
Trieshiania me një karrierë të shkëlqyer akademike dhe ushtarake
Gjekë Gjonaj
Tashmë dihet se femrat shqiptare janë shumë ambicioze. Ato janë të vendosura të arrijnë diçka për veten e tyre, të ndërtojnë karriera të suksesshme, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Niveli i arsimimit dhe niveli i përfshirjes së grave shqiptaro-amerikane në industri të ndryshme profesionale është në rritje. Këto gra japin 100 për qind të vetes dhe janë të përkushtuara për të avancuar rolin e tyre në shoqëri dhe komunitet. Këtë sukses e ka arritur edhe amerikania me origjinë shqiptare, Suzana Gjekaj, e lindur në Guçi në vitin 1982.
Prejardhja familjare
Rrjedh nga një familje tradicionale malësore shqiptare me origjinë nga Trieshi – Malësia e Madhe. Ajo është vajza e Gjon Kolë Gjekajt dhe Prenë Gjekajt. Të dy janë nga Trieshi . Babai i saj është nga fshati Stjepoh, kurse nëna nga fshati Budzë. Asnjë prej tyre nuk ka lindur në Triesh . Gjoni ka lindur në Guçi, ndërsa Prena në Lug të Bunarit , Gjakovë. Familja Gjekaj u shpërngul nga Trieshi në Guci në vitin 1921, kur Gjon Marashi, atëherë zot i shtëpisë, bleu tokën në Guçi për 5000 dinarë në atë kohë, ndërsa tokën në Stjepoh (Triesh) e shiti për 9000 dinarë. Që atëherë, familja Gjekaj ka jetuar në Guçi deri në vitin 1974, kur emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çifti Gjon dhe Prenë Gjekaj kanë katër fëmijë: djalin Gjergjin dhe vajzat Marien, Valentinën dhe Suzanën. Të gjithë kanë lindur në Detroit, Michigan dhe kanë përfunduar studimet e tyre universitare. Gjon Gjekajn e kam takuar për herë të parë kur erdhi nga Detroiti në Guci për të varrosur të atin, Kolë Gjekë Marashin, më 13 qershor 1994 – Ditën e Shna Ndout.
Edukimi dhe zhvillimi profesional
Suzana Gekaj, ndonëse vjen nga një familje tradicionale fshatare nga Trieshi, arriti të ndërtojë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, duke u bërë femra e parë shqiptare në Forcat e Armatosura të SHBA-së që mban gradën e kolonelit. Karriera e saj në Forcat Ajrore të SHBA-së filloi më 31 dhjetor 2003, kur ajo u rekrutua pasi mori një bursë prestigjioze në Shkollën e Shkencave Shëndetësore. Ajo u diplomua në Universitetin e Detroit Mercy në maj 2007, duke fituar dy diploma: një diplomë baçelor në shkencat biologjike dhe një doktoraturë në kirurgji dentare.
Më pas, pas trajnimit si komandante në bazën e Forcave Ajrore Maxwell në Alabama, kolonele Gjekaj u caktua në bazën ajrore Holloman, New Mexico, ku shërbeu si dentiste dhe oficere ndërlidhëse me Forcat Ajrore gjermane. Përvoja e saj profesionale përfshin misione në disa nga bazat ushtarake më të rëndësishme të SHBA-së në botë, duke përfshirë bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut, bazën ajrore Aviano në Itali, bazën ajrore Kadena në Japoni dhe bazën e forcave ajrore Keesler në Misisipi, ku ajo mbajti dy pozicione si komanduese fluturimi mbështetëse dentare dhe shefe e stomatologjisë pediatrike.
Për më tepër, ajo shërbeu si profesoreshë asistente në Universitetin e Shërbimeve të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore, duke u dhënë mësim njerëzve të interesuar në Programin e Arsimit të Avancuar në Stomatologjinë e Përgjithshme.
Me një karrierë të shkëlqyer akademike dhe ushtarake, kolonele Gjekaj vazhdoi studimet dhe stërvitjet e larta në fushën e saj, duke u diplomuar në Komandën e Lartë të Komandës së Shtabit dhe në Kolegjin e Luftës Ajrore. Në vitin 2019, ajo mori certifikimin e bordit nga Bordi Amerikan i Stomatologjisë Pediatrike. Aktualisht është shefe e Stomatologjisë Pediatrike në Bazën Ajrore Ramstein, Gjermani.
Një femër e thjeshtë, por një diamant i çmuar
Ajo që e karakterizon Dr. Susana Gjekajn, përveç aftësive të saj në fushën mjekësore dhe ushtarake, është thjeshtësia dhe modestia e saj, të cilat janë vlera morale që shërbejnë si shembull i përsosur për mbarë njerëzimin. Nuk ka krenari apo arrogancë në karakterin dhe natyrën e saj njerëzore. Kjo është përshtypja që mora nga një bisedë telefonike që patëm së fundmi kur ajo ishte në Gjermani, duke u përgatitur për një vizitë njëmujore në Shqipëri, të cilën ajo e kishte vizituar tashmë një herë. Është e admirueshme se sa e përulur( modeste), por patriotike, duket kjo kirurge orale për fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore dhe një oficere ushtarake e lindur jashtë vendit me arritje kaq të mëdha profesionale. Ajo është me të vërtetë një diamant i çmuar, një nderim për familjen e saj, komunitetin shqiptar dhe një dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për t’i shërbyer vendit dhe profesionit të saj. “Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se të gjithë diamantet e botës”, ka thënë një nga figurat më të shquara të kombit, Sami Frashëri.
Po aq mbresëlënëse është edhe dashuria që ndjen kjo shqiptaro-amerikane për shqiptarët, për traditën dhe kulturën shqiptare, si dhe për gjuhën shqipe që e mësoi në fëmijëri nga prindërit e saj, të cilët flisnin gjithmonë gjuhën e shtëpisë me fëmijët e tyre. Suzana kudo ku studionte, punonte dhe vepronte, ajo nuk i mohoi rrënjët e saj, por gjithnjë me krenari deklaronte se ishte shqiptare. Dhe ajo ndien një lidhje shumë të ngushtë me Malësinë e Madhe, me Shqipërinë, me Kosovën dhe me vende të tjera etnike shqiptare. Ajo është krenare për kombin shqiptar, flamurin dhe shqiponjën e tij. Kjo ndjenjë e patriotizmit shqiptar u pa qartë në ceremoninë solemne të organizuar në shkurt të këtij viti në Kishën Katolike Shqiptare “Shën Pali” në Miçigan pranë Detroitit me rastin e marrjes së gradës kolonele në Forcat Ajrore të SHBA-së, ku flamuri shqiptar u valëvit përkrah flamurit amerikan, pas të cilit qëndronte një imazh madhështor kombëtar dhe një imazh kuq e zi. “U mbusha me krenari dhe gëzim të pamasë kur, nën tingujt e këngës dhe muzikës shqiptare, familja dhe të afërmit e mi kënduan dhe kërcyen vallen “Shota”, si dhe kolegët e mi të ftuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, të cilët ishin magjepsur nga ushqimi tradicional shqiptar dhe rakia e rrushit, që amerikanët e duan shumë”, thotë Suzana.
Ajo besonte në vetvete dhe nuk u ndal kurrë.
Arritja e majës së suksesit në çdo fushë profesionale është një rrugëtim i gjatë, i mundimshëm me shumë sakrifica. Duhet shumë punë dhe përkushtim, sidomos në ushtri. “Marrja e gradës kolonel në Forcat Ajrore Amerikane është shumë e vështirë, sepse duhet shumë stërvitje, përgatitje ushtarake, stërvitje fizike dhe aftësi të tjera të veçanta. Gradën kolonel mund ta marrin vetëm dy për qind e oficerëve”, thotë me modesti Gjekaj.
Puna e palodhur, përkushtimi ndaj qëllimit, pa justifikime apo faktorë të jashtëm ishin frymëzimi dhe forca shtytëse për këtë kolonele. Ajo nuk lejoi ta prekte asnjë ndjenjë shkurajimi, besonte në vetvete, në aftësitë e saj, u besonte instinkteve, qëndronte vigjilente, e fortë përballë të gjitha sfidave dhe nuk u ndal kurrë.( Koha javore)