Nga Gjekë Gjonaj

Pak kohë më parë u botua libri “Shqiptarët përballë asimilimit dhe humbjes së identitetit” i autorit Tomë Kolë Berishaj, në të cilin ai përpiqet të trajtojë dhe analizojë disa nga proceset më të dhimbshme historike që kanë ndikuar drejtpërdrejt në fatin e shqiptarëve ndër shekuj.

Lëndën e shtjelluar autori e ka ndarë në pesë kapituj. Në kapitullin e parë, “Asimilimi i shqiptarëve”, trajtohen format dhe mënyrat e ndryshme të asimilimit të shqiptarëve gjatë shekujve, si dhe faktorët historikë, politikë e shoqërorë që ndikuan në ndryshimin e strukturës fetare dhe shoqërore të popullit shqiptar.

Në kapitullin e dytë, “Epopeja e zapëtimit dhe copëtimit të Shqipërisë”, analizohen pasojat e pushtimit osman dhe ndikimi i politikave që synonin integrimin e popullsive të pushtuara në strukturat administrative dhe ideologjike të Perandorisë Osmane. Në këtë kuadër trajtohet edhe fenomeni i turqizimit, përpjekjet për krijimin e një identiteti të ri kulturor e fetar në trojet shqiptare, si edhe pushtimet e para osmane dhe qëndresa heroike e arbërve nën udhëheqjen e figurës madhore të historisë shqiptare, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Kapitulli i tretë, “Tentativa për mohimin e gjurmëve tona pellazgo-ilire”, ndalet te përpjekjet për shtrembërimin dhe falsifikimin e historisë, me synimin për të mohuar lashtësinë e shqiptarëve dhe për të minimizuar rolin e tyre në historinë e rajonit.

Kapitulli i katërt, “E çuditshme”, e zhvendos vëmendjen nga e kaluara drejt realitetit bashkëkohor. Në këtë pjesë trajtohen disa nga sfidat që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar në kohët moderne, si globalizimi, ndryshimet shoqërore dhe ndikimet e ndryshme ideologjike, të cilat kanë krijuar një realitet të ri, ku identiteti kombëtar përballet me sfida të reja.

Në kapitullin e pestë, “Poezi”, janë përfshirë krijime poetike dhe reflektime që shprehin ndjenjat e autorit për atdheun, historinë dhe fatin e popullit shqiptar. Poezitë përbëjnë një shprehje të dhimbjes, të dashurisë për të vërtetën dhe të shpresës për një të ardhme më të ndritur.

Ky është libri i tetë i autorit.

By admini

Leave a Reply