Dyshja në zbërthim të kulturës malaziase, shqiptare e botërore
Nga: Besartë Elshani, Koha Net
Mbrëmja e tetë me radhë “Chopin Piano Fest” ka vënë theksin, midis tjerash, në kulturën e Malit të Zi për të parën herë përgjatë historikut të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike. Me Iliriana Gjonin në piano e vokalin e sopranos malaziase, Milica Laloseviq, është sjellë edhe repertori botëror i veprave klasike. Koncerti ka shënuar edhe mbylljen e Javës së Kulturës të Malit të Zi në Prishtinë.
Salla plot ka qenë për dyshen në piano e këndim. Koncerti recital i dyshes ka sjellë një tjetër provë sa i përket instrumentit të pianos. Atë të përshtatjes me vokal. Është prej kombinimeve më të shpeshta që i përshtatet secilit format. Të hënën mbrëma janë sjellë këngë tradicionale malaziase, ato të repertorit botëror e shqiptar.
Programin e ka hapur dyshja me prezantimin e kulturës muzikore nga Mali i Zi me “Balada o maslini” (Balada e ullirit) të malaziasit Senad Gaqeviq. Me meloditë e pianos, sopranoja Laloseviq me timbrin magjepsës ka sjellë këngët popullore “Poljem se vija”, “Bulbul mi poje”, Dusho, Mare”, dhe “Vanji se konji igraju”.
Kjo ka qenë mbrëmja e parë përgjatë krejt edicioneve ku janë interpretuar këngët popullore malaziase në këtë festival.
Sopranoja Laloseviq ka thënë se këngët e interpretuara në koncert e prezantojnë më së miri kulturën muzikore malaziase.
“Kemi prezantuar katër këngë të bukura nga Mali i Zi. Mendoj se këto këngë e prezantojnë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të mendimit. Janë shumë të shkurtra, por mendoj se audienca i ka shijuar dhe e kanë kuptuar. Pjesa tjetër e koncertit ka përfshirë repertorin e famshëm italian”, ka thënë ajo.
Në festivalin që mban emrin e kompozitorit dhe pianistit virtuoz polak të periudhës romantike, pianoja përherë ka pozicionin qendror.
Në lojë solo, pianistja Gjoni ka sjellë mjeshtërisht veprat e tij. Ka interpretuar “Nocturne op.27 nr.2, D-dur” që ka ardhur si pjesë nostalgjike që zhvillohet me tinguj minimalistë të lehtë prej të cilëve lulëzojnë temat e ndjeshme. “Ballade nr.1, op. 23, g-mol” ka qenë kontrasti. Dinamike e me tinguj të shpeshtë vë në pah anën melankolike kur ulin ritmin.
Të dyja veprat kanë qenë thellësisht emocionale, me meloditë shprehëse dhe një lloj ndërlikimi i harmonisë dhe ritmit.
Sa i përket repertorit botëror të veprave për piano ka sjellë “Suite bergamasque” të francezit Claude Debussy. Pjesët e saj “Prelude”, “Menuet”, “Claire de Lune” dhe “Passepied” kanë gërshetuar akorde paralele e harmoni të paqëndrueshme me tonalitete të papritshme.
Kur prezantohet kultura e Malit të Zi, pianistja Iliriana Gjoni e përfaqëson një pjesë të saj me një vepër shqiptare. Ka sjellë variacione për piano në A-dur “Skënderbeu” të Çesk Zadesë.
Gjoni ka luajtur melodinë autentike e identifikuese shqiptare nëpërmjet tingujve të lehtë në hapje që zhvillohen në njërën anë, ndërkohë që nis të marrë formë një tjetër temë dinamike. Shkon e përshpejton ritmin, duke gjetur frymën më klasike dhe shkëputet gradualisht nga ritmi tradicional. Një ndërprerje e shkurtër e kthen atë në pikën fillestare, por në tjetër dimension.
Pianistja Iliriana Gjoni ka thënë se ka interpretuar në Prishtinë pas rreth 15 vjetësh për shkak të studimeve fillimisht në Gjermani, e më pas në Belgjikë. Ka thënë se ka interpretuar pjesë nga Chopin si përshtatje me emërtimin e festivalit. Për të koncerti ka qenë edhe mundësi për njohjen e repertorit të repertorit malazias.
“Unë si ulqinake në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time. Ndërsa sa i përket programit, duke qenë ‘Chopin Fest’ kam vendosur të kisha një pjesë reprezentative antologjike, që është Balada e tij nr.1. Kënaqësi të veçantë të luaj si soliste, por edhe me kolegen Milica Laloseviq kemi luajtur një program të larmishëm. Për mua ishte edhe një mundësi interesante të njihesha me repertorin me motive malaziase, sepse nuk e kam luajtur më parë”, ka thënë Gjoni.
Për “Skënderbeun” e Zadesë ka thënë se shteti i Malit të Zi nuk mund të përfaqësohet pa kulturën shqipe. Ka bërë të ditur se veprën e kishte interpretuar edhe në Bruksel në shënim të Ditës së Evropës, derisa ka thënë se publiku atje kishte ndier lidhje të veçantë me veprat e Zadesë.
“Si shqiptare e Malit të Zi, mendoj se ky shtet nuk mund të përfaqësohet denjësisht pa pasur të përfaqësuar edhe popuj të tjerë të cilët e kanë krijuar atë. Veprën e Çesk Zadesë e kam luajtur para pak kohësh në Bruksel për Ditën e Evropës më 9 maj. Kam pasur nderin të përfaqësoj kompozitorët e Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime ishte që Skënderbeun ta fusja në institucionet evropiane dhe u përcoll me të vërtetë shumë mirë”, ka thënë Gjoni, pianiste nga Ulqini i Malit të Zi.
Ajo ka diplomuar në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe të Gjermanisë ku ka fituar dy diploma të magjistraturës në piano dhe muzikë kamertale. Është fituese e shumë çmimeve në Mal të Zi . Ka marrë çmimin e parë dhe çmimin special “Beethoven” në konkursin EPTA në Shqipëri dhe çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Guardiagrele në Itali. Në vitin 2018 ka bërë debutimin e saj në “Symphony Space” në New York.
Sopranoja malaziase, Milica Laloseviq ka interpretuar edhe “O mio babbino caro” të Puccinit, arie e rolit të Lauretës nga opera komike “Gianni Schicchi” e “Gypsy melodies: Op.55: 4. Andante con moto” të kompozitorit çek, Antonín Dvořák. Gjithashtu, ka interpretuar edhe “Non ti scordar di me” nga italiani Ernesto de Curtis.
Ka interpretuar për herë të parë në Prishtinë. Në fund të koncertit ka thënë se ngjarjen do ta kujtojë si përvojë të bukur.
“Kjo është hera e parë në Prishtinë dhe në festival. Iliriana më ka ftuar të jem pjesë e këtij festivali me të. E njoh tash e disa vjet. U takuam në një festival në Herceg Novi në Mal të Zi. Vazhduam bashkëpunimin dhe shpresoj se do të interpretojmë prapë së bashku”, ka thënë Laloseviq, soprano nga Kotorri i Malit të Zi .
Ka studiuar në degën teorike dhe atë të këngës në shkollën e muzikës “Vida Matjan”. Ka vazhduar arsimin në Beograd në Akademinë e Arteve të Bukura dhe ka përfunduar studimet në Konservatorin e Santa Cecilia në Romë. Ka marrë pjesë dhe ka fituar çmime të shumta në gara të ndryshme si “Lazar Jovanoviq” në Beograd, Festivalin ndërkombëtar “Bruna Shpiler” në Herceg Novi dhe “Rolando Nikolosi” në Romë.
Laloseviq e ka fituar përvojën e saj të parë skenike, duke interpretuar rolin e Valettos në operën “Kurorëzimi i Poppea” të Monteverdit në vitin 2006. Repertori i shfaqjeve të saj përfshin “Një fëmijë i kohës sonë” nga Michael Tippett në “Berlin Konzerthaus” më 2019 dhe “Carmen” nga Bizet më 2022.
Organizatorja e “Chopin Piano Fest”, profesoresha Besa Luzha i ka vlerësuar të dy solistet si artiste të sofistikuara.
“Të dyja artistet ishin shumë të sofistikuara në dinamikë, në konceptin e veprës. Edhe Laloseviq kishte një ngjyrë shumë të bukur, timbër jashtëzakonisht të mirë dhe spostim shumë natyral. Iliriana në fund na shpërbleu me Baladën e Chopin të interpretuar jashtëzakonisht të mirë. Jemi të kënaqur që edhe ky koncert përcolli emocione të bukura”, ka thënë Luzha.