Nga Hajrudin S. Muja*
“Për Mbrojtjen e Ulqinit” është dramë e shkruar nga një student – Asim Lahoja (1942), e ndarë në katër akte dhe shqyrtonte përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë të Ulqinit, të cilin bashkë me Tivarin, Berlini ja kishte falë Malit të Zi. Dy aktet e para, e paraqesin ngjarjen në Shkodër, fillimisht në një dhomë të vjetër shkodrane, ku pleqtë konsultohen për ndihmën që duhej çuar vëllezërve të tyre, dhe për përgjigjen që do ti jepshin Pashës, i cili me çdo kusht mundohej ti ndalte shqiptarët, që të mos luftojnë kundër malazezëve. Akti i dytë, në oborrin e kështjellës së Shkodrës, ku ishin mbledhë paria, refuzojnë ofertat e përfaqësuesit të Sulltanit, që mundohen me i thye me para. Dy aktet e fundit paraqiten në Ulqin. Në aktin e tretë, një çobaneshë e vogël, e cila mendonte e brengosej për dhent e saja, që nuk do të kishin më se ku të kullosin, mbasi armiqtë po grabisnin qytetin bashkë me kodrat e bukura, të cilat ajo aq shumë i donte. Në skenë paraqitet Drita, një vajzë e Shkodrës e fejueme në Shas, e veshur me rroba burri, që i kërkon plakut Ulqinak vend-ndihmë kundër pushtuesve. Këtu gërshetohet dashuria e saj atdhetare dhe dashuria ideale që kishte për të fejuemin në Shas. Si e tillë, ajo luan rrolin e djaloshit pa u vënë re. Jo më pak i prekshëm është edhe vajtimi i tokës dhe i ullishtave të plakut Bet, dhe kënga besatare, që djelmoshat këndojnë kur nisen në luftë.
*Marrë nga faqja e autorit në Facebook