Poeti Ali Gjeçbritaj vjen për lexuesin me vëllimin e ri poetik “Hëna mbi liqen”, i cili mund të thuhet se paraqet vazhdimësi të poetikës së tij. Ai e gjen frymëzimin në përditshmërinë tonë. Bukuritë e natyrës, vlerat morale, ndryshimet rrënjësore të mënyrës së jetesës, malli për vendlindjen dhe kohën e kaluar etj. janë vetëm disa prej temave të poezive të Gjeçbritajt. Tradita folkloristike vjen po ashtu bukur përmes vargjeve të tij në disa poezi, ku poeti rikrijon në mënyrë estetike këtë pasuri tonën.

Vëllimi përbëhet nga 75 poezi. Redaktor i librit është Dimitrov Popoviq, redaktor gjuhësor Arbër Hajra, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku. Ai është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. 

Ali Gjeçbritaj ka lindur në Arbnesh, më 1953. Ka punuar në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti –Skëndërbeu” në Ostros (Krajë). Krahas punës 44-vjeçare në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri, merret edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka qenë redaktor i revistës shkollore “Valët”. Jeton dhe vepron në Krajë dhe në Ulqin.

Deri tash ka botuar librat: “Motet” (poezi), “Gjurmët e moteve” (publicistikë), “Informatori” (publicistikë), “Shkolla në Krajë 1929-2009” (monografi), “Nata me hënë” (poezi), “Botë mashtrimi” (poezi), “Kopshti i xixëllonjave” (poezi për fëmijë), “Udhëtim në kohë” (monografi),

“Heshtja që flet” (poezi), “Shkolla në Krajë 1929-2019” (monografi, ribotim i plotësuar), “Rite dasme në Krajë” (monografi), “Gurët e truallit tim” (poezi), “Motet” (poezi të zgjedhura), “E dua shkollën” (libër leximi për klasën e parë, bashkautor me Arlinda Sukaliqin), “Gjurmë” (publicistikë), “Kohë” (poezi). Përmbledhja me poezi “Hëna mbi liqen” është libri i tij i 17-të.

By admini