
Për sot është caktuar seanca e re e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Ulqinit lidhur me investimin miliona dollarësh të kompanisë arabe të biznesmenit Mohamed Alabar, në zonën e Plazhit të Madh. Siç mëson korrespondenti i RTMZ, me konkluzionet e reja Kuvendi komunal do të shpallë qartë kundërshtimin e tij ndaj projektit të paraparë në Plazhin e Madh, transmeton Ulqini Online.
Pesë ditë më parë, këshilltarët vendosën njëzëri që të mos e mbështesin megaprojektin që u ka prezantuar kryeministri Millojko Spajiq. Ky është një investim shumë milionësh i një kompanie arabe në zonën e Plazhit të Madh. Nëse kryeministri këmbëngul për projektin, këshilltarët thonë se ai do të përballet me një kundërshtim edhe më të ashpër.
Në seancën e mëparshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, u konstatua se të gjitha projektet investuese, duhet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke respektuar dokumentet planifikuese dhe strategjike të Komunës së Ulqinit dhe Malit të Zi, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë ekonomike, mjedisore dhe sociale.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe përfaqësues të partive politike kanë shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar një propozim tjetër, por jo kalimin e të gjithë Plazhit të Madh, tek një investitor i vetëm.