
Më 29 maj 2025, në ambientet e Institucionit Publik SHMK “Vëllazërim-Bashkim”, u mbajt një ngjarje e veçantë kulturore: përurimi i librit “Prej Dulcigno në Dinoshë” të autorit Sami Flamuri, një ish-nxënës i kësaj shkolle, tashmë autor i afirmuar. Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, autori ndau me të pranishmit pjesë nga udhëtimi i tij shpirtëror e krijues, i rrëfyer me ndjenjë dhe përkushtim në faqet e këtij libri, shkruan Ulqini Online.
Të pranishëm në këtë promovim ishin nxënës të shumtë, mësimdhënës dhe dashamirës të librit, të cilët e mirëpritën autorin me entuziazëm dhe respekt. Ky aktivitet u udhëhoq nga profesoresha Vediha Gjoni.
”Ky libër sjell artikujt e mi të botuara në mediat e shkruara dhe elektronike dhe zhytet thellë në historinë e Malësisë, origjinën fisnore dhe zbulimet më të fundit të ADN-së shqiptare – nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, e deri në mbarë Shqipërinë.Nga shkatërrimi i mureve të lashta të Ulqinit te historia e Dulcignos nën sundimin venecian, libri zbulon për herë të parë në detaje se si Ulqini iu dha Malit të Zi në 1880 dhe si u bë pjesë e Shqipërisë nën protektoratin italian.Gjithashtu, udhëtojmë në Dinoshë, shtëpinë e gruas sime, dhe përmbyllim me një dedikim prekës për nënën time të ndjerë, Naxhie Rama, që u nda nga jeta këtë vit”, shprehet z. Flamuri me plot emocione pas përurimit te librit.
Ngjarja u shndërrua në një takim të frytshëm ndërmjet brezash, ku u kujtuan me mall të kaluarat e përbashkëta, u diskutua për fuqinë e fjalës së shkruar dhe u përçua një mesazh i qartë: letërsia lind aty ku ka zemër dhe kujtim. Prania e nxënësve dhe mësuesve e bëri edhe më të veçantë këtë ditë, duke e kthyer promovimin në një festë të dijes, kulturës dhe dashurisë për librin.
Në fund ta aktivitetit, profesori i muzikës Blendi Maxharri së bashku me një nxënëse kishin përgaditur një pikë muzikore prekëse kushtuar nënës së ndjerë të autorit të librit.