Festivali hapet me ekspozitën e Emina Nimanbegu Myrtezës dhe koncertin e Frederik Ndocit

Ulqini do të jetë nga nesër qendra e aktiviteteve kulturore dhe artistike me nisjen e Festivalit tradicional “Skena Verore – Ulqin 2026”, i cili do të hapet solemnisht më 17 korrik në ambientet e Muzeut Vendor në Kala.

Sipas organizatorëve, programi i hapjes do të fillojë në ora 20:30 me ekspozitën e piktores së njohur ulqinake Emina Nimanbegu Myrteza, ndërsa në ora 21:00 publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e artistit të mirënjohur shqiptar Frederik Ndoci.

Festivali organizohet nga Qendra për Kulturë – Ulqin, me mbështetjen financiare të Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike Ulqin dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi.

“Skena Verore – Ulqin 2026” do të zgjasë deri më 27 gusht, duke ofruar një program të pasur me aktivitete kulturore dhe artistike që përfshijnë muzikë, teatër, pikturë dhe forma të tjera të krijimtarisë artistike, me theks të veçantë në promovimin e dygjuhësisë dhe diversitetit kulturor.

Organizatorët kanë ftuar qytetarët, vizitorët dhe mediat që të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes dhe në aktivitetet e tjera të festivalit, të cilat do ta shndërrojnë Ulqinin në një skenë të hapur artistike gjatë muajve të verës.

By admini

Leave a Reply