
Me nismën e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, është zhvilluar një takim me drejtuesit e shkollave në të cilat mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Takimi, i cili u mbajt në kuadër të reformave të paralajmëruara në sistemin arsimor nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, kishte për qëllim adresimin e sfidave që përballen institucionet arsimore me mësim në gjuhën shqipe, transmeton Ulqini Online.
Në një atmosferë të hapur dhe bashkëpunuese, drejtorët e shkollave ndanë shqetësimet dhe problemet me të cilat përballen në përditshmëri – që nga mungesa e teksteve mësimore në gjuhën amtare, e deri te çështjet infrastrukturore dhe mungesa e kuadrit të kualifikuar arsimor.
Gjatë diskutimeve, u nënvizua rëndësia e një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar për të garantuar që zëri i shkollave shqipfolëse të dëgjohet dhe të përfaqësohet denjësisht në procesin e reformimit të arsimit në Mal të Zi. Si rezultat i takimit, u vendos që secili prej drejtuesve të shkollave të hartojë një listë të kërkesave dhe problemeve specifike për institucionin që përfaqëson, por edhe të adresojë problematika të përgjithshme që prekin të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Këto kërkesa do të dorëzohen në formë të shkruar pranë Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, i cili do të ndërmjetësojë në adresimin e tyre tek institucionet përkatëse shtetërore në një formë të strukturuar dhe zyrtare.
Përfaqësues të Këshillit Kombëtar theksuan se kjo iniciativë është një hap konkret drejt fuqizimit të arsimit në gjuhën shqipe dhe mbrojtjes së të drejtave arsimore të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Takimi u vlerësua si një hap pozitiv drejt një dialogu më të thelluar institucional dhe përfaqëson një shembull të angazhimit të përbashkët për përmirësimin e cilësisë së arsimit në gjuhën amtare.
