arsimit në Mal të Zi, në përputhje me ligjin e veçantë.

Kështu thuhet, ndër të tjera, në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, dërguar Sindikatës së Arsimit, përgjigje e cila erdhi pas reagimeve nga sindikatat. Në këtë pikë pati edhe reagime edhe nga punonjës të shkollave shqipe në Ulqin, por edhe nga mediat, lidhur me pasojat që mund të sillte zbatimi i ndryshimeve të reja ligjore, transmeton Ulqini Online.

Në përputhje me këtë, nga ministria sqarojnë se mësimdhënësi që ka fituar diplomë jashtë vendit dhe dëshiron të punojë në institucione arsimore në Mal të Zi është i detyruar që, së bashku me kërkesën për dhënien e provimit profesional, përkatësisht për lëshimin e licencës mbi bazën e provimit të dhënë, të paraqesë dëshmi për njohjen e diplomës së huaj, si dhe dëshmi për barazimin e kualifikimit të fituar jashtë vendit me kualifikimin përkatës të nivelit të arsimit në Mal të Zi.

Kjo zgjidhje ligjore është paraparë në Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin (“Gazeta Zyrtare e CG”, nr. 89/25), i cili ka hyrë në fuqi dhe zbatohet nga data 6 gusht 2025. Nga kjo rezulton se detyrimi për barazimin e kualifikimit vlen për procedurat e filluara pas hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa procedurat e nisura para kësaj date do të përfundojnë sipas rregullave që kanë qenë në fuqi deri në atë moment.

Nga analiza e kësaj përgjigjeje del se problemi për punonjësit e arsimit që e kishin përfunduar procedurën e njohjes së diplomës dhe punësimit deri më 6 gusht 2025 konsiderohet i tejkaluar. Megjithatë, mbetet e hapur çështja për studentët shqiptarë aktualë dhe ata të së nesërmes, të cilët ndjekin apo do të ndjekin studimet në universitetet shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, dhe që në të ardhmen synojnë punësimin në institucionet arsimore në Mal të Zi.

By admini

Leave a Reply