
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në një kumtesë për media ka shprehur shqetësimin e thellë të institucioneve lokale dhe qytetarëve për marrëveshjen e paralajmëruar ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe kompanisë Eagle Hills nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që synon një investim të madh në zonën e Plazhit të Madh.
Sipas Nimanbegut, ky projekt paraqet një rrezik serioz për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit dhe bie ndesh me ligjet dhe dokumentet ekzistuese në fuqi në Mal të Zi. Ai theksoi se kërkesat e përsëritura të Komunës për transparencë dhe përfshirje në procesin e vendimmarrjes janë injoruar nga Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Qyteti ynë ka nevojë për zhvillim, por jo në dëm të integritetit urban, mjedisor dhe social,” u shpreh Nimanbegu, duke theksuar se mbrojtja e interesave publike do të vazhdojë me mjete demokratike.
Ai falënderoi sektorin civil për përkrahjen e dhënë që nga fillimi i procesit, si dhe Presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për rikthimin e marrëveshjes në Parlament për shqyrtim të mëtejshëm për shkak të mungesave dhe paqartësive që përmban.
Megjithatë, sipas Nimanbegut, duket se këto shqetësime nuk janë marrë parasysh, ndërsa pritet që Parlamenti ta miratojë marrëveshjen në ditët në vijim. Ai po ashtu vuri në dukje se nuk janë përfillur as rekomandimet e Këshillit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Kryetari konfirmoi se Komuna ka informuar ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në Mal të Zi, si dhe ka ndërmarrë hapa institucionalë e protestues për të ngritur zërin kundër kësaj marrëveshjeje.
Në vijim, Nimanbegu bëri të ditur se përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Ulqinit kanë rënë dakord për të organizuar një protestë njëorëshe nesër, në orën 11:00, në dy pika kufitare – në Sukubinë dhe në Krruç, drejt Tivarit. Qëllimi i protestës është dërgimi i një mesazhi të qartë si për qeverinë, ashtu edhe për investitorin Mohamed Alabbar, se qytetarët e Ulqinit janë kundër formës aktuale të investimit.
“Ne jemi të përkushtuar që kësaj çështjeje t’i shkojmë deri në fund,” përfundoi Nimanbegu, duke i bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në mbrojtje të resurseve dhe të ardhmes së Ulqinit.