Hooper : Të dashur shqiptarë, krenoheni për faktin se flisni një nga gjuhët më të lashta dhe më të rralla të botës dhe flisni gjuhën tuaj sa më bukur! Mos i “hani” gërmat” dhe mos flisni shpejt , mos mërmërisni, sepse, kur flet shpejt, muzikaliteti dhe bukuria e gjuhës humbet. I dua shqiptarët me gjithë zemrën time! Me gjak dhe kombësi jam amerikane por me shpirt jam shqiptare!
Carrie Hooper (Keri Huper) është nga Elmira, New York e SHBA-së. Flet, shkruan, krijon (poezi) dhe këndon në shqip. Shqipen ajo e ka në mesin e 9 gjuhëve të huaja ku disa prej tyre ajo i flet rrjedhëshëm. E ka mësuar gjuhën shqipe në më pak se 2 vjet, është e intervistuar nga disa gazetar shqiptarë, në Amerikë.
Në një shkrim të saj Huper thotë se Braili e ka ndihmuar atë të mësojë gjuhët e huaja, kuptohet mes tyre edh gjuhën shqipe.
Ajo ka sqaruar se Braili nuk është një gjuhë, por është si një font, i cili mund të prodhojë gjithëçka që mund të përfaqësohet në shkrim që nga gjuhët deri te notat për muzikë.
“Mësimi i brailit shkruan Huper, është i domosdoshëm për të verbërit dhe nuk është më e vështirë për fëmijët ta mësojnë se sa për fëmijët që shikojnë të mësojnë shkrimin dhe leximin me shkronjat normale. Edhe të rriturit që kanë humbur shikimin mund ta mësojnë brail. Pranoj se fëmijë të verbër me aftësi të tjera të kufizuara ose të rriturit me diabet që kanë humbur ndjeshmërinë në gishtërinjtë mund të kenë më shumë vështirësi duke mësuar brail, dhe të rriturve mund t’u ecë më ngadalë procesi i të mësuarit të brailit, por përndryshe nuk është e pamundur ta mësosh.”
Ndërkohë shton se disa mund të thonë se braili nuk është i nevojshëm në kohën e sotme meqenëse ka kompjuter me zë të sintetizuar dhe libra në audio por braili pa dyshim nevojitet sepse vetëm duke e ditur brail një i verbër mund të shikojë se si shkruhen fjalët dhe vetëm kur e di brail mund të thotë me sinqeritet se di të lexojë.
Gazetari ynë në New York, Beqir Sina, intervistojë znj. Keri Huper posaqërishtë për axhensinë e lajmeve në gjuhën shqipe Illyria News Agency INA
INA: Si ka mundësi që e keni mësuar gjuhën shqipe: dhe përse zgjodhët këtë gjuhë? Atëhere kush u “ndezi” me shqipen?
Dëgjova emrin e vendit të Shqipërisë në shkollën fillore në moshën njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeçare kur duhej të mësonim kryeqytetet e vendeve europiane dhe mësova se kryeqyteti i Shqipërisë është Tirana. Është e vetmja gjë që mësova për Shqipërinë në atë kohë. Pothuaj njëzet vite më vonë, pra në vitin 2008, kisha një student nga Tirana e Shqipërisë në kursin tim të italishtes. (Punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të lindjes së Elmirës të Nju Jorkut.) Kjo ngjarje më ndezi kurreshtjen ta mësoja gjuhën shqipe.
Për ta mësuar gjuhën, së pari përdora një libër në brail që e mora nga biblioteka për të verbërit në Angli. Pastaj dëgjova një kaset me përralla shqiptare që e mora prej bibliotekës për të verbërit në Suedi. Më tej një grua në Elmira më transkriptoi një fjalor shqip-anglisht në brail.
Në verën 2009 dhe në verën 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek Arizona State University në Tempe të Arizonës. Sot e ushtroj gjuhën duke lexuar artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim të suksesshëm. Gjithashtu shoku im, Tim Hendel, që jeton në Huntsville të Alabamës, më regjistron programe radiofonike në gjuhën shqipe nga interneti dhe për këtë i jam shumë mirënjohës. Nganjëherë marr libra në shqip si dhurata kur marr pjesë në veprimtari të ndryshme dhe një grua i transkripton në brail kështu se mund t’i lexoj. Ajo nuk e di shqip, mirëpo bën një punë të mrekullueshme. Përveç kësaj kam lidhje nëpërmjet telefonit dhe emailit me shumë shqipfolës. At Artur Liolini i Kishës së Shën Gjergjit në Massachussetts, redaktori i gazetës Diellit Dalip Greca, si dhe Shoqata Shqiptarokanadeze e Torontos së Kanadasë më kanë vënë në kontakt me shumë shqiptarë. Për më tepër gjatë studimeve në Arizona takova shumë shqiptarë me të cilët lidhem edhe sot. Gjithashtu nëpërmjet Cornell University në Ithaca të Nju Jorkut gjeta një shqiptar me të cilin kam kontakt.
INA: Ju thoni se gjuhën shqipe e keni mësuar brenda dy vjetëve. A është e vështirë gjuha jonë të mësohet nga të huajt? kaq shpejtë
Pyetja e juaj se ” a është e vështirë apo jo të mësohet një gjuhë” nuk ka përgjigjje të lehtë. Disa gjuhë mund të jenë më të vështirë të mësohen nga ana fonetike ndërsa disa mund të jenë të vështirë nga ana gramatike. Mirëpo mund të them se të mësosh një gjuhë, duhet të kesh dëshirë ta mësosh dhe duhet të punosh shumë. Edhe nëqoftëse dikush ka një dhunti për të mësuar gjuhë, kërkohet shumë punë. Por gjithëçka, është e mundur nëse ke interes dhe e bën punën e duhur.
Për ju thuhet se zotroni 9 gjuhë të huaja, ( disa i zotëroni mirë dhe disa pak) çfarë vlerësimi keni për gjuhën shqipe, në këto përcakime :” a është e ëmbël, e bukur, e folshme lehtë, apo e vështirë”? A e keni problem komunikimin me shqiptarët ?
Së pari le të sqaroj se nuk zotëroj plotësisht nëntë gjuhë. I di mirë gjermanishten, italishte, suedishten, spanjishten, dhe shqipen. Kam mësuar pak rusisht, pak frëngjisht, pak finlandisht, dhe latinisht por nuk i zotëroj mirë këto gjuhë. Për mua gjuha shqipe është e bukur dhe e ëmbël, ka një tingull të posaçëm. Nganjëherë është e vështirë t’i kuptoj njerëzit (dialektik) ata nga veriu, sidomos nëse përdorin fjalë krahinore që nuk i di. Mirëpo në Arizona mësova disa tipare të dialektit geg që më ka lehtësuar komunikimin me njerëz nga Shqipëria e veriut ose nga Kosova. Është pothuaj e pamundur për mua të kuptoj dialogun në filma shqiptare, prandaj nuk i shoh. Më tej kur flas në telefon me dikë që flet në celular, nëse sinjali është i dobët, zëri shtrembërohet dhe kjo mund të vështirësojë komunikimin. Por në përgjithësi nuk kam probleme në komunikimin me shqiptarë.
Në shumicën e rasteve të njohjes me gjuhën shqipe tregoni se fillon në vendin e fëmijërisë suaj. A ka shqiptarë aty dhe a kanë ndikuar ata që ti të bëhesh një shqipfolëse e mirë?
Përmenda më lart studentin shqiptar që e kisha dhe që më frymëzoi ta mësoja gjuhën shqipe. Ai fliste shumë me mua kur fillova ta mësoja gjuhën dhe më ndihmoi kur dëgjova kasetën me përralla shqiptare. Kishte edhe një studente nga Shqipëria tek Elmira College dhe flisja me të dhe më ndihmonte shumë. Ne nuk kemi një komunitet shqiptar në Elmira, por takova një shqiptare që jeton në rrethin tim njëherë para tre vjetësh.
A keni qasje me kulturën, gjegjësisht me letërsinë, traditën dhe historinë e shqiptarëve?
Kam lexuar shumë për historinë e Shqipërisë dhe kam lexuar poezi nga Naim Frashëri, Migjeni, Fan Noli, Martin Camaj, dhe Ismail Kadare. Lexova dy libra në përkthime anglisht nga Kadareja: Kronika në gurë dhe Koncerti. Në fakt fola njëherë me Ismail Kadarenë në telefon dhe i thashë se sa më pëlqyen veprat e tij që i kisha lexuar. Më tej kam lexuar vepra nga Dritëro Agolli dhe Faik Konica. Në Arizona lexova një libër për historinë e Kosovës dhe një libër nga Robert Elsie për historinë e letërsisë shqiptare, leximin e të cilës e përfundova në shtëpi. Dëgjoj për aktivitete kulturore në Radio Tirana dhe lexoj për veprimtari kulturore që organizohen në diasporë.
Me aq sa jeni informuar rreth gjuhës shqipe, a po ruhet shqipja në Amerikë?
Ndër shqiptarët më të cilët kam folur, do të thosha se gjuha ruhet mirë. Kur dikush përdor një fjalë anglisht dhe e di fjalën në shqip, ua them fjalën shqip. Kur një shqiptar më flet anglisht, i them, “Mund të flisni shqip.” Natyrisht se sfida kryesore është ruajtja e gjuhës te fëmijët. Më vjen mirë se ka shkolla shqipe në diasporë, ku fëmijët kanë mundësi të mësojnë gjuhën, traditat, historinë, dhe kulturën e tyre. Kam parë raste ku fëmijët e shqiptarëve kanë mësuar gjuhën dhe i përgëzoj prindërit që kanë mbajtur gjallë gjuhën në shtëpi.
A e njihni diasporën shqiptare në Amerikë, çfarë raporti keni me të?
Kam marrë pjesë në shumë veprimtari lidhur me shqiptarët e Amerikës gjatë viteve të fundit. Në shtator 2010 këndova një koncert në kishën ortodokse Shën Elia në Jamestown të Nju Jorkut. Në tetor 2010 këndova në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachussetts-it. Në qershor 2011 këndova në një aktivitet të organizuar nga shoqata shqiptarokanadeze e Torontos së Kanadasë me rastin e mbylljes së vitit shkollor të shkollave shqipe në Toronto. Në prill 2012 mora pjesë në festimin e 100-vjetorit të themelimit të Vatrës duke kënduar himnin amerikan dhe një këngë, “O popull i dashur”, për të cilën shkruajta tekstin shqip dhe kompozova muzikën. Në qershor 2012 dhashë një intervistë në New York për filmin, Kryekënga e Shqipërisë me regjisor Petrit Rukën dhe producent Piro Milkanin. Filmi trajtoi historinë e Himnit Kombëtar shqiptar dhe gjatë intervistës sime këndova Himnin e Flamurit. Filmi u prit mirë në Shqipëri dhe fitoi një çmim të veçantë për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në tetor 2012 dhe në qershor 2013 këndova te shkolla shqipe në Bronx të Nju Jorkut. Gjatë vizitës sime në Nju Jork në qershor, ndoqa meshën në kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut. Në qendrën kulturore Nënë Tereza, takova shkrimtarët Tom Mrijajn dhe Klajd Kapinovën. Po në qershor u antarësova në ansamblin Bashkimi Kombëtar me drejtor Gjergj Dedvukajn dhe mora pjesë me këtë grup në një koncert në Kishën e Shën Palit në Detroit të Michiganit në korrik. Kam mësuar t’i bie çiftelisë dhe në këtë koncert këndova një këngë duke shoqëruar veten me çiftelinë ndërsa antarët e tjerë të grupit më përcollën me çifteli dhe me sharki. Këndova edhe këngën “O popull i dashur” duke shoqëruar veten me pianon elektrike.
Përveç veprimtarive muzikore, kam dhënë shumë intervista. Kam dhënë dy intervista për gazetën Dielli dhe një intervistë për gazetaren Raimonda Moisiu dhe dhashë dy intervista për programin Radio e diela që transmetohet në Chin am 1540 në Toronto të Kanadasë. Për më tepër dhashë një intervistë për programin televiziv Shqiptarët e Amerikës, që transmetohet në Nju Jork. Dhashë edhe një intervistë për Radio Kosovën. Shkruaj poezi shqip dhe disa poezitë e mia janë botuar në Gazetën Dielli dhe në revistën Kuvendi të Michiganit.
Vazhdimisht u kemi parë të jeni shumë afër shoqatës Vatra, çfarë dini ju për këtë shoqatë dhe shqiptarët e Amerikës?
E di se Shoqata Vatra u themelua në Boston në 1912 nga atdhetarë të shquar si Fan Noli dhe Faik Konica dhe se ishte një bashkëngjitje të disa shoqatëve shqiptare si Besa-besën dhe shoqata të tjera. Kam lexuar për bandën e Vatrës që udhëtoi për në Shqipëri në vitet 20 të shekullit të kaluar. Kam lexuar gjithashtu për atdhetarë të tjerë si Kristo Kirka, Kristo Dako, Josif Pani, etj. E di se Vatra ndihmoi Shqipërinë me fonde të mbledhura kur shteti shqiptar kaloi kohëra të vështira. Për fat të keq disa vatranë u vranë nga regjimi komunist.
Në prill 2012, thatë se morët pjesë në festimin e 100-vjetorit të themelimit të Vatrës duke kënduar himnin amerikan dhe një këngë, “O popull i dashur”, (100 vjetori i krijimit të Shoqatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA), si jeni ndier në këtë eveniment kaq të madh?
Po vërtet këndova Himnin Amerikan në festimin e 100-vjetorit të Vatrës, sepse Himinim shqiptarë e këndoi këngëtarja shqiptare Aurela Gaçe që e këndoi dhe e këndoi shumë mirë. Unë vetëm këndova himnin amerikan siç e përmenda më lartë si dhe këngën “O popull i dashur”dhe dua të them se ishte një nder shumë i madh për mua të merrja pjesë në këtë ngjarje madhështore dhe u preka shumë.
Cilët këngë, libra, artistë dhe aktorë, këngëtarë apo shkrimtarë shqiptarë ju pëlqejnë më shumë?
Më pëlqejnë shumë poezitë e Naim Frashërit dhe të Fan Nolit. Më pëlqejnë librat dhe poezitë e Ismail Kadaresë që i kam lexuar. Më pëlqejnë këngëtarët Tefta Tashko, Vaçe Zela, Gaqo Çako, dhe Inva Mula. Më pëlqejnë shumë këngët Valsi i lumturisë, Luleborë, Për ty, atdhe, Këputa një gjethe dafinës, dhe natyrisht Himni i Flamurit.
Po nga politikanët!
Nuk kam asnjë vërejtje për politikën shqiptare.
A keni ndërmend të shkruani ndonjë libër në gjuhën shqipe?
Ndoshta një ditë do t’i përmbledh poezitë që i kam shkruar shqip në një libër.
A keni dëshirë të jepni një mesazh për gazeten tonë ?
Prindër shqiptarë, ruani gjuhën e bukur shqipe dhe mësojuani fëmijëve! Dërgoni fëmijët në shkollën shqipe kështu se mund të mësojnë gjuhën, historinë, dhe kulturën e të parëve. Të dashur shqiptarë, krenoheni për faktin se flisni një nga gjuhët më të lashta dhe më të rralla të botës dhe flisni gjuhën tuaj sa më bukur! Mos flisni shpejt dhe mos mërmërisni sepse kur flet shpejt, muzikaliteti dhe bukuria e gjuhës humbet. I dua shqiptarët me gjithë zemrën time! Me gjak dhe kombësi jam amerikane por me shpirt jam shqiptare!