Nga Hajrullah Hajdari
Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është një çështje që po rëndon jo vetëm mbi supet e qytetarëve të Kosovës, por edhe të çdo shqiptari kudo që jeton e vepron, sidomos të atyre që ishin nën sundimin jugosllav për shumë dekada. Mosmarrëveshjet në mes Qeverisë së Kosovës dhe opozitës e bëjnë këtë çështje edhe më të komplikuar. Rënduese është edhe qasja ndryshe e Tiranës zyrtare për mënyrën e themelimit dhe kompetencat e asociacionit njëetnik të serbëve në Kosovë.
Numri i serbëve sot në Kosovë mund të jetë i përafët me numrin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke mos llogoritur një numër bukur të madh të shqiptarëve që jetojnë në Beograd, apo gjetiu në Serbi. Megjithatë, pozita juridiko-politike e shqiptarëve etnik në Serbi në krahasim me pozitën e serbëve në Kosovë është në një nivel shumë më të ultë, çka do të thotë se serbët në Kosovë kanë më shumë të drejta dhe bëjnë një jetë më të mire se shqiptarët në Luginën e Preshevës, madje edhe se shqiptarët në Malin e Zi.
- Çka është në të vërtetë asociacioni i komunave serbe në Kosovë?
Siç parashikohet me draftin e propozuar nga Gjermania dhe Franca, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të komunave me popullsi (shumicë) serbe në Kosovë, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe zhvillimit ekonomik. Sipas këtij drafti Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e përmendura. Thuhet se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por është vështirë të besohet sepse fjalët “qasje të plotë” i japin Asociacionit atribut fuqiplotë për vendosje në fushat e përmendura të jetës së përditshme. Sipas kësaj, përshembull institucionet e arsimit do të vendosin në plan-programet shkollore njësinë mësimore për Drazho Mihajlloviqin, apo “kasapin e Ballkanit” Sllobodan Millosheviqin, ndërsa nuk do të ketë asnjë njësi mësimore për Adem Jasharin. Aktivitetet e UÇK-ës do të quhen terroriste, ndërsa shteti i Kosovës në librat e tyre do të jetë “i ashaquajturi” apo “i vetë thiruri”,
Një spital do të emërohet me emërin e ndonjërit që kanë bërë krime ndaj popullatës shqiptare, ndaj nënave e motrave të dhunuara…edhe pse do të thithin mjete financiare nga shteti i Kosovës! Shtrohet pyetja: A mundet Gjykata Kushtetuese e Kosovës të detyrojë Asociacionin, përkatësisht organet apo institucionet e saj që njësitë mësimore që përmendem mos të jenë pjesë e plan-programeve mësimore, ose instuticionet publike mos të emërohen me emërat e keqbërsave serbë ndaj popullit shqiptarë?! Është gati e pamundur!
- Të gjithë qytetarët para ligjit, pa dallim feje apo përkatësie kombëtare duhet të jenë të barabartë.
Kjo do të thotë, në rend të parë të gjithë të gëzojnë një të drejtë e cila i jep arsye ekzistencës së tij si qenie njerëzore e cila duhet të fuqizohet me jurisdikcionin shtetëror. Në Republikën e Kosovës komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuar në legjislacionin e zbatueshëm, Bazuar edhe në definimin e kompetencave në rastin e Kosovës, por edhe në përgjithësi funksioni i përgjithshëm i Qeverisjes lokale është të përmbushë nevojat shoqërore, ekonomike, kulturore dhe edukative të popullsisë që jeton në komunë. Natyrisht, Qeveria e Republikës së Kosovës mund t’u delegojë kompetenca shtesë komunave, nëse është e nevojshme, në pajtim me ligjin. Kompetencat e deleguara duhet, në të gjitha rastet, të shoqërohen me financim të nevojshëm në përputhje me objektivat, standardet dhe kërkesat e përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo mundëson delegimin e kompetencave shtesë për komunat me shumicë të popullsisë serbe në Kosovë, me qëllim të përmbushjës se nevojave të pakicës serbe në fushën e kulturës, arsimit, informimit, përdorimit zyrtarë të gjuhës dhe shkrimit etj.
Ushtrimi i të drejtës së vetëqeverisjes në kulturë, arsim, informin dhe përdorimin e gjuhës dhe shkrimit në gjuhën shqipe në Serbi, por edhe në Malit të Zi, realizohet nëpërmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve. Kompetencat e Këshillave Kombëtare janë rregulluar me ligj të veçantë më të cilin përcaktohet pozita juridike e tyre. Sipas dispozitave ligjore Këshillit Kombëtar i janë besuar disa kompetenca publike për të marrë pjesë në vendimmarrje ose për të vendosur në mënyrë të pavarur për çështjet e caktuara, që i përmendëm më lart, me qëllim të realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve. Pra, për realizimin e këtyre të drejtave shqiptarët përfaqësohen nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve. Këshilli Kombëtar, në bazë të vendimit të organit kompetent mund të krijojë organe dhe institucione për lëmitë e përmendura, mund të themelojë shoqata kulturore dhe ekonomike dhe mund të krijojë pasuri, të cilat përdorën për ushtrimin e kompetencave të parashikuara me ligj. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar financohet nga buxheti i shtetit, por mund të jetë edhe përfitues i fondeve dhe donacioneve të ndryshme. Pra pse i duhet Serbisë një zgjidhje ndryshe për serbët e Kosovës. Serbia, për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në lëmi të caktuara të jetës (që i përmendëm) me ligj ka themeluar Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi (por edhe për pakica të tjera). Politika aktuale e Serbisë mburret me këtë arritje dhe deklarojnë se shqiptarët në Serbi. nëpërmes Këshillt Kombëtar të Shqiptarëve plotësisht mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në lëmitë e caktuara të jetës dhe ushtrimin e vetëqeverisjes lokale. Atëherë, pse serbët në Kosovë duhet të jenë më të priviligjiuar se shqiptarët në Serbi apo Mal të Zi?! Serbet janë qenie njrëzore njësoj si shqiptarët, madje në këto troje janë vendosur shumë më vonë, por kjo s’është aq e rëndësishme. E rëndësishme është që të gjithë, edhe serbet, edhe shqiptarët dhe të tjerët, të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe prosperitet.
Mendimi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndihmojë apo përmirësojë ofrimin e shërbimeve komunale në nivel lokal në një shkallë më të lartë, vetëm duke mbajtur lidhjet financiare, teknike dhe simbolike me shtetin e Serbisë është i pakuptimtë, diferencues dhe nënvlersues për shqiptarët në Serbi, Mal të Zi, por edhe në Kosovë. Është i pakuptimtë sepse shteti i Kosovës, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, është i detyruar t’iu mundësojë pakicave kombëtare (jo vetëm serbëve) ushtrimin e vetëqeverisjes lokale në kulturë, arsim, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit. Formimi i Asociacionit është diferencues sepse bënë dallime në mes të qytetarëve dhe komuniteve të ndryshme duke iu dhënë serbëve më shumë të drejta dhe në këtë mënyrë shqiptarët janë të nënvleresuar sidomos ata në Luginën e Presheves dhe në Mal të Zi, duke i lënë kështu shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë! Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të jetë një ndër qëllimet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare. Dokumentet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, janë shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtua praktika e përcaktimit dhe e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Asociacioni në formën e propozuar mundëson vazhdimin e prezencës dhe rolit të Serbisë në çështjen e popullit serb në Kosovë. Nëpërmes të këtij asociacioni Serbisë i jipet mundësia për të përdorur influencën politike për të siguruar dëgjueshmërinë e serbëve për arrijtjen e qëllimeve të veta shoveniste. Varësia ekonomike dhe financiare nga Serbia u mundëson serbeve të Kosovës të bëjnë një jetë më të mirë se shqiptarët e Kosovës në shtetin e tyre. Financimi i serbëve në Kosovë, jo vetëm i popullatës por edhe i institucioneve, nga dy burime, Serbia dhe Kosova, mundëson keqpërdorimin e mjeteve nga njëra anë dhe përdorimin e mjeteve financiare për qëllime të errta dhe shantazhimin e institucioneve legale të Kosovës, duke rrezikuar kështu funksionalitetin normal të shtetit të Kosovës.
- Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi dhe Mal të Zi model i duhur për serbët në Kosovë
Pa dashur të bëjë një paralelizëm në mes të Asociacionit Serb në Kosovë dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, mendoj se serbët që jetojnë në Kosovë me formimin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kosovë, i cili do të ketë cilësinë e personit juridik, mund t’i përmbushin kërkesat e tyre për ushtrimin e vetëqeverisjes lokale në lëminë e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit serb në Kosovë njësoj si shqiptarët në Serbi apo në në Mal të Zi.
Këshilli Kombëtar i Serbëve në Kosovë, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të themelonte institucione, shoqata, fondacione, shoqëri në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit serb, do të përcaktonte propozimet për simbolet kombëtare, shenjat dhe festat kombëtare të tyre. Këshilli do të miratonte planin financiar, raportin financiar, llogarinë përfundimtare dhe do të dispononte me pasurinë e vet. Do të emëronte përfaqësuesin e serbëve në këshillin për marrëdhënie ndëretnike në njësinë e vetëqeverisjes lokale duke inicuar miratimin dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve të tjera në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, përkatësisht ndryshimin dhe plotësimin e rregulloreve të veçanta dhe masave të përkohshme në zonat ku ushtrohet e drejta e vetëqeverisjes, me qëllim të arritjes së barazisë së plotë ndërmjet pjesëtarëve të qytetarëve që janë në pakicë (serbëët) dhe qytetarëve që i përkasin shumicës (shqiptarët). Prandaj nevojitet një qasje konstruktive nga të gjitha palët e përfshira në proces, veçanërisht nga ndërkombëtarët. Asociacioni në formën e propozuar, sadopak përmban elemente ekzekutive, çka do të ishte vërtetë skandaloze. Për krijimin e një “Srpska Republika” të re vërtetë nuk ka nevojë. Asosiacioni në formën e propozuar do të jetë një dështim i ndërkombëtarëve në vëndosjen e paqës në Ballkan. Ndërkombëtarët me imponimin e asociacionit në formën e propozuar s’bëjnë tjetër veçse se e ndihmojnë Serbinë për kultivimin shekullor të shovenizmit dhe gjenocidit ndaj popullit josllavë, nga ana tjetër shqiptarët, si populli më i vjetër në Ballkan, mbetën akoma më të diskriminuarit.
Këshilli Kombëtar i Serbëve në Kosovë mundëson tërësisht plotësimin e nevojave të popullit serbë në Kosovë për ushtrimin e vetëqeverisjes lokale në lëminë e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit serb në Kosovë, njësoj si shqiptarët në Serbi apo në Mal të Zi dhe mundëson inegrimin e plotë të serbëve në shoqërinë kosovare, përkatësisht në shtetin e Kosovës.
Prandaj Këshilli Kombëtar i Shqiptareve në Serbi e Mal të Zi është modeli më i mirë për zgjidhjen e statusit të serbëve në Kosovë.