”Projektligji për vetëqeverisjen lokale dhe deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë për Administratën Publike në të cilat pretendohet se Ulqini është i vetmi vend në bregdetin e Malit të Zi që nuk mund të fitojë statusin e qytetit, janë zhgënjyese për çdo ulqinak dhe për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi, sepse me këtë akt mohohet historia e dokumentuar e Ulqinit si një qyteti i rëndësishëm në Mesdhe për 2500 vjet. Ky qytet është shquar për konkurrencën dhe zhvillimin e tij, administratën e tij, tregun vibrant, hotelierinë, anijendërimtarinë dhe financat e shëndosha.  Kujtojmë që Ulqini deri në vitin 1426 kishte monedhën e vet me mbishkrimin e qartë “MONETA DE DULCINO”. Fatkeqësisht, sipas MJU-së, tani nuk mund të ketë statusin e qytetit, ndërsa, për ironi, atë status e kishte që kur iu dorëzua Malit të Zi në vitin 1880. Nuk ekzistojnë formula dhe llogaritje që mund të degradojnë statusin ligjor dhe faktik të Ulqinit”, kështu thuhet në nje kumtesë për media të Dr Ilir Çapunit, Deputet i  „ALEANCËS SHQIPTARE“

Ironikisht, pas projektligjit qëndron një ministër nga radhët e përfaqësuesve të popullit shqiptar. Mbrojtja e një zgjidhjeje të tillë të shtrembër është fyese për të gjithë ulqinakët dhe për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi, vazhdon Çapuni.

Aleanca Shqiptare do të paraqesë në sugjerimet e saja propozuesit të këtij ligji, dhe do të marrë pjesë në përmirësimin e këtij projektligji përmes përfaqësuesve të saj në Qeveri dhe në Kuvendin e Malit të Zi, përfundon kumtesa e deputetit Çapuni.

By admini