
Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka përcjellë një mesazh urimi për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Në urimin e adresuar të Ngarkuarit me Punë, z. Michael C. Keays, kryetari i LDMZ-së, Mr. Saubih Mehmeti, ka vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara si promotor i demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe kontributin e çmuar të komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e lidhjeve miqësore ndërmjet shqiptarëve dhe SHBA-së.
Më poshtë e publikojmë urimin e plotë.
AMBASADA E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Të ngarkuarit me punë z. Michael C. Keays
P o d g o r i c ë
I nderuar z. Michael C. Keays,
Në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe në emrin tim personal, ju përcjell Juve, stafit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, si dhe popullit amerikan, urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten një shembull i demokracisë, lirisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Këto vlera kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë popujt që synojnë një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë.
Me këtë rast, shprehim mirënjohjen tonë edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili prej dekadash ka qenë një urë e fuqishme miqësie ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. Në mënyrë të veçantë, vlerësojmë shqiptarët me prejardhje nga Mali i Zi, të cilët me punën, sukseset dhe angazhimin e tyre në jetën ekonomike, shoqërore dhe qytetare të Amerikës kanë dhënë një kontribut të çmuar, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me vendlindjen.
Besojmë se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve, në trojet e veta etnike si popull autokton, në Malit të Zi, Shqipëri, Kosovë Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, do të vazhdojnë të forcohen, në dobi të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve.
Gëzuar 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Me respekt,
KRYETAR,
Mr. Saubih Mehmeti, ing. dipl. i tek.
