Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të hënën. 

Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Ky vendim është marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s më 27 maj 2024, ka njoftuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.

“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues”, ka shkruar Hyseni në Facebook, i cili është edhe Kryesues i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai ka shtuar se letrat e shumta dhe përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë, por edhe të akterëve tjerë politikë në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit.

Vendimin e së hënës e ka mirëpritur presidentja Vjosa Osmani. Përmes një postimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet.

“Do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar ajo. 

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka mirëpritur këtë vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke thënë se nga tani Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s.

“Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, gjë që sigurisht se do të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit”, ka shtuar ai. 

Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s?

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar. /Koha Net/

By admini